Rusia dhe Gjermani përkrahin Iranin për marrëveshjen e vitit 2015

Publikuar në Maj 12, 2018, 1:05 a.m.

Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Gjermanisë thanë se janë duke punuar për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore me Iranin, pasi presidenti amerikan, Donald Trump u tërhoq nga kjo marrëveshje dhe tha se do të rivendosë sanksione ndaj Teheranit.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke folur në Moskë pas takimit me homologun gjerman Heiko Maas, tha se është e rëndësishme që sanksionet e reja amerikane të mos shkatërrojnë marrëveshjen e vitit 2015 mes Teheranit dhe fuqive botërore. “Pa asnjë dyshim, ne do të sigurohemi se kjo nuk do ta shkatërrojë marrëveshjen. Ky është objektivi ynë i përbashkët”, tha Lavrov në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij gjerman. Lavrov shtoi se Rusia, Gjermania, Kina, Britania dhe Franca – shtetet nënshkruese të marrëveshjes me Iranin – duhet të punojnë për të “mundësuar ruajtjen e këtij dokumenti të rëndësishëm për stabilitetin rajonal”. Ndërkaq, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tha: “Është e rëndësishme që Irani të qëndrojë në marrëveshje. Është në interesin e Iranit po ashtu, që kjo marrëveshje të vazhdojë”.