27 Prilli, Dita e të Pagjeturve që na kujton çmimin e lartë të lirisë e pavarësisë

Publikuar në Prill 29, 2018, 2:16 a.m.

Sot më 27 Prill 2018 ,presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë nderime te Memoriali për të Pagjeturit për Ditën e të Pagjeturve të Kosovës. Ai ka thënë se çdo 27 prill na bashkon për të kujtuar gjithmonë çmimin e lartë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

 “Që disa ditë Kosova po shënon Javën e Personave të Pagjetur. Nderojmë dhimbjen e familjeve të tyre, të familjarëve pranë të cilëve do të jemi gjithmonë. Edhe 19 vjet pas luftës, e dimë që çdo ditë shumë familje jetojnë me dhimbje shpirtërore. Humbja e më të dashurve për shumë familje është edhe më e madhe për faktin që ende nuk dihet ku gjenden trupat e tyre. Familjet e personave të zhdukur meritojnë të dinë të vërtetën”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se çështja e personave të zhdukur duhet të shtrohet në nivelet më të larta, edhe në Bruksel, si një temë që nuk pret më.

Presidenti Thaçi shtoi se familjet e personave të pagjetur dhe të të gjitha viktimave të luftës, pa dallime etnike, meritojnë respektin më të madh dhe të përjetshëm institucional. Në këtë ditë dhembjeje, presidenti Thaçi ka shprehur falënderim për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë dhe ka vlerësuar lartë punën e Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur.