Rrugëtimi ynë drejt Evropës, aty ku ne përkasim natyrshëm

Publikuar në Prill 24, 2018, 9:37 p.m.

Me rastin e marrjes së rekomandimit pozitiv nga ana e Komisionit Evropian për çeljen e negociatave me BE, komunitetet fetare të pranishme në Shqipëri: Komuniteti Mysliman, Kisha Orthodhokse, Kisha Katolike, Komuniteti Bektashi dhe Vëllazëria Ungjillore, shprehim përgëzimet më të përzemërta për popullin tonë shqiptar.

Rrugëtimi ynë drejt Evropës, aty ku ne përkasim natyrshëm, është tashmë një fakt dhe një dëshirë e popullit tonë. Etërit themelues të shtetit shqiptar, ndër të cilët ishin edhe klerikë të besimeve tona fetare, ishin të bindur për këtë përkatësi. Ne besojmë se liria e fjalës dhe e besimit, familja, paqja, solidariteti, janë vlera mbi të cilat mbështetet edhe shoqëria jonë, që aspiron të jetë pjesë e familjes evropiane.

Një thirrje e fundit, por shumë e rëndësishme nga të gjithë ne religjonet bashkë, i shkon Kancelarive perëndimore. Nëpërmjet ambasadave të tyre, të akredituara në Tiranë, ne u kërkojmë shteteve anëtare të BE që të mbështesin akoma më fuqishëm këtë proces. Është në të mirën e Evropës që edhe shqiptarët, e pse jo i gjithë Ballkani perëndimor, të jenë pjesë e saj. Ne shqiptarët jemi pjesë e Evropës dhe sigurisht pa njëri-tjetrin jemi mangut: ne pa Evropën dhe Evropa pa ne. Na bashkon një histori më e gjatë se sa e këtyre dekadave të fundit. Është një histori mijëravjeçare dhe janë rrënjët e përbashkëta kulturore e shoqërore që ne kemi e që na lidhin. Ne ju bëjmë thirrje përzemërsisht, por me vendosmëri, që të mbështesni hapjen e negociatave dhe sa më shpejt edhe anëtarsimin në BE të vendit tonë.

Të bindur se fjalët tona nuk do të bien në vesh të shurdhër, ne ripërtërijmë angazhimin tonë që nëpërmjet lutjes drejtuar të madhit Zot dhe fjalës tonë nëpër komunitetet tona, të jemi gjithmonë mbështetës dhe promovues të vendosur të së mirës, të paqes dhe të shpresës për të ardhmen.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe ne të gjithëve.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
Kisha Katolike
Kryegjyshata botërore e bektashinjëve
Vëllazëria Ungjillore