Në Kosovë kthehen gratë nga Siria dhe Iraku si dhe në grupet terroriste në zonat e luftës janë lindur edhe 40 fëmijë

Publikuar në Prill 8, 2018, 3:08 a.m.

Që nga viti 2012 shënohen daljet e para të kosovarëve në Siri, numri që arriti të evidencohet ishte deri 362 e prej tyre edhe gra e fëmijë.

Këtyre ditëve Policia i ka bërë të ditur Metros se vetëm 7 gra dhe 3 fëmijë janë kthyer nga Siria, ndërkaq burra janë kthyer 123.

“Numri i personave të kthyer në Kosovë apo edhe në vendet tjera prej nga kanë udhëtuar është 133, përfshirë këtu 123 meshkuj, 7 gra dhe 3 fëmijë”, kanë thënë nga Policia e Kosovës. Gjithashtu Policia bën me dije se numrit të kosovarëve në Siri u janë shtuar edhe 40 fëmijë të lindur në zonën e konfliktit.

Kështu, sipas Policisë, në Siri aktualisht po qëndrojnë 59 burra, 41 gra, 55 fëmijë të shkuar nga Kosova dhe 40 fëmijë të lindur në Siri.