Ushtria izraelite i drejtohet palestinezëve: Dëgjoni dijetarët saudit, mos bëni veprime
Ushtria izraelite ka vënë në dukje fetvatë e dijetarëve të Arabisë Saudite për të dekurajuar palestinezët nga protestimi.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, e ka përshkruar “Marshin e Madh të Kthimit” të organizuar nga palestinezët me rastin e "Ditës së Tokës" si një “Marsh Kaos”.
Në një video-mesazh të publikuar të mërkurën, duke i’u referuar deklaratave të dijetarëve saudit, Adraee u bëri thirrje palestinezëve që të mos organizojnë protesta.
‘PROTESTAT NUK U TAKOJNË MUSLIMANËVE’
Adraee, i cili bëri citime nga Komiteti i Dijetarëve të Lartë në Arabinë Saudite dhe nga fetvaja e pjesëtarit të Hulumtimeve Shkencore dhe Këshillit të Fetvave, Salih bin Fevezan el-Fevezan, i cili pati thënë se ‘demonstratat dhe protestat nuk janë punë të muslimanëve’, u bëri thirrje palestinezëve që të mos marrin pjesë në protesta anti-okupuese, duke iu referuar fetvave të një prej dijetarëve kryesorë të Arabisë Saudite, Muhamed Bin Salih el-Usejmin.
Adraee i cili i përdori edhe ajetet e Kur'anit të Shenjtë, tha se Hamasi po i vë në rrezik gratë dhe fëmijët palestinez.
‘NUK JEMI TË LEJUAR QË TË LUFTOJMË KUNDËR IZRAELIT’
Myftiu i Arabisë Saudite dhe kryetari i Këshillit të Dijetarëve, Abdulaziz Al Shejh, në përgjigjen e dhënë në pyetjen e një shikuesi lidhur me ngjarjet në Mesxhid al-Aksa në korrik të vitit 2017, në një program televiziv, pati thënë “se nuk është i lejuar për të luftuar kundër Izraelit, se Hamasi është një organizatë terroriste dhe se mund të bëhet një bashkëpunim me ushtrinë izraelite kundër Hezbollahut".
Ndërsa, ministri izraelit i komunikimeve, Ejup Kara e pati përgëzuar myftiun e Arabisë Saudite dhe kryetarin e Këshillit të Dijetarëve, Al Shejhin për këtë fetva, e kishte ftuar në shtetin e tij dhe kishte thënë se do të mirëpritej me një respekt të lartë.
Edhe gazeta e Arabisë Saudite, Rijad e përkufizoi Hamasin si një ‘organizatë terroriste’ në gusht të vitit 2017 dhe e kishte vënë në titull të gazetës.
Burimi : Sputnik News