Kosova pro zhvillimit, aplikon përsëri ne INTERPOL e UNESCO

Publikuar në Mars 13, 2018, 11 p.m.

Këtë javë në rubrikën e përjavshme “FOKUS”, të Radios Evropa e Lirë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, si dhe njohës të çështjeve të sigurisë dhe zhvillimeve në vend, thonë se me anëtarësimin në këta dy mekanizma ndërkombëtarë, përveç përfitimeve në fushëveprimet konkrete të këtyre mekanizmave, Kosova do të përfitonte edhe në rritjen e subjektivitetit dhe prestigjit të saj ndërkombëtar.

Institucionet e Kosovës janë duke bërë të gjitha përpjekjet për anëtarësimin e vendit në dy mekanizma ndërkombëtarë, në INTERPOL dhe në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, Shkencë dhe Arsim (UNESCO), konfirmojnë zyrtarët e ekzekutivit të vendit.

Në Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekzekutivi tashmë është duke punuar në përmbushjen e të gjitha kushteve për anëtarësim në këta dy mekanizma.

“Sa i përket çështjeve teknike që duhet përmbushur, do të thotë, kritereve për INTERPOL, Qeveria e Kosovës është gati dhe sigurisht që sivjet do të aplikojë. Kurse, edhe për UNESCO, Kosova tashmë është gati. Dy ligjet, për trashëgimi kulturore dhe për fetë, janë proceduar në Kuvendin e Kosovës. Dikasteret përkatëse vlerësojnë se Kosova i ka edhe numrat e nevojshëm (të vendeve që votojnë), që të bëhet pjesë e këtyre dy mekanizmave”, thekson Matoshi.