Tahiri: Skllavëria modern dhe dhuna në familje fenomen në shoqërinë tone

Publikuar në Mars 1, 2018, 12:48 a.m.

Trafikimi me njerëz  së bashku me dhunën në familje, përbëjnë sfidën kryesore të sistemit të drejtësisë.

Kështu ka shkruar në një status në rrjetin social ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, pasi mori pjesë në tryezën e organizuar nga KIPRED-i për lansimin e diskutimin e gjetjeve dhe rekomandimeve kryesore të raportit hulumtues të titulluar: “Kompensimi i viktimave të Krimit: Reagimi ndaj rasteve të dhunës në familje dhe trafikimit me qenie njerëzore”.

Sipas ministrit, për të luftuar këto krime, përpjekjet duhet të jetë të përbashkëta të të gjitha institucioneve, shoqërisë civile, por edhe përpjekjet e të gjitha shteteve. 

Në këtë aspekt, ministri Tahiri ka shprehur përkushtimin e tij që të ndihmojë viktimat si dhe t’ua sigurojë qasjen në drejtësi. 

“Zëri i viktimave të krimit është zëri i të gjithëve për drejtësi dhe barazi kundër krimit. Lufta kundër trafikimit njerëzor dhe dhunës në familje është njëra nga kauzat më të rëndësishme në kohën kur sistemi ynë i drejtësisë po transformohet çdo ditë. Si ministër i Drejtësisë, kam vizion të qartë, për ta vënë në qendër viktimën dhe mbrojtjen e viktimës, të njihet roli i tyre në sistemin e drejtësisë dhe t’u sigurohet qasje në drejtësi”, ka përfunduar Tahiri.