Revolucioni Islam, Imam Humejni Dhe Parimi i Kujdestarisë

Publikuar në Shk. 18, 2018, 3:32 a.m.

Imam Humejni (p.m.t.) në librin e tij me titull: “Tahriru’l-Uesile” (Çlirimi i Ndërmjetësimit) ka shkruar kështu: “Gjatë epokës së fshehjes së urdhrit të kujdestarit të muslimanëve dhe sulltanit të shekullit (p.m.t.), juristët të cilët i plotësojnë të tëra kushtet e duhura në miratim dhe gjykim, që janë zëvendësit e atij të nderuari, kanë për detyrë që të zbatojnë tëra punët që kanë të bëjnë me politikën dhe qeverinë që i përkasin imamit (p.m.t.).

Ndonëse data 1 shkurt e 1979-s, ishte një ditë e pritjes me shpresë, për popullin iranian ishte edhe një ditë e brengosur. Populli iranian pas një pritjeje 14 vjeçare, tani ishte duke pritur me padurim rikthimin nga dëbimi, udhëheqësin e dashur revolucionar Imam Humejnin (p.m.t.) dhe donte ta takonte imamin. Por regjimi pehleuit, e kishte brengosur popullin iranian, sepse ia kishte vënë jetën në rrezik, duke kërcënuar me rrëzimin e avionit që bartte Imam Humejnin (p.m.t.). Në fakt regjimi i shahut, duke u frikësuar nga zemërimi i popullit, nuk pati guximin për ta bërë këtë dhe avioni që bartte imamin zbriti në aeroportin e Teheranit, ku u ndesh me ngazëllimin e madh dhe të mrekullueshëm të popullit iranian. Kthimi në atdhe i Imam Humejnit (p.m.t.), krijoi një gëzim të madh në një pjesë të madhe të Iranit dhe duke i dhënë formë një pikë të re kthese, në historinë e dhimbshme të Iranit, përgatiti terrenin për t’i dhënë fund regjimit despot pehleuit, brenda një kohe të shkurtër dhjetë ditëshe.

Imam Humejni (p.m.t.) solli me vete idealet madhështore dhe të larta njerëzore dhe islame për të cilat kishte punuar aq shumë për paisjen e njeriut. Këto ideale ishin liria, pavarësia, drejtësia, lufta kundër dhunës, vëllazëria, njëjësimi dhe ideale të ngjashme. Por dhurata më e madhe e Imam Humejnit (p.m.t.) që ia dhuroi popullit iranian dhe mbarë muslimanëve ishte ideali i shtetit islam, i cili mbështetet në parimin e juristit kujdestar. Ndonëse mendimi i shtetit islam dhe kushtet e kërkuara, për caktimin e udhëheqësit dhe drejtuesit në krye të këtij shteti, ishin shndërruar në një çështje, që ishte përfolur me shekuj me radhë, në mesin e muslimanëve të Ehli Sunnetit dhe Shiitë. Megjithatë urtësia e Imam Humejnit (p.m.t.), qëndronte në sjelljen në rend të ditës, i këtij debati në mënyrë të pavarur dhe rrënjësore, si dhe sqarimi i argumentave logjikë dhe fetarë i këtij mendimi në mënyrë të hollësishme. Imam Humejni (p.m.t.) kishte filluar të punonte mbi këtë mendim, përpara se Revolucioni Islam të arrinte fitoren dhe në të vërtetë libri me titull: “Uelajetu’l-Fakihi” (Juristi i Kujdestarisë) ishte vepra në të cilën ishte sqaruar ky mendim i rëndësishëm. Njëri nga mesazhet islame dhe përparimtare i këtij mendimi, ishte mesazhi i luajtjes së një roli aktiv të fesë hyjnore në arenën politike, madje ekzistencës së saj në shkallën më të lartë.

Me fjalë të thjeshta me “Uelajetu’l-Fakihi” (Juristi i Kujdestarisë), nënkuptojmë drejtimin e bashkësisë nga ana e një dijetari musliman, cili i plotëson të tëra kushtet e udhëheqjes, i cili është emërtuar si jurist. Në fakt “Ueliju’l-Fakihi” (Juristi Kujdestar) është zëvendësi dhe pasardhësi i imamit të kohës (p.m.t.) gjatë epokës së fshehjes së tij. Imam Humejni (p.m.t.) në shumë nga shkrimet dhe fjalimet e tij, e ka argumentuar parimin e juristit të kujdestarisë, duke u mbështetur në përcjellje të fuqishme dhe dokumente.

Në fakt gjenden shumë përcjellje mbi këtë çështje. I dërguari i Islamit (p.m.t.) i ka emërtuar dijetarët si prijësit e tij dhe si trashëgimtarët e të dërguarve. Gjithashtu edhe i nderuari Ali (p.m.t.) ka cituar se dijetarët janë drejtuesit e popullit. Në një hadith Imam Aliu (p.m.t.) ka shprehur kështu:

“Në rast se ndërrojnë jetë ose vriten udhëheqësit, që udhëheqin muslimanët sipas gjykimit të Allahut të Madhëruar dhe Islamit, nuk ka rëndësi nëse janë të shmangur ose të udhëzuar, muslimanët nuk duhet të bëjnë asgjë tjetër përveç se të zgjedhin një udhëheqës të dëlirë, të përkushtuar dhe të ditur i cili e njeh sunnetin e pastër dhe ligjet e gjykimit të të dërguarit të Allahut (p.q.m.t.), i cili do të mbledhë “bejtu’l-malin” (pasurinë e përbashkët), detyrimin e haxhxhit dhe të namazit të Xhumasë dhe mbledhjen e lëmoshave”.

Si rrjedhojë për bashkësinë islame ka përparësi që para së gjithash të zgjedhë një udhëheqës të denjë. Gjithashtu Imam Husejni (p.m.t.) në një hadith ka vënë nënvizimin kështu:

“Kreu dhe burimi i tërësisë së punëve është në duart e dijetarëve hyjnorë. Ata janë të sigurtë në çështjet e të lejuarës dhe të ndaluarës hyjnore”.

 

Sërish një tjetër hadithi gjatë epokës së fshehjes së tij, imami i kohës (p.m.t.) në mënyrë të hapur duke i bërë të njohur si pasardhësit e tij përcjellësit e hadithit ose e thënë ndryshe juristët dhe ka kumtuar kështu:

“Drejtohuni atyre të cilët kanë përcjellur hadithet tona në lidhje me hadithet dhe ngjarjet tona, sepse ata janë argumenti im për ju dhe unë jam argumenti i Allahut”.

Sipas këtij hadithi të vyer nënkuptojmë se ne duhet të ndjekim ata të cilët dinë gjykimet e Islamit dhe hadithet për sa i përket ngjarjeve dhe çështjeve të përditshme.

Për më tepër se kjo ne pohojmë, se ndodhen edhe një mori argumentesh, për argumentimin e domosdoshmërisë së juristit të kujdestarisë dhe Imam Humejni (p.m.t.) ka sqaruar një pjesë të këtyre argumenteve. Njëra nga këto argumente është se në një bashkësi të përbërë nga shumica e muslimanëve dhe njerëz që besojnë në vlerat islame, është e natyrshme prania e një qeverie islame në krye të tyre, sepse jeta shoqërore e bashkësisë dhe individëve është e varur nga vënia në zbatim i ligjeve hyjnore dhe këto ligje janë të vlefshme në jetën individuale dhe shoqërore. Themi së është mëse e natyrshme, që në krye të kësaj qeverie duhet të caktohet një njeri, që di gjykimet dhe dituritë islame dhe të jetë i drejtë dhe i përkushtuar.

Ky person është juristi kujdestar. Në librin e tij me titull: “Tahriru’l-Uesile” (Çlirimi i Ndërmjetësimit) ka shkruar kështu:

“Gjatë epokës së fshehjes së urdhrit të kujdestarit të muslimanëve dhe sulltanit të shekullit (p.m.t.), juristët të cilët i plotësojnë të tëra kushtet e duhura në miratim dhe gjykim, që janë zëvendësit e atij të nderuari, kanë për detyrë që të zbatojnë tëra punët që kanë të bëjnë me politikën dhe qeverinë që i përkasin imamit (p.m.t.)”.

Një tjetër arsyetim me domosdoshmërinë e juristit kujdestar dhe udhëheqësit musliman ka të bëjë nga afër me arsyetimin që sqaruam pak më parë. Imam Humejni (p.m.t.) kur e ka sqaruar këtë pikë, ka vënë theksin se duke kaluar nga një përmasë individuale e fesë islame, në një përmasë shoqërore dhe politike, është se rrjedh nga fakti se ajo është një fe e përzgjedhur dhe kjo e bën të pashmangshme themelimin e shtetit islam dhe drejtimin e bashkësisë nga ana e juristi kujdestar. Imam Humejni (p.m.t.) në librin e tij me titull: “Uelajetu’l-Fakihi” (Juristi i Kujdestarisë) ka shënuar kështu:

“Çdo njeri kur hedh një vështrim tek gjykimet islame, e kupton se përveç pranisë së përgjegjësisë së adhurimit mes njeriut dhe Krijuesit të tij, kupton dhe praninë e disa çështjeve politike dhe shoqërore në këto adhurime në lidhje me punët e kësaj bote.

Çështjet ekonomike, politike dhe shoqërore, që zënë vend në gjykimet islame përveç adhurimeve, tregojnë në mënyrë të qartë se feja islame, nuk është një fe e cila përmban vetëm ligje fetare”.

Feja islame është ngritur për të ndërtuar një qeveri të drejtë në të cilën marrin pjesë çëshje si ekonomia, gjykimi dhe çështje të tjera. Për më tepër Imam Humejni (p.m.t.) duke cekur gjendjet e domosdoshme si përhapjen e drejtësisë, arsimin dhe edukimin islam, mbrojtjen e kufijve, mbledhjen e taksave, vendimet e gjyqësorit, ruajtjen e rendit, urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja ka urdhëruar kështu:

“Për mbarëvajtjen e këtyre gjykimeve është kusht mbajtja përgjegjëse e një qeverie dhe një kujdestarie të cilat do të ruajnë ligjet madhështore hyjnore dhe do t’i çojnë në vend ato”.

“Nuk ka dyshim se sunduesi i një qeverie të tillë nuk mund të jetë tjetër përveç juristit kujdestar dhe dijetarit të përkushtuar musliman”.

I nderuari Imam Humejni (p.m.t.) e ka argumentuar parimin e juristit kujdestar dhe në një tjetër këndvështrim. Imam Humejni (p.m.t.) në librin e tij me titull: “Uelajetu’l-Fakihi” (Juristi i Kujdestarisë) e ka sqaruar kështu këtë argument:

“Ne i besojmë kujdestarisë dhe ne i besojmë edhe përcaktimit të një prijësi nga ana e të dërguarit të Islamit të cilin e ka caktuar tanimë. Por për përcaktimin e prijësit duhet ajo gjë që e quajmë qeveri në këndvështrimin logjik. Ne duam një prijës i cili t’i ekzekutojë ligjet. Ligjet duan një ekzekutues. Në të tëra shtetet e botës kjo është kështu dhe vetëm shkrimi i ligjeve nuk sjell dobi dhe nuk siguron lumturinë e njerëzve. Atëherë pas nxjerrjes së ligjit duhet të ngrihet një fuqi ekzekutuese e cila do ta ekzekutojë atë”.

Si rrjedhojë një sundues i drejtë dhe i ditur, i cili njeh ajetet e Kur’anit Famëlartë, gjykimet dhe hadithet dhe në veçanti çështjet shoqërore dhe politike, për sa kohë që nuk i vë në zbatim këto gjykime dhe ligje si dhe nuk përgatit terrenin e duhur për lumturinë e njerëzve nuk sjell asnjë dobi për muslimanët. Imam Humejni (p.m.t.) ka shprehur kështu në lidhje me këtë çështje:

“Allahu i Madhëruar krahas dërgimit të një përmbledhjeje ligjesh, pra të gjykimeve hyjnore, ka përcaktuar një qeveri dhe një institucion ekzekutiv për zbatimin e këtyre ligjeve. Ashtu siç të dërguarit të Islamit (p.q.m.t.) iuishte dhënë detyra e sigurimit të zbatimit të gjykimeve islame dhe rendit, ashtu siç Allahu i Madhëruar duke e bërë atë të nderuar, kryetarin dhe sunduesin e muslimanëve dhe ka urdhëruar bindjen ndaj tij edhe juristët e drejtë dhe kryetari duke qenë sundues duhet të sigurojnë mbikqyrjen e vënies në zbatim të gjykimeve dhe rendit shoqëror”.

Megjithatë duhet të sqarohet menjëherë se jo çdo jurist dhe jo çdo dijetar musliman mund të marrë përsipër udhëheqjen e bahkësisë muslimane. Si rrjedhojë Imam Xhafer Sadiku (p.m.t.) në një hadith të njohur ka shpalosur kështu:

“Populli duhet t’i bindet atij juristi i cili është i përkushtuar, ruan fenë, mban nën vete epshet dhe joshjet njerëzore dhe që i bindet urdhrave të Allahut të Madhëruar nga mesi i juristëve”.

Imam Humejni (p.m.t.) ka bërë fjalë për disa nga kushtet, për sunduesin e bashkësisë muslimane dhe juristin kujdestar dhe duke sqaruar se ai duhet të dijë gjykimet islame, të jetë i drejtë dhe i përkushtuar ka përcaktuar kështu:

“Duke qenë se qeveria islame është qeveria e ligjeve hyjnore atëherë sunduesi duhet të ketë dy cilësi, sepse këto dy cilësi janë themeli i qeverisë ligjore dhe në mungesë të tyre qeveria ligjore nuk mud të jetë e arsyeshme. Njëra nga këto dy cilësi është njohja e ligjit islam dhe tjetra është drejtësia”.

Në një tjetër vend Imam Humejni (p.m.t.) duke prekur disa kushte të tjera të juristit kujdestar ka pohuar kështu:

“Ai i cili do që të bëhet pasardhësi i urdhrit të kujdestarit të muslimanëve dhe të prijësit të besimtarëve (p.m.t.) duhet të jetë i dëlirë dhe nuk duhet të luftojë për të kërkuar këtë botë, ndonëse kjo është e lejuar, sepse në këtë gjendje ai nuk është më “eminullah” (besniku i Allahut) dhe nuk mund t’i besohet”.

Një tjetër kusht për të t’u bërë juristi kujdestar, është zotërimi i aftësisë dhe i diturisë për të drejtuar shtetin. Neni nr: 5 i kushtetutës së Republikës Islame Iraniane i ka sqaruar kështu, kushtet e juristit i cili do të mund të vijë në krye të bashkësisë muslimane, si dhe do të mund të jetë i pranuar nga kujdestaria dhe qeveria:

“Gjatë epokës së fshehjes së imamit të fundit (p.m.t,), urdhri i kujdestarit në rendin e Republikës Islame Iraniane dhe i prijësisë së bashkësisë muslimane, është mbi juristin drejtues të drejtë dhe të përkushtuar, që e njeh kohën, guximtar dhe i matur”.

Njëra nga pikat e rëndësishme e juristit kujdestar, është se në kohën kur ai humb njërën nga kushtet e duhura si drejtësia, përkushtimi dhe guximi dhe kushte të ngjashme, ai vetvetiu ka humbur postin dhe kjo çështje është ajo që e dallon sunduesin në rendin islam, nga rendet e tjera të qeverisjes qofshin ato despote ose demokratike. Imam Humejni (p.m.t.) e ka theksuar kështu këtë çështje:

“Me cilësitë që janë të pranishme tek juristi kujdestar ky i fundit nuk mund të hedhë asnjë hap të gabuar. Nëse ai thotë vetëm një fjalë të gënjeshtërt, vetëm një fjalë, nëse hedh vetëm një hap të gabuar, ai nuk është më në postin e kujdestarisë”.

Si rrjedhojë parimi i juristit kujdestar është një parim përparimtar dhe i fuqishëm dhe kushtetuta islame i ka përcaktuar kushtet dhe kufijtë e këtij parimi, si dhe i ka marrë nën mbikqyrje këto kushte dhe kufij. Për këtë arsye Imam Humejni (p.m.t.) ka urdhëruar kështu:

“Mbështetni juristin e kujdestarisë për të mos dëmtuar shtetin!”



Burimi : İntizar.web