Ruhani: Do të qëndrojmë fuqishëm përballë SHBA-së

Publikuar në Shk. 15, 2018, 12:45 a.m.

Presidenti iranian z. Hasan Ruhani deklaroi se Republika Islamike e Iranit nuk do të mbajë asnjë negociatë për marrëveshjen bërthamore shumëpalëshe të vitit 2015 apo për programin e saj të mbrojtjes raketore.

“Ne kurrë nuk i konsiderojmë çështjet e tjera të lidhura me marrëveshjen bërthamore. Kjo marrëveshje është një marrëveshje shtatëpalëshe, është një marrëveshje ndërkombëtare e cila është miratuar nga Rezoluta 2231 e Këshillit të Sigurimit”, tha presidenti Ruhani në një konferencë shtypi të martën në Teheran, në praninë e gazetarëve iranianë dhe të huaj.

Ai shtoi se marrëveshja bërthamore ishte një marrëveshje aq solide, saqë Presidenti i SHBA Donald Trump nuk ka arritur të përmbushë premtimin e fushatës presidenciale për ta shkatërruar atë, që kur ai mori detyrën rreth një vit më parë.

Ruhani theksoi se presidenti i Shteteve të Bashkuara gabimisht beson se marrëveshja bërthamore është një marrëveshje që u përket demokratëve, duke thënë: “Kjo marrëveshje është angazhim i administratës amerikane pavarësisht se cila parti është në pushtet”. Ai tha se çdo lëvizje nga Shtetet e Bashkuara për të shkelur detyrimet e tyre sipas marrëveshjes bërthamore do të diskreditonte vetë Uashingtonin.

Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me këmbënguljen e SHBA dhe Bashkimit Evropian për mbajtjen e negociatave mbi kushtet e marrëveshjes bërthamore dhe përfshirjen e programit raketor të Iranit në këtë marrëveshje, Ruhani tha se nuk është e mundur të negociohet ose të rishkruhet marrëveshja. “Është e pakuptimtë të diskutojmë me askënd, qoftë SHBA dhe Evropa apo dikush tjetër”, vuri në dukje presidenti iranian.

Ruhani shprehu vendosmërinë e Republikës Islamike për të “zhvilluar dhe forcuar” aftësitë e saj mbrojtëse dhe gjithçka që kërkohet për mbrojtjen e vendit, përfshirë raketat, avionët  dhe nëndetëset. Ai përsëriti se Irani kurrë nuk ka kërkuar dhe nuk do të kërkojë të prodhojë armë të shkatërrimit në masë. Irani do të prodhojë vetëm armë konvencionale të nevojshme për qëllime mbrojtëse dhe “nuk do të mbajë asnjë negociatë me askënd në këtë drejtim”, tha Ruhani.

Ruhani i kërkoi gjithashtu Shteteve të Bashkuara të ndalnin presionet, sanksionet dhe kërcënimet ndaj Iranit dhe tha se Uashingtoni mban çelësin e marrëdhënieve të tij me Teheranin. “Unë besoj se nuk ka dyshim se SHBA kërkon të krijojë probleme për kombin dhe qeverinë iraniane,” tha shefi ekzekutiv iranian. Ai shtoi se SHBA i ktheu protestat e fundit në Iran në një çështje politike dhe të sigurisë dhe ia referoi atë Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo ishte “disfata e parë e turpshme” e administratës aktuale amerikane, pasi të gjitha vendet në Këshillin e Sigurimit kundërshtuan pretendimet e përfaqësueses së saj, vuri në dukje presidenti iranian.