Përfaqësuesja e BE-së - “Kosova nuk po përparon, ka mbetur në bllokadë”

Publikuar në Shk. 14, 2018, 6:34 p.m.

Përfaqësuesja politike në Zyrën e Bashkimit Evropian, Katerina Lopo, ka deklaruar se BE është e pakënaqur që Kosova nuk po angazhohet në plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave.

Në konferencën “Kosova dhe procesi i liberalizimit të vizave” organizuar nga Qendra Mediale, Lopo ka thënë se Kosova ka mbetur e bllokuar me çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Kosova nuk po përparon, ka mbetur bllokadë demarkacioni dhe luftimi i krimit e korrupsionit”, është shprehur ajo, raporton KTV.

E Jeta Krasniqi nga KDI është shprehur se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe se duhet të ecë përpara në rrugën e procesit të liberalizimit të vizave.

“Kosova ka marrë obligim mbushjen e kritereve për liberalizim të vizave dhe ato duhet të plotësohen. I gjithë ky proces kërkon që të kemi konsensus politik më të madh në vend”, ka deklaruar Krasniqi.

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, ka thënë se nga mos liberalizimi i vizave më së shumti po e pësojnë qytetarët, studentët e bizneset.
Sipas saj, sa më shpejtë duhet të plotësohen kriteret e mbetura në mënyrë që qytetarët të mos mbesin peng.