Duhet ta zhvillojmë vendin, rrisim prodhimet “Made in Kosova”

Publikuar në Shk. 14, 2018, 6:32 p.m.

“I bëmë 10 vjet si shtet dhe është koha që shteti, tregu jonë, të mbushet me prodhime “Made in Kosova”, theksoi presidenti Thaçi.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë në panairin e prodhimeve vendore dhe forumin ekonomik “10-vjetori i Pavarësisë Ekonomike të Kosovës”, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës

Presidenti Thaçi ka thënë se jemi mbledhur në një moment të veçantë, në prag të 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe në këto momente duhet të kujtojmë se ku kemi qenë dhe ku jemi sot, por edhe ku aspirojmë të arrijmë.

Për prodhuesit vendorë, presidenti Thaçi ka thënë se janë ballafaquar me sfida të panumërta, por asnjëherë nuk janë dorëzuar, kanë mbijetuar dhe janë zhvilluar.

“Sot, zhvillimi i Kosovës, sukseset e dekadës sonë të parë, lidhen ngushtë me ju”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i vendit ka shtuar se në dekadën e parë, shteti ynë ka shënuar hapa të rëndësishëm për konsolidimin e shtetësisë, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Presidenti Thaçi ka shtuar se bashkë kanë punuar që të ndërtojnë një platformë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenie qytetare, duke përfshirë të gjitha kërkesat e komunitetit të biznesit.

Ai ka thënë se duh’et të jemi krenarë me të arriturat e Kosovës dhe me të arriturat e deritashme të prodhuesve.