“Plagë që e shkaktova pa e kuptuar”- Papa Françesku

Publikuar në Jan. 25, 2018, 4:53 a.m.

Papa Françesku ka kërkuar falje për deklaratën, që bëri javën e kaluar, kur mbrojti një peshkop i cili akuzohet nga viktimat e abuzimeve seksuale prej priftërinjve se ka mbajtur të fshehura disa çështje të tilla.

“U kërkoj falje të gjithëve nëse i kam lënduar pa e kuptuar këtë, por ishte një plagë që e shkaktova pa e kuptuar”, mësohet të ketë thënë Papa Françesku, sipas Reuters.

Ai po fliste për gazetarët në bordin e avionit, teksa kthehej për në Romë.

Të enjten, Papa tha se viktimat, të cilët kishin akuzuar peshkopin Barros, po kryenin shpifje.

Për këtë çështje, Papa u kritikua hapur nga Kardinali i Bostonit, Sean O’Malley, i cili tha se me këtë deklaratë, Papa Françesku bëri që të gjithë viktimat e abuzimit seksual nga priftërinjtë të ndihen të braktisur.