Reforma në arsimin e Kosovës, ide studentësh nga Vjena e Venediku

Publikuar në Jan. 20, 2018, 7:47 a.m.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti një grup prej 120 studentëve nga Universitetet e Vjenës dhe Venedikut, duke thënë se është respekt i madh për Kosovën që këta studentë janë këtu sot dhe i falënderoi për angazhimin e tyre që po japin për një imazh të mirë për vendin tonë te vendet ku ata jetojnë, njofton kumtesa qeveritare, transmeton Koha.net.

Udhëheqësja e këtij grupi, Marijana Grandits nga Universiteti i Vjenës, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritje, duke theksuar se vizita në Kosovë është mundësi e mirë për t’u njoftuar për situatën këtu, për vizionin dhe planet e kryeministrit Haradinaj për Kosovën. Ajo tha se tash e 15 vjet prej kur vizitojnë Kosovën kanë marrë përshtypje të mira nga njerëzit këtu.

Kryeministri Haradinaj u është përgjigjur studentëve në pyetjet e tyre që kishin të bënin me reformat në arsim, llogaridhënien dhe transparencën e institucioneve, çështjen e liberalizimit të vizave dhe demarkacionin.