Vizitohet Mitrovica, bashkpunim me tetë kryetar të komunave shqiptare

Publikuar në Jan. 20, 2018, 7:45 a.m.

Një delegacion prej tetë kryetarësh  të komunave të tetë qyteteve të Shqipërisë, të gjithë nga radhët e Partisë Demokratike, të kryesuar nga kryetari i Komunës së Kukësit, Bashkim Shehu, vizituan të premten Mitrovicën, me ç’rast janë pritur nga kryetari i Komunës, Agim Bahtiri.

Pasi shprehu kënaqësinë e tij për këtë vizitë, Bahtiri i njoftoi kryetarët e Kukësit, Pogradecit, Lezhës, Përmetit, Kamzës, Burrelit, Matit dhe Selenicës me gjendjen e përgjithshme në Mitrovicë.

Ai u tha mysafirëve nga Shqipëria se falë përkushtimit e maturisë së qytetarëve para së gjithash dhe angazhimit të drejtuesve të Komunës, si dhe të faktorëve tjerë të sigurisë, gjendja në Komunën e Mitrovicës, e cila kishte probleme dhe sfida të jashtëzakonshme që pas përfundimit të luftës, sot është e qetë dhe normale.

Po ashtu edhe mysafirët nga Shqipëria i folën atij për gjendjen në komunave që ata i drejtojnë, duke u shprehur të gatshëm që të bashkëpunojnë dhe binjakëzohen me Komunën e Mitrovicës.