Kili akuzon Papën , kërkojmë vepra e jo vetëm fjalë

Publikuar në Jan. 18, 2018, 3:48 a.m.

Në Kili, Papa Françesku u ka kërkuar falje viktimave të abuzimeve seksuale nga përfaqësuesit e kishës. Por ai ka hasur në reagimin e kritikëve, të cilët kanë deklaruar se është koha që Ati i Shenjtë të kalojë nga fjalët tek veprimet.

Në fjalimin e tij të parë zyrtar në Kili, Papa Françesku ka deklaruar se ndjen “dhimbje dhe turp” për skandalin seksual që ka tronditur Kishën Katolike në këtë vend. Gjithashtu, gjatë fjalimit të tij, ati i shenjtë u ka kërkuar falje viktimave të abuzimeve.

Por në Kili, Papa është kritikuar gjerësisht për vendimin e tij për të emëruar një peshkop të akuzuar se ka mbuluar abuzimet e kryera nga një prift.

 “Kjo nuk mjafton. Ajo që ne kërkojmë nga Papa është që ai të veprojë”, ka thënë Juan Carlos Cruz.

Ata e akuzojnë Papën se shpërfilli kërkesat e tyre për të rishikuar vendimin e tij.

“Ka gjëra konkrete që ai mund të bëjë, si për shembull të largojë priftërinj që janë akuzuar dhe dënuar nga sistemi kilien i drejtësisë, ose ligji kanunor se kanë kryer apo se kanë fshehur abuzimet seksuale”, ka thënë Cruz.