Kosova pritet së shpejti të bëhet me liberalizim të vizave

Publikuar në Jan. 2, 2018, 3:10 a.m.

Ramush Haradinaj kishte premtuar se tre muaj pasi të zgjidhet kryeministër Kosovës do t’i hiqen vizat me Bashkimin Evropian.

Javën tjetër bëhen tre muaj të qeverisë “Haradinaj”, ndërsa vizat për Kosovën ende nuk janë hequr. Gjasat janë që izolimi i vendit të vazhdojë gjatë për shkak të mosmiratimit të Marrëveshjes së Demarkacionit në Kuvend.

“Qeveria e Kosovës e ka përshpejtuar adresimin e çështjes së demarkacionit të kufirit duke lëvizur përpara me veprime konkrete nga pika zero, ku ka stagnuar që nga viti 2014. Liberalizimi i vizave do të ndodhë më shpejt sesa pritjet e pesimistëve”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunikim të kryeministrit Haradinaj për gazetën “Zëri”.

Në anën tjetër, raportuesi i ri i Parlamentit Evropian për Kosovën, Igor Soltes, gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se shpreson ende se Kosova do ta bëjë hapin e madh për vizat, duke e ratifikuar Demarkacionin me Malin e Zi.

Ai ka përsëritur se Komisioni Evropian ishte i qartë kur i vendosi kushtet që çojnë drejt liberalizimit të vizave.