Mesihu - Isai, biri i Merjemes, është vetëm i Dërguar i Allahut

nga Vullnet Merja | Publikuar në Dhj. 27, 2017, 10:30 p.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)

Allahu Fuqiplotë thotë në Kur’anin e Shenjtë: “O ithtarët e Librit! Mos e kaloni kufirin në besimin tuaj dhe për Allahun thoni vetëm të vërtetën! Mesihu - Isai,  biri i Merjemes, është vetëm i Dërguar i Allahut dhe Fjala e Tij, të cilën ia ka dërguar Merjemes, si edhe shpirt (i krijuar) nga Ai. Pra, besojuni Allahut dhe të dërguarve të Tij! Dhe mos thoni: “Tre zota”! Hiqni dorë (nga kjo), se është më mirë për ju! Allahu është vetëm një Zot - qoftë lavdëruar Ai! Ai është shumë i Lartësuar për të pasur fëmijë. E Tij është gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Allahu mjafton për rregullimin e gjithësisë. (Sure “Nisa”, ajeti 171).

Ne besojmë me bindje të plotë e të palëkundur në atë që thotë Allahu në Kur’anin e Shenjtë për Mesihun, Isanë birin e Merjemes (paqja e Allahut qoftë mbi të dhe mbi nënën e tij!). Sipas ajetit, Mesihu, Isai biri i Merjemes, a Jezu Krishti, siç njihet tek të krishterët, ka qenë i dërguari i Allahut: “Mesihu - Isai, i biri i Merjemes, është vetëm i Dërguar i Allahut” Madje, ai është prej profetëve të vendosmërisë së lartë (ulil azmi). Besimi në profetësinë e tij është pjesë e besimit islam. Respektimi dhe nderimi i tij është detyrë islame për muslimanët.

Ne besojmë në profetësinë e Isait (paqja qoftë mbi të!) njëlloj siç besojmë në profetësinë e profetëve të tjerë, nga Ademi e deri te Profeti Muhamed (paqja e Allahut qoftë mbi ta!). Ne nuk bëjmë asnjë dallim mes të Dërguarve të Allahut. Allahu thotë në Kur’anin e Shenjtë: I Dërguari beson në atë (Kur’anin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, melekët e Tij, Librat e Tij dhe të Dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të Dërguarve të Tij”. Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë dhe tek Ti do të kthehemi!” (Sure “Bekare”, ajeti 285).

Profeti Isa dhe nëna e tij e bekuar, Merjemja, bija e Imranit, kanë një pozitë të lartë e të veçantë në Kur’anin e Shenjtë. Në Kur’an gjendet një sure e plotë me emrin e saj që quhet sure “Merjem”. Në Kur’anin e Shenjtë ka edhe shumë ajete që flasin për hazreti Merjemen dhe birin e saj. Ato flasin për jetën e tyre, për moralin e tyre të lartë dhe të qënët e tyre afër Allahut të Madhëruar.

Kur’ani i Shenjtë nuk flet për lindjen e asnjë të dërguari në mënyrë të detajuar, përveçse për lindjen e profetit Isa (paqja qoftë mbi të!). Lindja e tij përmendet në suren “Ali Imran” dhe në suren“Merjem”. Islami nuk e ndalon shfaqjen e gëzimit për ditëlindjen e hazreti Isait (paqja qoftë mbi të!). Islami i ndalon besimtarët që në këtë ditë të shënuar të mos bëjnë vepra, të cilat e zemërojnë Krijuesin dhe të cilat as profeti Isa (Jezu Krishti) nuk do t'i pranonte ato. Përkujtimi i ditëlindjes së profetit Isa (Jezu Krishti paqja qoftë mbi të!) nuk do të thotë të kalosh kohën duke pirë alkool, apo duke ndenjur deri në mëngjes nëpër klubet e natës e në klubet e striptizmit. Të përkujtosh ditëlindjen e profetit Isa (paqja qoftë mbi të!) do të thotë që të bësh llogarinë e vetes tënde për vitin që shkoi dhe të shohësh se sa ke ecur në rrugën e Profetit Isa (Jezu Krishtit). Në këtë ditë të pyetet vetja: Vallë, a i kemi kundërshtuar padrejtësinë dhe të padrejtët? A kemi urdhëruar për të mirë? A kemi ndaluar nga e keqja, ashtu siç vepronte profeti Isai (paqja qoftë mbi të!)? A jemi përpjekur të përhapim paqen, siç veproi profeti Isai (paqja qoftë mbi të!)?

Ajeti i mësipërm u tërheq vëmendjen ithtarëve të Librit, në përgjithësi dhe të krishterëve në veçanti, të mos i tejkalojnë kufijtë në festat e tyre. Ajeti i fton ata që të thonë veçse të vërtetën për Allahun: “…Dhe për Allahun thoni vetëm të vërtetën...!” Islami na urdhëron që të ruajmë personalitetin tonë dhe identitetin tonë. Islami nuk do që të imitojmë të tjerët në çdo fjalë e vepër dhe as të biem pre e zakoneve dhe e traditave të shpikura nga njerëzit, që janë përhapur në mesin e njerëzve këto ditë.

Ç'mësime nxjerrim nga Ajeti?

1. Ajeti na tregon se Isai (paqja qoftë mbi të!) ka qenë njeri si të gjithë njerëzit. Këtë e kuptojmë nga shprehja kur’anore: “...Mesihu - Isai, biri i Merjemes...” Pra, ai u krijua në barkun e së ëmës dhe lindi ashtu siç lindin të gjithë njerëzit. Ai ka pirë gji tek e ëma dhe është rritur dhe edukuar në prehrin e së ëmës. Kjo vërteton se ai kishte të gjitha karakteristikat e njeriut e prandaj ai nuk ishte Zot. Termi “innema”, (që tregon kufizim) e përforcon të qënit e Isait (paqja qoftë mbi të!) biri i Merjemes. Fjala dëshmon se, edhe pse nuk pati baba, nuk do të thotë se babai i tij na qenka Allahu. Por, është biri i Merjemes (paqja qoftë mbi të!)

2. Ai tregon profetësinë e Mesihut (paqja qoftë mbi të!): “...është vetëm i Dërguar i Allahut...” Profetësia e profetit Isa përmendet në 16 vende në Kur’anin e Shenjtë. Allahu e dërgoi atë për të udhëzuar njerëzit. Edhe në Ungjijtë e sotëm, fjala Mesih dëshmon profetësinë e tij dhe se ai u dërgua për udhëzimin e njerëzve. Në një ajet tjetër të Kur’anit sqarohet më së miri profetësia e hazreti Isait (paqja qoftë mbi të!). Ajeti thotë: Kujto, kur Isai, biri i Merjemes, tha: “O bijtë e Izraelit, unë jam i dërguari i Allahut te ju, për t’ju vërtetuar Teuratin, e shpallur para meje dhe për t’ju sjellë lajmin e gëzueshëm për një të dërguar, emri i të cilit është Ahmed, që do të vijë pas meje...”. (Sure “Saf”, ajeti 6)

3. Ajeti sqaron se Isai, Mesihu (paqja qoftë mbi të!) ishte Fjala e Allahut: “...dhe Fjala e Tij, të cilën ia ka dërguar Merjemes...” Kjo do të thotë se profeti Isa (paqja qoftë mbi të!) është krijuar pa baba dhe lindja e tij ka ndodhur jashtë shkaqeve natyrore, pra është mrekulli. Krijimi i tij është me fjalën e Allahut “Bëhu dhe menjëherë bëhet”. Krijimi i tij është i njëjtë me krijimin e profetit Adem (paqja qoftë mbi të!). Në Kur’anin e Shenjtë thuhet: Rasti i Isait për Allahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: “Bëhu!” - dhe ai u bë. (Sure “Ali Imran”, ajeti 59).

4. Ajeti tregon se hazreti Isai (paqja qoftë mbi të!) ishte shpirti i krijuar nga Allahu: “...si dhe shpirt (i krijuar) nga Ai...” Në suren “Enbija”, ajeti 91 Allahu thotë: (Kujtoje) atë që ruajti virgjërinë e saj! Ne frymë brenda saj nga shpirti Ynë dhe i bëmë atë dhe birin e saj mrekulli për gjithë njerëzit.Sa i madh është ky ajet! Ai na sqaron shumë qartë se hazreti Merjemja nuk është martuar kurrë. Ajeti hedh poshtë thëniet dhe pretendimet se hazreti Merjemja ka pasur marrëdhënie me Jusuf Naxharin (zdruktharin). Ajo ka qenë e pastër, e virgjër dhe e bekuar. Këtë e dëshmon Kur'ani i Shenjtë që thotë: Edhe Merjemen, bijën e Imranit, e cila ruajti virgjërinë e saj. Ne frymë brenda saj nga shpirti Ynë (shpirtin e Isait a.s.). Ajo u besoi fjalëve të Zotit të saj dhe librave të Tij e ishte nga të devotshmit. (Sure Tahrim, ajeti 12) Pra, hazreti Isai ishte shpirti i Allahut. Në fund ajeti 91 i sures Enbija dëshmon se hazreti Merjemen dhe birin e saj, Mesihu Allahu i ka bërë mrekulli për njerëzit. Pra, Allahu i Plotfuqishëm e krijoi Isanë njëlloj siç krijoi Ademin. E kjo nxjerr në pah fuqinë absolute të Allahut të Latësuar.

5. Ajeti që u citua në fillim të artikullit, dëshmon domosdoshmërinë e besimit në Zotin Një të Vetëm e të Pashoq dhe në domosdoshmërinë e besimit në të Dërguarit e Tij. Ai na thotë që të largohemi nga triniteti. Ajeti thotë: “…Pra, besojini Allahut dhe të dërguarve të Tij! Dhe mos thoni: “Tre zota”! Hiqni dorë, se është më mirë për ju!...”

Të gjithë të Dërguarit e Allahut (paqja qoftë mbi ta!) kanë ftuar në monoteizëm. Edhe profeti Isai (paqja qoftë mbi të!) ka ftuar në monoteizëm. Ai nuk i ka ftuar kurrë njerëzit të adhuronin atë. Allahu thotë në Kur'an: Pastaj (në Ditën e Gjykimit) Allahu do të thotë: “O Isa, i biri i Merjemes! Ti ishe ai që u the njerëzve: “Adhuromëni mua dhe nënën time si zota krahas Allahut”?! Isai do të thotë: “Qofsh i Lartësuar dhe i Lavdëruar! Mua nuk më takon të them diçka, për të cilën nuk kam aspak të drejtë. Po ta kisha thënë ndonjëherë, Ti me siguri do ta dije. Ti e di çfarë ka në shpirtin tim, po unë nuk e di çfarë ka në Veten Tënde. Vetëm Ti i di të gjitha të fshehtat.” (Sure “Maide”, ajeti 116).

Isai (paqja qoftë mbi të!) ftonte në adhurimin e Allahut, Krijuesit të gjithësisë, i Cili është i Plotfuqishëm, i Vetëmjaftueshëm, nuk është i lindur nga askush dhe nuk ka lindur askënd: “...Allahu është vetëm një Zot - qoftë lavdëruar Ai! Ai është tepër i lartësuar për të pasur fëmijë. E Tij është gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Allahu mjafton për rregullimin e gjithësisë.” (Sure “Nisa”, ajeti 171).

Kur’ani i Shenjtë gjithmonë fton për monoteizëm, për dialog të qetë dhe të bazuar në argumente, për bashkëpunim me mirësi e devotshmëri. Në një ajet të Kur’anit, Allahu i Madhëruar e porosit të Dërguarin e Tij, Profetin Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): Thuaj: “O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush - se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij askënd e asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta mbajmë për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut!” Nëse ata nuk pranojnë, atëherë, thuaju: “Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar Allahut!” (Sure “Ali Imran”, ajeti 64). S’ka dyshim se ky është një mësim i përjetshëm.

Prandaj, për Mesihun, Isanë birin e Merjemes (paqja qoftë mbi të dhe mbi nënën e tij!), ne u përgjigjemi të tjerëve me Fjalën e Allahut të Madhëruar: “Ai (Isai në djep) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zekat sa të jem gjallë dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm. Le të jetë paqja e beikimi mbi mua, ditën që kam lindur, ditën që do të vdes dhe ditën që do të ringjallem! Ky është Isai, i biri i Merjemes. Kjo është fjala e vërtetë, për të cilën ata dyshojnë dhe diskutojnë. Allahu nuk ka mbetur të marrë dikë për bir. Qoftë i Lavdëruar Ai! Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të “Bëhu!” dhe ajo bëhet. (Sure “Merjem”, ajetet 31 – 35)

Ne si myslimanë e përkujtojmë ditëlindjen e profetit Isa (paqja qoftë mbi të!), ashtu siç e meriton të përkujtohet. Ne e përkujtojmë këtë profet të madh duke lexuar ajetet e Kur’anit që flasin rreth tij dhe nënës së tij të bekuar. Ne e përkujtojmë atë duke nxjerrë mësime që na bëjnë të lumtur, si në këtë jetë ashtu edhe në Jetën Tjetër. Kështu duhet ta përkujtojnë edhe besimtarët e krishterë, larg risive dhe zakoneve që ia ulin vlerat kësaj dite të begatë.

THËNIE NGA PROFETI ISA (PAQJA QOFTË MBI TË!)

Profeti Isai (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Turp të keni o ju që e adhuroni këtë botë! As nuk mendoni si zotëruesit e urtësisë, as nuk kuptoni si të mençurit, as nuk dini si dijetarët, as nuk jeni si ata që ruhen prej të këqijave dhe as nuk u përngjani njerëzve të lirë e me vlerë. Nuk do të kalojë shumë dhe bota do t'ju gërmojë nga rrënja dhe do të shtriheni me shpinë në tokë. Pastaj, mëkatet tuaja do t’ju tërheqin zvarrë për flokësh, nga mbrapa do t’ju shtyjë dituria që nuk e keni shfrytëzuar dhe do t’’ju dorëzojë lakuriq dhe të vetmuar te Sunduesi, që do t’ju ndëshkojë. Ai do t’ju ndëshkojë për veprat e këqija.” (Tuhful Ukul, faqe 502)

Profeti Isai (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “…Për të pasur shijen e grurit dhe për të qenë i tretshëm, ju e pastroni dhe e bluani atë. Për ta ndier shijen e besimit (imanit) dhe për pasur dobi prej tij, duhet ta pastroni atë.” (Tuhful Ukul, faqe 503)

Profeti Isai (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Turp të keni o dijetarë të këqij! Mos mendoni se nuk do të vijë te ju vdekja. Nëse është shtyrë përkohësisht, vdekja është aq e afërt, saqë ka mbërritur dhe ju po ecni drejt saj. Prandaj, vendosni që tani thirrjen e vërtetë në veshët tuaj! Vajtoni për gjendjen tuaj dhe për mëkatet tuaja! Përgatitni të nevojshmen dhe kthehuni tek Allahu duke u penduar!” (Tuhful Ukul, faqe 510)

Profeti Isai (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Turp të keni o rob të këqij! Si mund të shpresoni në sigurinë prej frikës së Allahut Ditën e Gjykimit, kur ju frikësoheni nga njerëzit. Çfarë është më e keqja, ju u nënshtroheni njerëzve dhe i përmbushni premtimet e tyre që janë në kundërshtim me premtimet e Allahut.” (Tuhful Ukul, faqe 511)

Profeti Isai (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “…Nëse dëshironi të bëheni miq dhe rob të zgjedhur të Allahut, bëjini mirë atij që ju bën keq, hiqni dorë prej fajit të të padrejtit dhe përshëndeteni atë që ju kthen fytyrën! Dëgjojeni fjalën time, ruajeni amanetin tim dhe respektojini këshillat e mia se kështu mund të bëheni njohës dhe të ditur të fesë.” (Tuhful Ukul, faqe 509)

Profeti Isai (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “O Bijtë e Israelit! Të folurit e paktë është urtësi e madhe. Prandaj heshtni! Heshtja është një rehati e bukur. Ajo lehtëson mëkatet dhe i pakëson gabimet. Forcojeni derën e diturisë! Dera e diturisë është durimi…” (Tuhful Ukul, faqe 509)

Profeti Isai (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “O robtë e kësaj bote! Për t’u treguar si asketë, ju e ruani kokën tuaj, i shkurtoni këmishët tuaja dhe i ulni kokat.  Por xhelozinë dhe lakminë nuk e nxirrni dot nga zemrat tuaja. O robtë e kësaj bote! Ju u përngjani varrezave të lyera me allçi, që të mahnisin kur i shikon nga jashtë, ndërsa brenda tyre gjenden eshtrat e mbushura plot me mëkate.” (Tuhful Ukul, faqe 503)

Profeti Isai (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Lum për ata që janë të mëshirshëm! Ata do ta arrijnë mëshirën e Allahut në Ditën e Gjykimit. Lum për ata që i përmirësojnë marrëdhëniet ndërmjet njerëzve! Ata do të jenë afër Allahut në Ditën e Gjykimit. Lum për ata që i kanë zemrat të pastra! Ata do ta arrijnë mirësinë e Allahut në Ditën e Gjykimit.” (Tuhful Ukul, faqe 503)

Në këtë ditë t’i lutemi Allahut që të jemi adhurues të sinqertë të Tij, ashtu siç ishte hazreti Isai dhe nëna e tij e bekuar Merjemja (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi ata të dy!). Të jemi përkrahës të nevojtarëve, të të shtypurve e të të privuarve. Kundërshtues të padrejtësisë dhe të padrejtëve. Duhet që gëzimi i kësaj dite të jetë përgjatë gjithë vitit dhe jo vetëm për një natë dhe një ditë. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Çdo ditë që nuk i bëhet mëkt Allahut, ajo është festë.”

Allahu na bëftë që të jemi në rrugën e profetëve në këtë jetë dhe na bashkoftë me ata në Jetën Tjetër!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI