Udhëpërshkrimi nga Haxhi (Pjesa e dymbëdhjetë)

nga Faik Miftari | Publikuar në Dhj. 24, 2017, 12:51 a.m.

15 shtator - ditë e premte

Sot ishte dita e xhumasë, pata rast që pos faljes së namazit të xhumasë në Qabe në Meke, të fal edhe një namaz të xhumasë në xhaminë e pejgamberit tonë të dashur, Muhamedit a.s. Për dallim prej ditëve të kaluara në Medine, sot ishte një ditë e veçantë  veçantë, pasi që një orë më parë xhamia ishte mbushur  plot. Mezi  gjeta një vend të lirë në oborr të xhamisë, nën çadrat, të cilët bënin hije ashtu që  namazi i xhumasë kaloi shumë bukur. Pas namazit të xhumasë u ktheva në hotel që të përfundojë së lexuari librin e dytë që e kisha në përfundim të sipër, krahas librit të parë dhe doracakut të botuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, “Haxhi dhe Umreja”(të cilin e lexova dy herë). Gjatë qëndrimit në haxh lexova gjithsejtë  dy libra dhe doracakun në fjalë, ashtu që të mos huq standardin e një lexuesi evropian i cili në vit lexon 25-30 libra, që mesatarisht i bie 2-2,5 libra në muaj. Namazin e ikindisë sot për herë të parë e fala në katin e dytë të xhamisë, në ambientin e hapur të xhamisë, nga e cila dukej  pamja impozante e haremit(oborrit) të xhamisë. Pas kësaj u ktheva në hotel në ora 17.oo në të cilin pash 5 autobus të parkuar para hotelit të cilët do të transportojnë grupin e parë  prej 216 haxhinjëve(të Prishtinës) që në mbrëmje do të udhëtojnë nga aeroporti i Medinës drejt aeroportit të Prishtinës. Pasi që i përcollëm në mbrëmje haxhinjët e Prishtinës, në dhomë iu përvesha punës së paketimit të bakshisheve (dhuratave) për familjarët, miqtë, shokë, koleg, xhemat. Për të mos tejkaluar peshën e paraparë prej 25 kg një haxhi e kishte marrë peshojën me vete, e cila na shërbeu shumë për të matur përafërsisht peshën,  pa pasur telashe eventuale në aeroport gjatë matjes së valixheve.

16 shtator- ditë e shtunë

Më në fund, erdhi dita e kthimit tonë në Kosovën tonë të dashur dhe qytetin tonë të bukur të Prizrenit, pas 26 ditë qëndrimi në Meke dhe Medine me ç’rast e kryem haxhin, njërin prej sharteve(kushteve) të fesë Islame. Qysh herët në mëngjes, në ora 7.oo ishin parkuar 5 autobusët para hotelit, të cilët do të transportojnë grupin e dytë prej 216 haxhinjëve  nga Prizreni, Dragashi dhe Fushë Kosova drejt aeroportit ndërkombëtar të Medinës. Pasi hëngrëm kafjall dhe i vendosëm valixhet në autobus,  në ora 10.oo u nisëm drejt aeroportit të Medinës, pas së cilës do të fluturojmë për  Kosovë, drejt aeroportit të kryeqytetin tonë, “Adem Jashari” në Prishtinë. Pas procedurave të kontrollit të pasaportave, nga ana e policisë kufitare dhe dorëzimit të valixheve në bagazh, patëm fat që nuk na bënë probleme në aeroport me valixhet edhe pse ka pas tejkalime në sasinë e peshës së lejuar prej 30 kg. Njashtu para se të hipnim  në aeroplan nga zyrtarët e aeroportit ndërkombëtar të Medinës çdo haxhiu iu dhurua nga një Kur’an në gjuhën arabe për kujtim nga Haxhi i kryer. Saktësisht në ora 17.oo aeroplani i kompanisë turke ”Atlasjet” fluturoi  nga aeroporti ndërkombëtar i Medinës drejt  aeroportit të Prishtinës. Udhëtimi zgjati 3 orë e gjysmë dhe saktësisht në ora 19.30 aeroplani me 216 haxhinjë nga  Prizreni, Dragashi dhe Fushë Kosova ateroi në aeroportin e Prishtinë. Pas kontrollit të pasaportave nga policët kufitar të aeroportit, i morëm valixhet të cilët fare  nuk u kontrolluan nga doganierët, u nisëm drejt daljes së aeroportit, në të cilin ishin grumbulluar me qindra familjar, miqtë e shokë, të cilët prisnin të afërmit e tyre që sapo ktheheshin nga Haxhi. Ishte një pamje impozante dhe shumë mbresëlënëse.  2 autobusët të kompanisë turistike”Atmaxha” na pritnin në aeroportin e Prishtinës, dhe pasi erdhën të gjithë haxhinjë, u nisëm drejt Prizrenit. Në ora 22.oo arritëm në Prizren  pas 27 ditësh të kaluara në Haxh, me ç’rast u nisëm me 20 gusht në ora 22.oo dhe u kthyem me 16 shtator në ora 22.oo në vendin e njëjtë në Prizren. Takimi me familjarët ishte i veçantë,  fëmijët ishin përmalluar shumë për babanë e tyre, pas 27 ditë mungese prej tyre. Në mbrëmje u takova me familjarët më të afërt, vëllezërit, motrat dhe familjarët tjerë që kishin ardhur për të më  takuar, pas një kohe i përcolla  familjarët , dhe rashë në gjumë pas një dite të lodhshme, por të lumtur, pasi që shyqyr Zotit u kthyem shëndosh e mirë,  inshallah Allahu na ka pranuar haxhin(haxh mebrur). Të nesërmen e hapa konakun për tre ditë me radhë, ashtu siç  është adet dhe zakon në qytetin tonë me rastin e kthimit të haxhiut nga haxhi, me ç’rast  gjatë këtyre ditëve erdhën familjarët, akraba, miqtë, shokë, xhematlinjë, koleg, të shumtë për të  uruar kthimin  dhe kryerjen e haxhit.  Për të gjithë ata që erdhën, e nuk ishin pak, por disa qindra, i shërbyem  me ujë zemzemi dhe hurma enkas të sjellur nga Qabeja,  dhe të gjithë ata i përcjellnim me nga një dhuratë sipas dëshirës  së tyre,  qoftë  ajo një tespih, kapelë, parfymë, sexhade, unazë, etj. për kujtim nga haxhiu i  sapoardhur nga Qabeja.

                                                                                                         F U N D