Kudsi (Jeruzalemi) në mendimin e İmam Khomeinit

nga Vullnet Merja | Publikuar në Dhj. 21, 2017, 12:05 a.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu! 

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: Atyre që janë sulmuar, u lejohet (që të mbrohen), sepse u është bërë padrejtësi dhe, në të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm, që t’i ndihmojë. Ata, që janë dëbuar nga vatrat e tyre padrejtësisht, vetëm sepse thanë: “Zoti ynë është Allahu.” Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njëri-tjetri, do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut. Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm. (ure “Haxh”, ajetet 39-40)

Për muslimanët ka shenjtëri dhe të gjithë janë të një mendimi për nga rëndësia dhe pozita e lartë e tyre. Ato shenjtëri janë njerëz, vende, trashëgimi dhe Libër qiellorë. Kuptimi i diçkaje të shenjtë është se Allahu e shenjtëron e bekon dhe e bën të dobishme për njerëzit.

Vendet e shenjta në Islam janë Qabeja, për të cilën Allahu thotë: “Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 97). Po ashtu edhe Xhamia e  Profetit në Medine, Mesxhidul Aksa në Palestinën e pushtuar,  Xhamia e Kufes në Irak si dhe të gjitha xhamitë e ndërtuara me qëllim adhurimin e Allahut të Vetëm e të Pashoq.

Prej vendeve të shenjta, që ka një pozitë të lartë te muslimanët, është Bejtul Makdes, që është vend i bekuar dhe ndodhet në mesin e Kudsit (Jeruzalemit). Bejtul Makdes është kibleja e parë e muslimanëve. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi famijen e tij!) është falur në drejtim të Bejtul Makdes 13 vjet kur ishte në Mekë. Pas emigrimit në Medine Allahu e urdhëroi për ndryshimin e Kibles në drejtim të Qabes së Shenjtë. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne të pamë ty (Muhamed) që vazhdimisht drejtoje shikimin nga qielli. Mirë pra, Ne do të të kthejmë ty nga kibla që të kënaq ty. Prandaj, ktheje fytyrën tënde nga Xhamia e Shenjtë (Qabeja)…” (Sure “Bekare”, ajeti 144)

Bejtul Makdes është vendi nga i cili Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) u ngjit në qiell. Kështu që Bejtul Makdes është vend i shenjtë te të gjithë muslimanët, pa përjashtim.

Është detyra jonë që t’i respektojmë dhe t’i ruajmë ato shenjtëri nga çdo përdhosje, pushtim apo mizori. Pra, mbrojtja e Kudsit dhe e Palestinës është detyrë e të gjithë muslimanëve.

Kudsi është prej simboleve të Allahut në tokë. Nderimi, respektimi, mbrojtja dhe madhërimi i tij tregon devotshmërinë, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kur'an: ...kush madhëron simbolet e Allahut, tregon devotshmërinë e zemrës së tij.(Sure “Haxh”, ajeti 32)

Qyteti i Kudsit është 750 metra mbi nivelin e detit Mesdhe dhe 1150 metra mbi nivelin e Detit të Vdekur. Ai rrethohet nga pesë male. Në të gjenden katër lugina. Qyteti është 52 km larg nga deti Mesdhe, 22 km nga Deti i Vdekur, 252 km nga Deti i Kuq, 88 km nga Omani, 388 km nga Bejruti dhe 290 km nga Damasku. Sipas statistikave të muajit dhjetor, 2007 qyteti i Kudsit numëronte 747600 banorë. 

Qyteti është ndërtuar në mijëvjeçarin e katërt p.e.r. nga Kena’nët (emri i vjetër i popullsisë palestineze). Ai është zgjeruar dhe rindërtuar disa herë gjatë historisë, duke filluar në kohën e profetit Sulejman, në kohën e halifit të dytë, Umer ibn Hatab, në kohën e Mervan ibn Hakemit (viti 72 i hixhrit), në kohën e halifit të shtatë, Fatimij (viti 425 i hixhrit), në kohën e memalikëve (viti 651 i hixhrit), në kohën e sulltan Kanunijit (viti 1542 gregorian).

Kudsi përmendet edhe në Kur’anin e Shenjtë, në suren “Isra”, ajeti 1: I lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhammedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (të Jeruzalemit), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona. Ai, me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë.” Në këtë ajet përmendet një prej mrekullive madhështore për profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), që është ngritja në qiell (Israja dhe Miraxhi) nga ky vend i shenjtë.

Të shumtë janë personalitetet e larta islame dhe joislame, të cilët kanë shkruar, kanë folur e kanë përkrahur dhe e përkrahin çështjen e Palestinës në përgjithësi dhe atë të Kudsit (Jeruzalemit) në veçanti. Ndër ata personalitete është edhe imam Khomeini (Allahu qoftë i kënaqur me të!).

Xhamia El Aksa, Kudsi dhe e gjithë Palestina e pushtuar, zinin një vend të veçantë në mendjen dhe ndërgjegjen e Imam Khomeinit (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Ai e caktoi xhumanë e fundit të muajit të Ramazanit si Dita Botërore e Kudsit. Ai dha fetvanë që khumsi (një e pesta) dhe zeqati t’u jepen rezistencës palestineze. Ai ka folur vazhdimisht rreth rëndësisë së Kudsit dhe domosdoshmërisë së çlirimit të tij nga okupatorët cionistë. Ai është themeluesi i Republikës Islamike të Iranit, e cila e ka mbështetur, e ka mbrojtur dhe e ka përkrahur çështjen e Palestinës

Imam Khomeini (ra) gjithmonë e ka konsideruar Kudsin simbolin dhe themelin ei çështjes palestineze. Ai thotë se po i bëhet një padrejtësi e madhe njërit prej vendeve të shenjta të muslimanëve, të arabëve, të krishterëve dhe të njerëzve të lirë në mbarë botën, e ky është Kudsi (Jeruzalemi), që është vatra e të Dërguarve, vendi i zbritjes së Shpalljeve hujnore dhe vendi i të dashurve të Allahut dhe i punëmirëve që nga profeti Adem (paqja qoftë mbi të!). Ajo që i është bërë dhe po i bëhet Kudsit është padrejtësia më e errët dhe më e shëmtuar mbi tokë përgjatë gjithë kohëve.

Imam Khomeini (ra) ka thënë: Kudsi është boshti i konfliktit mes të vërtetës dhe të pavërtetës, të drejtës dhe të padrejtës, mes të mirëve dhe të këqinjve, mes lirisë dhe skllavërisë, mes okupatorit dhe të shtypurit. Ai nuk është çështje individuale e as e veçantë për Palestinën dhe palestinezët, por i përket të gjithë monoteistëve. Ai është vendi në të cilin njeriun arrin në botën e përsosmërisë. Për këtë, ai ishte stacioni i Miraxhit të Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) drejt qiellit.

Imam Khomeini (ra) përmend shkaqet e gjendjes së mjerë të Kudsit e të Palestinës. Për këtë ai ka thënë: Çështja e Palestinës është boshti i të gjitha çështjeve. Palestina është zemra e ummetit dhe Kudsi është zemra e Palestinës. Po të mos ishte dobësia dhe pëçarja në mesin e muslimanëve, jahudinjtë e dëbuar, e të paktë në numër, nuk do të arrinin të thurnin intriga kundër umetit islam.

Nga ana tjetër imam Khomeini (ra) fajëson udhëheqësit e vendeve islame për gjithçka që ka ndodhur dhe ndodh në Palestinë. Ai ka thënë: “Sikur udhëheqësit e vendeve islame të ishin përfaqësues të vërtetë të popullit, të ishin besimtarë në dispozitat e Islamit dhe zbatues të tyre, t’i linin me një anë mosmarrëveshjet e vockla, t’i largonin duart e tyre nga ndarja dhe përçarja, të ishin të bashkuar mes tyre, jahudinjtë e ligë nuk do të arrinin të bënin të gjitha këto bëma sado që të ishte përkrahja e tyre nga fuqitë e mëdha.

Ai ka thënë: “S’ka dyshim se mosmarrëveshjet mes muslimanëve janë shkaku i pranisë së cionistëve në Palestinë. Ato mosmarrëveshje i dhanë mundësinë e forcimit të cionistëve. Duhet të them se armiqtë e Islamit janë njerëz të veprës e jo të fjalëve. Kurse muslimanët janë njerëz të fjalëve dhe jo të veprave....

Imam Khomeini (ra) ka thënë: Është detyrë e të gjitha vendeve islame që t’i mbrojnë me të gjitha forcat e tyre qëllimet e palestinezëve dhe të mbrojnë lëvizjet çlirimtare kudo që janë në botë.

Imam Khomeini (ra) ka thënë: Duhet që popujt muslimaë të mendojnë për shpëtimin e Palestinës dhe t'ia qartësojnë botës zemërimin dhe kundërshtimin e tyre ndaj padrejtësisë  që po i bëhet Palestinës, palestinezëve dhe vendeve të shenjta në të.

Imam Khomeini (ra) ka thënë: Është e dhimbshme që në kohën e sotme një grup njerëzish okupatorë e shtypës të guxojnë e të përdhosin vendin e shenjtë të Allahut e të Dërguarit e Tij në sytë të muslimanëve, të cilët zotërojnë mundësi materiale dhe shpirtërore. Është turp për shtetet islame që mbajnë qëndrimin e spektatorit në kohën që dhunohet një nga të shenjtat e muslimanëve dhe kibleja e parë e tyre. Është e turpshme heshtja ndaj këtyre të këqijave të mëdha.

Për të rinjtë palestinez imam Khomeini (ra) ka thënë: A nuk e turpshme për muslimanët që të mos e shfaqin dhembshurinë e tyre e as të mos e dëgjojnë thirrjen e të rinjve fisnikë palestinez të shtypur, gjaku i të cilëve ka lyer dhe lyen muret e Xhamisë Aksa...?!"

Imam Khomeini (ra) ka thënë: Përshëndetje për Kudsin, për Xhaminë Al Aksa! Përshëndetje për popujt revolucionarë përballë së keqes! Përshëndetje muslimanëve dhe të shtypurve në mbarë botën!

Imam Khomeini (ra) ka thënë:  Vëllezërit sunni dhe vëllezërit shiia kanë detyrë të ruhen shumë nga çdo kontradiktë. Në kohën e sotme kontradiktat mes nesh janë vetëm në interesë të atyre që nuk besojnë as në medh’hebin shiit, as në medh’hebin hanefij e as në medh’hebet e grupeve të tjera. Është detyrë e të gjithëve që të kemi vëmendjen në këtë kuptim, sepse të gjithë ne jemi myslimanë, të gjithë besojmë në Kur’ànin dhe në Njëtimin, prandaj duhet të punojmë shumë për Kur’ànin e për Njëtimin dhe të jemi në shërbim të tyre.

Imam Khomeini (ra) ka thënë: Në ditët e sotme detyra e të gjithë myslimanëve në të gjitha vendet e botës, është që ata të bashkohen ndërmjet tyre dhe jo të qëndrojë njëri grup këtu e të këmbëngulë në të veten dhe një grup në një vend tjetër duke këmbënguluar edhe ky në të veten. Nëse myslimanët do të grinden njëri me tjetrin, kjo do të çojë në dështim, do të bëjë që idenditeti i tyre të shuhet, qoftë si persona qoftë si popuj. Këto janë urdhërat e Allahut. Ata që pretendojnë Islamin dhe njëkohësisht nxitojnë të mbjellin përçarje e grindje, ata as nuk e kanë gjetur atë Islam, libri i të cilit është Kur’àni, kibleja e të cilit është Qabeja dhe ata as nuk kanë besuar në Islamin. Ata që kanë besuar në Islamin, janë ata që pranojnë Kur’ànin dhe mbrendinë e Kur’ànit, i cili thotë «besimtarët janë vëllezër», prandaj le t’i përmbahen vllazërisë, e cila presupozon që të preferohen të gjithë vëllezërit kudo qofshin ata, kur mbi ju shkakton  dhimbje për ndonjë problem, gjithashtu të gëzoheni të gjithë për gëzimin tuaj.

Imam Khomeini (ra) ka thënë: Lus Krijuesin e Lartësuar që ta ndihmojë popullin vëlla palestinez që ai të mposhtë të gjitha vështirësitë që ka. Ne jemi vëllëzërit e tyre. Gjithmonë e kam theksuar Palestinën në fjalimet e në librat e mia. E kam theksuar qysh me fillimin e kësaj ngritjeje para 15 vjetëve, kam theksuar edhe krimet që bëhen në Palestinë. Ne jemi përkrah jush dhe shpresoj se do të mund të ballafaqohemi me të gjitha problemet si vëllezër njeri me tjetrin. E lus Allahun e lartësuar që ta bëjë realitet madhështinë e Islamit e të myslimanëve dhe rikthimin e Kudsit në dorën e vëllezërve tanë. E lus Allahun dhe me lejen e Tij, të na mbarësojë që të shkojmë në Kuds e të falim namazin në të.

S'ka dyshim se pas vështirësisë vjen lehtësimi. Pas përpjekjeve dhe sakrificave vjen triumfi. Allahu i Madhëruar thotë: O ju që keni besuar, nëse e ndihmoni Allahun (fenë e Allahut, simbolet e Allahut), edhe Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja.

Vërtet, ndihma dhe trumfi vijnë nga Allahu i Plotfuqishëm i Cili thotë: Ai do t’ju falë edhe dhunti të tjera që, i dëshironi: ndihmën e Tij dhe një fitore të afërt! Prandaj, gëzoji besimtarët.

Me lejen e Allahut do të vijë dita që edhe populli fisnik palestinez si dhe të gjithë muslimanët do të marrin lajmin e gëzuar për Kudsin e Bekuar.

 

 

 

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI