Bajgora -“Gjykimi është bërë më tepër një propagandë mediatike”

Publikuar në Dhj. 16, 2017, 12:59 a.m.

Kryeimami i BIK-ut, Sabri Bajgora, ua ka bërë sot ekspertizën ligjëratave të imamit Enes Goga,me të cilat Prokuroria konsideron se është nxitur urrejtje. Bajgora duke komentuar përmendjen e "kryqit dhe bajrakut" nga Goga ka thënë se në islam lejohen interpretime nga njohësit e Kuranit. Ai madje i ka marrë në mbrojtje imamët duke thënë se ata po akuzohen për shkak të propagandës mediale. Por para se ta mbyllë dëshminë e tij në gjykatë, Sabri Bajgora e quajti dukuri të shëmtuar homoseksualizmin.

Ka dhënë dëshminë e tij në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kryeimami i BIK-ut Sabri Bajgora. Gjatë rrëfimit të tij në gjykimin e imamëve të akuzuar për terrorizëm dhe të politikanit që pretendohet se bëri thirrje për rezistencë, në pyetjet e mbrojtjes, prokurorit dhe të akuzuarve, Bajgora ka pranuar se Bashkësia Islame e Kosovës asnjëherë nuk ka marrë masë disiplinore ndaj hoxhës nga Peja Enes Goga, i akuzuar për “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Ai ka konfirmuar se edhe pasi është parë CD-ja, Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka marrë asnjë masë ndaj imamit Goga, duke arsyetuar se nuk ka pasur asnjë vërejtje ndaj të akuzuarit për terrorizëm. 

 “Po gjykohen për një rast i cili ndoshta mund të hyjë në sferën e lirisë së shprehjes, andaj kërkoj nga trupi gjykues që të ketë në konsideratë edhe instruksionet e BIK-ut, sepse ekziston një bindje që në lidhje me disa aktakuza është bërë më tepër një propagandë mediatike”, ka thënë Bajgora. 

“Nëse vërtetohet e kundërta [e aktakuzave], ne shpresojmë të paktën një kërkimfalje publike edhe për BIK-un dhe familjet e tyre”, ka bërë thirrje kryemimami i Kosovës.

Gjatë kohës sa ndodhej përballë gjyqtarëve, Sabri Bajgora i ka quajtur dukuri të shëmtuar pjesëtarët e komunitetit LGBTI, pasi avokati i Mazllam Mazllamit ka kërkuar mendimin e tij për këtë grup.