Mbështetje e plotë nga ana e Iranit, kundër veprimit të papërgjegjshëm të Trump

Publikuar në Dhj. 15, 2017, 2:57 a.m.

Garda Revolucionare Islamike ofroi “mbështetjen e plotë” të Iranit për militantët palestinezë, në fushatën e tyre të rezistencës kundër vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të njohur Jerusalemin kryeqytet të Izraelit.

Irani ka kritikuar ashpër vendimin e Trumpit për Jerusalemin dhe ka kërcënuar me pasoja. Presidenti iranian, Hassan Rohani, ka thënë se qyteti i shenjtë është “më shumë sesa thjesht politikë”.

Vendimi i Trumpit ka shkaktuar protesta të myslimanëve gjithandej në botë, në mbështetje të palestinezëve, të cilët e duan Jerusalemin Lindor kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.

Trump ka thënë se njeh vetëm “realitetin” e vendimit të Izraelit, vite më parë, për të aneksuar Jerusalemin Lindor dhe për ta shpallur gjithë qytetin si kryeqytet të tij. Ky vendim, megjithatë, nuk është njohur më parë nga Shtetet e Bashkuara dhe vazhdon të refuzohet nga shumica e vendeve të tjera.

Më 11 dhjetor, grupi militant Hezbollahu, aleat i Iranit në Liban, i cili ka bërë luftë me Izraelin në vitin 2006, ka organizuar një protestë në Bejrut, në të cilën dhjetëra-mijëra njerëz kanë thirrur “vdekje Amerikës” dhe “vdekje Izraelit”.