BIK dëshmon në gjykimin e të akuzuarve për terrorizëm

Publikuar në Dhj. 15, 2017, 2:35 a.m.

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora, pritet të dëshmojë sot në gjykimin e Fuad Ramiqit dhe katër imamëve tjerë, Bedri Robajt, Idriz Bilibanit, Enes Gogës dhe Mazllam Mazllamit, të cilët po akuzohen për vepra që lidhen me terrorizëm dhe thirrje për rezistencë

Propozimin për dëgjimin e kryeimamit të Bashkësisë Islame të Kosovës e kishte bërë avokati i Enes Gogës, Durim Osmani, i cili kishte kërkuar që Bajgora të dëshmojë në lidhje me një provë të lexuar nga prokurori.

Kjo provë ka të bëjë me një përgjigje të Bashkësisë Islame të Kosovës drejtuar Prokurorisë Speciale në lidhje me video-incizimin e ligjëratës së mbajtur nga kryeimami i Pejës, Enes Goga.

Sipas përgjigjes së BIK-ut, gjatë ligjëratës së tij kryeimami Goga kishe cituar një thënie të Muhamedit e cila flet për çlirimin e Kostandinopojës, por që sipas kësaj letër-përgjigjeje në atë thënie Muhamedi asnjëherë nuk përmend fjalët shpatë, dhunë apo gjakderdhje.

Gjithnjë sipas përgjigjes së BIK-ut drejtuar Prokurorisë Speciale, fjalët e përmendura nga kryeimami Enes Goga gjatë ligjëratës kanë qenë vetëm mendime personale të tij.
BIK-u në letër ka thënë se metodologjia islame e ligjërimit bëhet me urtësi e nuk mbjell urrejtje, ashtu siç, sipas letrës, kishte bërë Enes Goga.

Sipas aktakuzës, Bedri Robaj që nga viti 2012 e deri në gusht të vitit 2014 në Prishtinë, në xhaminë e improvizuar te “Termokosi”, ku ka shërbyer si imam, gjatë predikimeve dhe ligjëratave private ka mbështetur xhihadin-shehidllëkun në Siri.

“Xhamia” te “Termokosi” ka vepruar jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame të Kosovës.