Udhëpërshkrimi nga Haxhi (Pjesa e dhjetë)

nga Faik Miftari | Publikuar në Dhj. 10, 2017, 3:06 a.m.

Vizita  xhamisë së Muhamedit a. s. në Medine para ose pas kryerjes së haxhit është synet(e prefruar),  cila ka bazë në fikun(jurispudencën) islame nga thënia profetike e të dërguarit tonë të dashur:”Nuk merret rrugë për të vizituar asnjë xhami tjetër veçse për të vizituar tri xhamitë: Mesxhid-ul Haremin(Qabenë në Meke), xhaminë time(në Medine) dhe Mesxhidin Aksanë(në Jerusalem)”.  Qëndrimi në Medine ishte relaksues, dhe me mjaft kohë  të lirë, pasi përveç namazeve  ditore në xhamin e pejgamberit, nuk kishim ndonjë angazhim tjetër shtesë, ashtu  që  e shfrytëzova rastin  të vizitojë  gjatë ditës qytetin e Medinës. Medina për dallim nga Mekja ishte qytet më i bukur, më i pastër, më i qetë, më i rregulluar në aspektin urban,  frekuentimi dhe lëvizja nëpër qytet ishte më e lehtë, në saje  të fluksit më të vogël të haxhinjëve që gjenden në Medine kundrejt  asaj  në Meke. Të gjitha hotelet që ishin rreth xhamisë ishin të ndërtuar me  plan urban dhe të gjitha ishin 15 katëshe, përkundër Mekës në të cilën hotelet ishin 20-30 katëshe. Kishte dyqane të shumta,  të furnizuara  me plot mallra dhe  ishin të rregulluar bukur dhe  të ndërtuara në stile të ndryshme. Kishte qendra tregtare shumë të mëdha dhe bashkëkohore me markat më të njohura  të artikujve të ndryshme  me renome botërore.  Në periferi të Medinës  ishte duke u ndërtuar një kompleks gjigant tregtar dhe banesor  i cili përfshinte me dhjetëra mijëra hektar në të cilin do të përqendrohet Medina e re. Gjatë kohës së qëndrimit në Medine kryhet shopingu i paparë i haxhinjëve, me ç’rast harxhohen me qindra milion dollar në  tregti, pasi që çdo haxhi që kthehet në vendin prej nga vjen  blen ndonjë bakshish (dhuratë) për familjen, të afërmit, miqtë dhe shokë. Në Medine zhvillohet një tregti e madhe nga të cilët bizneset e shumta vendore fitojnë një fitim goxha i madh gjatë tërë vitit, ndërsa fitimin më të madh e arrijnë gjatë kohës së haxhit, falë fluksit  të madh të haxhinjëve që  e vizitojnë  edhe qytetin e Medinës, krahas Mekesë.

Në mbrëmje pas namazit të jacisë, e takova shokun, mikun tim të vjetër, dr. Ejypin nga Ankaraja(me prejardhje nga Prizreni i cili me familje ishte shpërngul në vitin 1965 në Turqi) i cili sivjet ishte me detyrë, drejtor i spitalit turk në Medine, gjatë kohës së haxhit në Arabinë Saudite. 2 orë në bisedë shkuan si rrufe, pasi që kishin kaluar disa vite që nuk ishim takuar, duke biseduar për familjet tona, për gjendjen aktuale politike, kulturore, fetare, ekonomike, zhvillimore në Kosovë, Turqi, si dhe në skenën  ndërkombëtare. Dr. Ejypi më njoftoi se sivjet në haxh nga Turqia kishin ardhur për të kryer haxhin mbi 80.000 haxhinjë nga Turqia, 10.000 haxhinjë turk nga diaspora, si dhe  një numër i caktuar i atyre që kanë ardhur me punë dhe detyra tjera, ashtu që sivjet haxhin e kanë kryer rreth 100.000 besimtar turk. Dr. Ejupi më njoftoi se Dijaneti(Bashkësia Islame) turk ka disa aranzhmane për haxinjë,duke filluar nga ato dy javore, tre, katër, pesë dhe gjashtë javore, dhe se çmimi i haxhit për një person sillet prej 3000 gjer në 9000 Euro varësisht prej llojit  të aranzhmanit. Me të vërtet, më tutje shtoi shoku dhe miku im i vjetër, se në Turqi është me fat ai i cili arrin të kryejë haxhin, pasi që në listë për pritje për të shkuar në Haxh janë të regjistruar për momentin 1.700.000 besimtar turk, dhe se duhet pritur gjer në 10 vite për të ardhur në radhë për të shkuar në haxh. Më tutje  më njoftoi edhe për shërbimet që i ofrojnë haxhinjëve në spitalin turk në Medine, në të cilin theksoi se i ofrojnë të gjitha shërbimet shëndetësore, përveç ndërhyrjeve kirurgjike  të cilët kryhen në spitale vendore arabe, pasi që nuk kanë të drejtë të bëjnë intervenime kirurgjike. Spitali turk në Medine gjatë haxhit, kishte në përbërjen e vet një personel  prej 190 vetash, duke u nisur nga drejtori i saj (dr. Ejupi), 3zëvendës drejtor, 34 doktorë të specializimeve të ndryshme, 23 doktor të përgjithshëm, 1 kryeinfermirer, 3 ndihmës të tij si dhe 50 motra dhe vëllezër medicinal dhe personel tjetër ndihmës. Në ora 23.00 u ndava nga shoku dhe miku im i vjetër, me ç’rast e përcolla deri diku rrugës, pas së cilës u ktheva në hotel dhe rashë me fjet pas një dite të kaluar të bukur.

11 shtator – ditë e hëne

Sot në plan  kemi pas shëtitjen dhe vizitën e disa vendeve historike të Medinës në mënyrë të organizuar me autobus nga ana e organizatorit të haxhit, Bashkësisë Islame të Kosovës. Në program ishte vizita  e tri vendeve historike, malit të Uhudit, xhamisë së Kibletejnit dhe xhamisë së Kubesë, Nisja u bë në ora 9.oo të mëngjesit nga hoteli me autobus sipas grupeve të përcaktuara më parë. Ne haxhinjët  e Prizrenit hipëm në autobusat nr. 7 dhe 8 të cilët ishin dedikuar enkas për ne.

Së pari vizituam malin e Uhudit i cili nuk ishte larg, rreth 5 km nga Medina, në periferi të Medinës, në të cilin u zhvillua lufta apo beteja e Uhudit, me ç’rast në luftën e myslimanëve kundër mushrikëve(politeistëve) arab ranë 70 dëshmor, në mesin e tyre edhe axha i pejgamberit tonë të dashur, Muhamedit a.s. hazreti Hamza. Njashtu vizituam edhe varrezat në të cilin gjendeshin 70 dëshmor të Uhudit të varrosur të gjithë së bashku në një vend .

Pas malit të Uhudit, u nisëm në vizitë drejtë xhamisë së Kibletejnit( xhamisë me dy kible), në të cilin xhami erdhi shpallja për ndërrimin e Kibles(vend orientimi drejt të cilit kthehen myslimanët gjatë namazit(faljes) së tyre), nga Jerusalemi, në të cili deri në atë moment drejtoheshin myslimanët, në Kiblen drejt  Qabesë në Meke në të cilin tani kthehen myslimanët gjatë faljes së namazit. Shpallja ka ardhur gjatë kohës së namazit(faljes) të sabahut(mëngjesit), ashtu që në këtë xhami dy reqatet e para të namazit të sabahut janë  falë në Kiblen(drejtim)  drejt Jerusalemit, ndërsa dy të tjerat në Kiblen(drejtim) të Qabesë në Meke, ashtu që edhe xhamia  pas kësaj ngjarjeje quhet xhamia Kibletejn(me dy kible).

Pas vizitës së xhamisë Kibletejn, shkuam në vizitën  e fundit që e kishim në program,  xhamisë së Kubesë. Xhamia e Kubes është xhamia e parë e ndërtuar që njihet në historinë islame, e cila gjendet në drejtim të Mekës, por gjendet shumë afër Medinës. Pejgamberi ynë i dashur, Muhamedi a.s. gjatë hixhretit (shpërnguljes) së tij nga Meka në Medine, për dy javë është ndalur në vendin e quajtur  Kuba, para se të arrijë në Medine, me ç’rast myslimanët që ishin së bashku me Muhamedin a.s. kishin ndërtuar  një xhami të vogël të improvizuar për të kryer namazet e tyre të përbashkëta ditore, dhe e cila njihet tani, në historinë islame si xhamia e parë. Xhamia e Kubesë, ishte me dy minare, bukur e madhe, me ç’rast aty edhe falëm dy reqate namaz për nder të xhamisë, pasi është e njohur thënia profetike e Muhamedit a.s: ”kush i fal dy reqate namaz në xhaminë e Kubes e kanë vlerën sa të Umres së kryer”.

Pas  vizitës së xhamisë së Kubes, hipëm në autobusë, dhe u kthyem drejt hotelit, mbërritëm në ora 12.oo, me ç’rast për këtë periudhë kohore prej 3 orësh vizituam tri vende  të shënuara  nga historia islame  në Medine.

                                12 shtatori- ditë e marte

Dita e sotshme kaloi kryesisht në shoping, duke u përpjekur të blejë nga ndonjë bakshish(dhuratë), për  kujtim nga haxhi, për familjarët, të afërmit, miqtë, shokë, koleg e xhematlinjë. Pas dite së bashku me shokët nga Prizreni, Burimin, Abdyrahmanin  dhe Besnikun shkuam në qendrën tregtare Er-Rashid, e cila gjendej në periferi të Medinës, në afërsi të vendit historik, malit të Uhudit. Kjo qendër tregtare ishte bashkëkohore me marka më të njohura botërore, me të gjitha objektet e saja përcjellëse, në të cilën punonin kryesisht femrat vendore  arabe. Shfrytëzova rastin ashtu që në këtë qendër tregtare të njohur i bleva vajzës sime një celular Samsung dhe djalit një tabletë, çmimet ishin  afërsisht të njëjta sikur tek ne, nuk kishte ndonjë dallim të madh edhe pse ishin qendra tregtare me  renome botërore. Pas kryerjes së shopingut shfrytëzuam rastin që në restorantin e qendrës tregtare  për drekë të provojmë specialitetin vendor El-Bejik, një ushqim tepër i shijshëm dhe si desert morëm nga një akullore, krahas lëngjeve të porositura.

Në mbrëmje pata takim lamtumirës me shokun dhe mikun tim të vjetër nga Ankaraja e Turqisë, dr. Ejypin, pasi që ai të nesërmen do të udhëtojë drejt Turqisë, pas afro 40 ditëve të kaluara në haxh në detyrën  e drejtorit të spitalit turk  në Medine në organizimi të Dijanetit të Turqisë. Pasi që e përcolla dr. Ejypin në recepsion të hotelit, pata rast  të takojë haxhiun më të ri të Kosovës, 18 vjeçarin Erlet Janjeva me të cilin u morëm vesh gjatë ditës, që të takohemi në  mbrëmje. Erleti ishte një djalosh simpatik, i ri, që sapo e kishte kryer shkollën e mesme dhe e kishte regjistruar fakultetin, drejtimin e teknologjië informative(për kompjuter). Me të biseduam gjerë e gjatë për qëllimin e ardhjes së tij në haxh në këtë moshë  të re, për planet e t’ia të ardhshme, etj. Ai më tregoi se vjet me familjen e tij e kishte kryer Umren, dhe se i kishte lënë përshtypje të paparë,  veçmas tavafi rreth Qabesë, ashtu që pat vendos, që sivjet të kryejë  edhe haxhin, që me të vërtet ishte i veçantë. Unë e këshillova Erletin për ballafaqimet që do të kishte përpara gjatë jetës së tij rinore, që të ketë kujdes dhe të jetë një besimtar i mirëfilltë mysliman që do të kontribuojë pikë së pari për vetveten e tij, familjen, shoqërinë, xhematin dhe civilizimin njerëzore në përgjithësi, duke i dhënë fjalën se do të kemi rast të takohemi prapë edhe në Kosovë, pasi që  shpesh dalë në Prishtinë,  për të pirë nga një kafe  makiato dhe për të përkujtuar ditët e kaluara në haxh. Ishte ora 24.oo kur u ndava prej Erletit, dhe pasi që rashë në gjumë,  pas tri orësh në ora 3.oo u zgjova dhe së bashku me cimerin  e dhomës Abdyrahmanin  paraprakisht u morëm vesh që të shkojmë së bashku në xhaminë e pejgamberit (profetit) Muhamed a.s. për të fal dy reqate namaz brenda në xhami, në vendin e quajtur Revda,  në të cilin ka fal namaz gjatë jetës së tij, Muhamedi a.s. gjatë qëndrimit në Medine. Pas 3 përpjekjeve gjatë ditës, më në fund arritëm të realizojmë qëllimin tonë, edhe pse me shumë vështirësi  në  orët e vona natës, pasi që ditën është e pamundshme të afroheheshim  për shkak të fluksit të madh të haxhinjëve dhe mos përmbajtjes së tyre si duhet dhe sa duhet për të mundësuar edhe tjerëve që të afrohen vendit të quajtur, Revda.

Feja Islame është e mrekullueshme, por myslimanët e tanishëm që jemi, kudo në botë, kemi ngecur në kohë dhe nuk jemi në gjendje të përcjellin trendet bashkëkohore me të cilin ballafaqohemi gjatë jetës së  përditshme. Kemi mbetur prapa, si në lexim, arsim, shkencë, kulturë, sport,  e të mos flasim për zhvillim ekonomik, teknologjik, informativ, ushtarak, etj. Kjo vetëdije e ultë e besimtarëve mysliman, të cilët kryesisht mendojnë vetëm për vetveten e tyre  dhe jo në një masë të duhur edhe  për ymetin(bashkësinë) , vërehej edhe në vendin e quajtur Revda në xhaminë e Pejgamberit. Në vend se të falen dy reqat namaz, të bëjnë lutje, dhe pas maksimumit prej  5 minutash të lirojnë atë vend, për të mundësuar edhe haxhinjëve tjerë që të kryejnë këtë ritual, ata pesë pare nuk japin për këtë  dhe nuk mendojnë për të tjerët, pasi që në  vendin Revda  dinë të  qëndrojnë nga gjysmë orë apo  1 orë e më tepër, duke lexuar Kur’an, duke u lutur, duke bërë tesbih  pa qarë fare kokën për tjerët që presin me radhë për të kryer të njëjtën ritual që e kryejnë ata, për shkak të cilëve shumë haxhinjë heqin dorë nga Revdaja për shkak të pamundësisë për t’u afruar dhe moskuptimit dhe nivelit të ultë të ndërgjegjes së haxhinjëve tjerë. Ne më në fund pas qëndrimit gati 1 orë e gjysmë së bashku me cimerin Abdyrahmanin arritëm te vendi Revda, në saje të një haxhiu i cili u qua nga vendi dhe lëshoi vendin, ashtu që neve pasi që falëm dy reqate namaz dhe lutjet e kryera, nuk u vonuam as 5 minuta, u quam dhe vazhduam më tutje drejt vizitës së varrit të profetit për të dhënë  selam(përshëndetje)  shpirtit të tij të bekuar. Prapa nesh që ishin haxhinjë në radhë, ia lëshuam vendin, ata u gëzuan dhe u çuditën pa masë nga ky veprim i ynë,  pasi që nuk u ndalëm  as 5 minuta dhe  ua lëshuam vendin edhe atyre që të kryejnë këtë ibadet në vendin Revda brenda xhamisë së Muhamedit a.s. në Medine. Rëndësia e faljes së dy reqateve namaz në vendin Revda ka mbështetje në thënien profetike të Muhamedi a.s. i cili ka thënë: “Pjesa ndërmjet shtëpisë sime dhe mimberit tim është kopsht prej kopshteve të xhenetit”.