Muhammedi (s.a.a) Drita e Gjithësisë

nga Valbona İsmaili | Publikuar në Dhj. 1, 2017, 11:28 p.m.

 Është pothuajse e pamundur  të përshkruhet personaliteti i figurave hyjnore me fjalët tokësore, të shkruara nga dora e penave profane. Kjo pamundësi arrin në nivele alarmante kur bëhet fjalë për figurën e tejndritur të Muhammedit (s.a.a) i Dërguari i Fundit prej plejadës së profetëve dhe misionarëve të Zotit.

Ndoshta kjo qe arsyeja që më bënte të hezitoja që të shkruaja për Profetin tonë të dashur. Personalitet me përmsa kozmogonike kërkon po ashtu një penë të denjë, në lartësinë e duhur, që të angazhohet me përshkrimin e këtij gjiganti të konstelacionit të figurave eminente hyjnore dhe sakrale. Kjo ndërkohë që çdo ditë me miliarda muslimanë dhe shumë njerëz të feve të ndryshme në katër anët e botës ushqejnë dashuri për Muhammedin (s.a.a), më të dashurin ndër njerëzit, minaret e xhamive,  jo vetëm në botën islame, me zë të bindur dëshmojnë se Muhammedi (s.a.a) është i Dërguari i Zotit dhe rrallëkush në historinë e njerëzimit mund të krahasohet me figurën e Muhammedit (s.a.a).

Por ky fakt nuk duhet të shkaktojë habi te ne, sepse lartësimi dhe përjetësimi i i emrit të Profetit Islam është i përgëzuar që herët nga vetë Zoti, All-llahu i Plotëfuqishëm, i Cili në vargjet e Kur’anit Famëlart thekson : “Dhe Ne, ta ngritëm lart famën tënde” (Sure El- Inshirah/ 4).

 Ja që e filluam përshkrimin e personalitetit të të Dërguarit të Zotit, disi pa u futur në temë. Për lexuesin tanimë u bë e qartë që në këtë shkrim vargjet Kur’anore janë ata të cilët ndërmjetësojnë për përshkrimin e figurës së Muhammedit (s.a.a) dhe ne jemi vetëm soditës  dhe vëzhgues të vizionit Kur’anor dhe hyjnor për Muhammedin (s.a.a.).

Sot jemi dëshmitar të vërtetimit të këtij vargu Kur’anor, i cili po thotë: “E, Ne të dërguam (ty o Muhamed) vetëm si mëshirë për gjithë botët” (El – Enbija/ 106)

 Kjo sepse në ditët e sotme, kur armiq të përbetuar të Zotit dhe Profetit Muhammed (s.a.a) u përpoqën në mënyrë shumë tinzare ta godasin dhe denigrojnë emrin e Muhammedit (s.a.a), Profetit të mëshirës dhe virtyteve të kulluara njerëzore, duke përdorur emrin e tij komploti i tyre ogurzi dështoi. Ata krijuan ISIS-in për ta realizuar projektin e tyre djallëzor, por vargjet kuranore njëherë tjetër treguan forcën e vet profetike, dhe më në fund një e keqe, e cila kishte dalë nga kontrrolli i kreatorve të saj duke kërcënuar gjithë njerëzmin, u mposht nga ithtarët më të sinqertë të Muhammedit (s.a.a) dhe familjes së tij të bekuar. Pra për të disatën herë u vërtetua që Kur’ani ka të drejtë kur po deklarohet që Muhammedi (s.a.a) është Mëshirë për botët.

Po ashtu nga krahasimi i ajeteve Kur’anore dalin në pah të vërteta të çmuara të tjera. Për shembull në një varg lexojmë: “ Sikur ne ta zbritnim këtë Kur’an mbi ndonjë kodër, do ta shihje atë të strukur e të çarë prej frikës nga Allahu ...” (El – Hashr/ 21)

Në këtë ajet Kur’anor Zoti i drejtohet profetit dhe i tregon atij efektin e zbritjes së Kur’anit mbi një masiv material. Nga ana tjetër të gjithë muslimanët dhe njerëzit e ditur janë të informuar që ky Kur’an është zbritur në zemrën e pastër të profetit të Islamit. Dijetarët flasin për dy lloj zbritjesh të Kur’anit – me ndërmjetësimin e engjëllit Xhebrail dhe pa ndërmjetësimin e tij, ku lloji i dytë ishte më i vështirë për t’u përballuar nga Profeti, sepse vetë Krijuesi i Gjithësisë ishte Ai i Cili ia komunikonte vargjet Kur’anore. Po ashtu disa dijetarë duke u bazuar në dy shprehjet “inzal” dhe “tenzil” flasin për një dallim esencial. Në suren El – Kadr lexojmë: “Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në natën e Kadrit”. Këtu është përdorur shprehja “enzelna” që është interpretuar si zbritja e gjithë Kur’anit në një natë në zemrën e profetit të Islamit. Në shumë ajete tjera flitet për tenzil, shpehja që është interpretuar  si zbritja graduale të ajeteve Kur’anore përgjatë misionit 23 vjeçar të profetit të bekuar të Islamit. Sidoqoftë, rëndësi ka fakti që Kur’ani i është zbritur qenies apo zemrës së Profetit dhe ai ka pasur kapacitetin e nevojshëm për të qenë “pranues” i Kur’anit.

Në një ajet tjetër Kur’anor lexojmë: “Ne do të shpallim ty fjalë të rëndë (të madhe)” (El – Muzzemmil/ 5/) .  Ky ajet është dëshmia tjetër që Kur’ani në fakt është një realitet me përmasa kozmogonike dhe i është shpallur Profetit drejtëpërdrejtë nga ana e Zotit të Madhëruar.

 Tani le t’i kthehemi krahasimit. Nga njëra anë pohohet që malet nuk kanë kapacitetin e duhur për të qenë recipient të Kur’anit dhe në qoftë se Zoti tenton t’ia komunikojë Kur’anin maleve, ato do të shpartalloheshin, mirëpo nga ana tjetër ia komunikon atë Muhammedit (s.a.a). Konkluzioni që nxjerrim është mjaft i rëndësishëm. Vlera dhe kapaciteti ekzistencial i Profetit Muhammed (s.a.a) qëndron më lart se malet dhe trupat materiale. Ky fakt na mjafton të pohojmë, që njeriu është krijesa më eminente dhe më e lartësuar në ekzistencë. Këtë e afirmojnë dhe shumë ajete kur’anore si për shembull ajeti ku thuhet: “Dhe për ju nënshtroi gjithë ç’ka në qiej dhe ç’kanë tokë...” (El – Xhathije/13) ” , pra krijesat e tjera janë krijuar për shkak të njeriut, që të jenë në shërbim të tij. Në përgjithësi Kur’ani na paraqet një vizon shumë të ndritur dhe admirues për njeriun duke e quajtur atë mëkëmbës i Zotit në Tokë, apo duke thënë: “ Vërtetë, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur” (Et- Tinë/ 4) . Por duhet të kemi parasysh se Kur’ani na mëson që besimi në Zot është kusht për realizmin e kësaj performance. Në këtë pikë është Profeti i Islamit, ai, që, sipas Kur’anit, duhet të ndiqet dhe merret si shembull, sepse ai qëndron në piedestalin e qenies dhe është njeriu më i përsosur që ka shkelur mbi tokë. Kur’ani Famëlartë po thotë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut...” (El – Ahzabë/ 21)

E përfundoj këtë shkrim me vetëdijen se kam prezantuar vetëm një aspekt shumë të vogël prej personalitetit të Profetit. Në fakt ne jemi po në atë pikën ku e filluam bisedën, por s’ka si të jetë ndryshe, kur kemi të bëjmë me një realitet, që tejkalon kufijtë e perceptimit tonë të zakonshëm. Sidoqoftë i jemi falënderues Zotit që me anë të shpalljes na ka mundësuar njohjen e rrugës së transhendimit drejt Tij dhe na ka dhënë shembullin më të përsosur që duhet ta ndjekim, duke treguar pozitën e tij në Univers. Ky shembull është Muhammedi (s.a.a). Dhe kur Zoti i Madhëruar veten e prezanton si “drita e tokës dhe qiejve”, kurse Muhammedin (s.a.a) si shembullin më të lartë, nuk na mbetet gjë tjetër përpos të pohojmë që ai  është emanacioni më i përsosur i Tij, dhe prandaj me plot gojë proklamojmë se : “Muhamedi (s.a.a) është Drita e Gjithësisë”.