Heqja e vizave nga Bosnja për qytetarët e Kosovës

Publikuar në Dhj. 1, 2017, 12:49 a.m.

Përfaqësuesi i partisë social-liberale “Partia Jonë” (Nasa Stranka) në Parlamentin e Federatës së Bosnje e Hercegovinës, Dennis Gratz, ka kërkuar nisjen e procesit të heqjes së regjimit të vizave nga Bosnja për qytetarët e Kosovës.

 “Bosnja e Hercegovina, për shkak të kontekstit të mëhershëm specifik politik, praktikisht ka vendosur që të ndjek politikën e Serbisë në raport me Kosovën. Megjithatë, në praktikë, raportet me Prishtinën dhe Beogradin janë të qeta, dhe jemi ne ata që pengojmë”, ka thënë Gratz, transmeton Koha.net.

“Dhe përderisa politika zyrtare shpesh premton dhe flet për disa ndryshime të mëdha, unë do t’i lusja të nisin nga të voglat, të heqim regjimin e vizave me Kosovën”, ka kërkuar Gratz.

Përfaqësuesi i “Partisë Sonë” thotë se çështja e lirisë së lëvizjes nuk ka asnjë lidhje me atë që burokracia e quan “paragjykim në statusin e Kosovës”.

“Duhet ndërmarr ky hap sepse është në interes të bashkëpunimit ekonomik e shoqëror, dhe nuk i bën dëm askujt”, ka përfunduar Gratz.