OKB akuzon shqiptarët si konsumuesit më të mëdhenj në kokainës në botë

Publikuar në Dhj. 1, 2017, 12:47 a.m.

Ndërsa debati publik fokusohet mbi Shqipërinë si vend prodhimi kanabisi ose si tranzit kokaine dhe heroine, askush nuk është marrë me faktin shqetësues se sa drogë konsumohet në vend. Kështu, në mënyrë krejt të papritur zbulohet nga një raport i Kombeve të Bashkuara se Shqipëria mban vendin e parë në botë për konsumimin e kokainës.

Raporti është bërë nga Agjencia kundër Drogës dhe Krimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Sipas këtij raporti, i cili bazohet në të dhënat e vitit 2014 e rendit Shqipërinë në vend të parë me 2. 5 për qind të popullsisë që e konsumojnë.

Ky raport bazohet në anketimet që i janë bërë personave të grupmoshës nga 15 deri në 64 vjeç. Në hartën me të dhëna e publikuar nga Kombet e Bashkuara, rezulton se Shqipëria ka lënë pas vende tepër të zhvilluar si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me 2.3 për qind të popullsisë konsumuese apo  Britaninë e Madhe që renditet në vendin e tretë.

Edhe pse konsiderohet si një ndër drogat më të shtrenjta, kjo nuk i ka penguar shqiptarët që të jenë konsumuesit më të mëdhenj në kokainës në botë. Shifrat janë të krahasuara edhe me të dhënat qeveritare të vitit 2006, ku në Shqipëri rezultonin përdorues të kokainës vetëm 0.78 për qind e popullsisë dhe brenda 8 viteve numri i përdoruesve është katërfishuar.