İmam Hasan el Askerij

nga Vullnet Merja | Publikuar në Nën. 27, 2017, 5:27 a.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit

 Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)

Imam Hasan El Askerij (Paqja qoftë mbi të!) është imami i 11 prej imamëve të Ehli Bejtit të pastër e të dlirë (Paqja qoftë mbi ta!). Ai lindi në Medinen Munovere në muajin Rabiu Thani i vitit 232 të hixhrit. Ai u quajt me emrin Askeri përshkak të vendit Asker në Samarra ku aty banoi me babanë e tij Ali El Hadi (Paqja qoftë mbi të!).

Ai jetoi me babanë e tij njëzet e tre vjet e disa muaj. Gjatë kësaj periudhe ai u ushqye me dituritë e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) dhe mori prej babait të tij moralet e larta, dituritë e shumta, shpirtin e besimit, të vendosmërisë, të përpjekjes, të sakrificës etj…

Ai ishte i njëjtë si baballarët e tij në dituri në veprime, në xhihad, në thirrje për reformimin dhe udhëzimin e ymetit të gjyshit të tij Muhamedi i biri Abdullahit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Të shumta janë tekstet që sqarojnë udhëheqësinë (imametin) e imam Askeriut (Paqja qoftë mbi të!), qëu prezantua në kohën e babait të tij imam Ali El Hadi (Paqja qoftë mbi të!). Prej atyre teksteve po përmendim ato që ka transmetuar shejh Mufidi në të cilët thuhet:  Ebu Kasim Xhafer ibn Muhamed ka transmetuar nga Muhamed ibn Ja’kub nga Ali ibn Muhamed nga Muhamed ibn Ahmed El Hindi nga Jahja ibn Jesar El Anberi: “Ebu Hasani, Aliu i biri i Muhamedit (imam El Hadi) porositi djalin e tij katër muaj para se të vdiste dhe i tha se çështja e imametit është e tij dhe unë isha dëshmitar për atë së bashku me një grup dashamirësish.”

Po ashtu ka transmetuar:

Ebu Kasim ka transmetuar nga Muhamed ibn Ja’kub, nga Ali ibn Muhamed, nga Is’hak ibn Muhamed, nga Muhamed ibn Jahja ibn Reab, nga Ebi Bekr El Fehfeki, i cili ka thënë: “Ebu Hasani më shkroi një letër. “Djali im Ebu Muhamedi (Askeriu) është më i dituri dhe më argumentuesi. Ai është i madhi i fëmijëve të mi dhe ai është zëvendës. Tek ai do të kalojë çështja e imametit (udhëheqësisë) tonë dhe rregullat tona. Për ata që më pyesje mua, pyet atë sepse tek ai gjinden ato që ke nevojë.” (El Irshad i shejkh Mufidit; faqe 335 – 337.)

Nëpërmjet këtyre teksteve e të tjerave të ngjashme me to, besimtarëve, po ashtu të gjithë myslimanëve, iu bë e qartë se imameti pas imam Hadit është tek djali i tij imam Askeriu. Për këtë njerëzit e pranuan dhe u afruan rreth tij duke u mbështetur tek këto tekste dhe në ato dallime të shkëlqyeshme që gjindeshin tek imam Hasan Askeriu (Paqja qoftë mbi të!) prej diturisë, moralit, xhihadit… Misionin e imametit e filloi pas vdekjes së babait të tij, Imameti imam Askeriut (Paqja qoftë mbi të!) zgjati gjashtë vjet. Në këtë periudhë ai praktikoi përgjegjësitë e imametit, në dituri, në politikë ashtu siç vepruan baballarët e tij më parë.

Personaliteti i imam Askeriut (Paqja qoftë mbi të!)

Imam Askeriu (Paqja qoftë mbi të!) ishte i njëjtë si baballarët e tij në besim, në vendosmëri, në bujari, në dituri dhe në të tjera virtyte të larta. Ai ka qenë mësuesi dhe edukuesi i dijetarëve, shembullyesi i besimtarëve, udhëheqësi kundër politikës së devijuar, i dashur në zemrat e bsimtarëve. Ndaj atij dhe ndjekësve të tij u ushtrua një terror i ashpër nga ana shtetit sundues. Me gjithë këto, halifat e kohës së tij nuk mundën të fshehin personalitetin e tij apo të izolojnë rrolin e tij politik dhe predikues.

Ahmed ibn Ubejdullah ibn Hakan, i cili ishte prej armiqve të imam Askeriut (Paqja qoftë mbi të!) sqaron pozitën e imam Askeriut në politikë dhe shoqëri: “…Unë nuk kam parë asnjë dijetar si ai, as më të ndershëm, as më të pastër në thënie se sa Hasan Askeriu.” (Menakib Alë Ebi Talib; vëllimi 4, faqe 423.) 

Si pasojë e pozitës së lartë, vendit politik të tij dhe qëndrimit të tij në majën e politikës kundërshtuese në atë kohë, mjetet sunduese vendosën për atë diçka të ngjashme me paraqitjen me detyrim, duke e detyruar atë që të shkonte dy ditë në javë (të hënën dhe të enjten) tek qendra e hilafetit.

Një prej shoqëruesve të imamit (Paqja qoftë mbi të!) na e cilëson shkuarjen e tij tek pallati i hilafetit duke thënë: “Nuk gjendej asnjë person i njëjtë si mësuesi im (imam Askeriu). Çdo ditë hëne dhe të enjte shkonte tek pallati i hilafetit… Rrugët ishin të mbushura me kuaj, mushka, gomerë, zhurmë, ku nuk gjendej vend për të ecur dhe nuk mund të hyje në mesin e tyre. Kur vinte mësuesi im çdo gjë binte në qetësi, shpërndaheshin kafshët që rruga të zgjerohej.  Pastaj ai hynte tek pallati. Kur dilnin portierët e pallatit thërrisnin: Sillni mushkën e Ebu Muhamedit. Të gjithë pushonin dhe kafshët shpërndaheshin derisa të kalonte.” (Menakib Alë Ebi Talib; vëllimi 4, faqe 423.) 

Kështu na e pasqyrojnë hadithet dhe dokumentat historike pozitën e lartë të imam Askeriut nuk gjindej asnjë person i njëjtë si ai në shoqëri dhe politikë. Dashurinë e zjarrtë të njerëzve dhe respektin e tyre për atë, me gjithë terrorin dhe urrejtjen e shtetit dhe veprimet e ashpëra të atij sundimi ndaj imam Askeriut (Paqja qoftë mbi të!).

Adhurimi (ibadeti) i imam Askeriut (Paqja qoftë mbi të!)

Të shumta janë hadithet në librat e historisë që na flasin për adhurimet e imam Askeriut (Paqja qoftë mbi të!). Ato haditheve janë pasuruese dhe ndriçuese për jetën e çdo muslimani.

Hadithet flasin për ibadetin e tij në burg dhe lidhjet e forta të tij me Allahun Madhëruar, me gjithë presionet dhe situatat e ashpëra që kalonte në burg. Imam Askeriu (Paqja qoftë mbi të!) ishte i durueshëm, i palëkundshëm, i bindur në vetvete dhe nuk e linte pas dore përgjegjësinë e tij drejtuese dhe udhëzuese.

Prej haditheve të shumta që flasin për ibadetin e imam Askeriut (Paqja qoftë mbi të!) po përmendin:

Muhamed El Shakirij ka thënë: “Ai ulej në mihrab (vendi i faljes) dhe bënte sexhde.

Unë flija dhe e përgjoja, atë e gjeja në sexhde.”(Sefinetul Bihar; vëllimi 1, faqe 260.)

Ebu Hashim Daud ibn El Kasim El Xha’ferij ka thënë: “Imam Hasan Askeriu (Paqja qoftë mbi të!) e agjëronte në burg. Kur hante iftar ne hanim sëbashku me të prej atij ushqimi që i sillte shërbyesi.” (Fusulul Muhime; faqe 286.) 

Muhamed ibn Ismail ka thënë: “Kur ishte në burg imam Askeriu (Paqja qoftë mbi të!) e agjëronte ditën dhe tërë natën falej. Nuk fliste dhe nuk vepronte asgjë përveç ibadetit.” (A’janu Shiatu; vëllimi 2, faqe 41.) 

Kulejni ka transmetuar një hadith i cili flet për ibadetin dhe thjeshtësinë e imam Askeriut (Paqja qoftë mbi të!) në kohën që ishte në burg. Ai në këtë kohë i bënte dhikër Zotit dhe adhurim. Kjo gjë ndikoi së tepërmi tek ai që ishte sipërmarrës i tij për burgim dhe torturim.

Në hadith thuhet: Abasitët shkuan tek Salih ibn Uasif. Salih ibn Ali i tha atij kur u burgos Ebu Muhamedi: “Bëji presion sa më shumë dhe mos i lër kohë të lirë. Salihu i tha atyre. Çfarë t’i bëj atij? Vërtet ti caktove dy burra më të ashpër dhe ata u bënë prej adhurueve dhe falësve të namazit. Ai urdhëroi që ata të dy të sillen tek ai dhe i tha atyre:  Të mjerët ju! Çfarë i’u ndodhi juve? Ata i thanë: Çfarë do të thuash për atë burrë, i cili ditën e agjëron dhe natën e kalon me namaz. Nuk flet dhe nuk vepron tjetër gjë përveç ibadetit. Kur na shikonte, pjesët e trupit na dridheshin dhe nuk ishim në gjendje t'i përmbaheshim kësaj gjëje…”(A’janu Shiati; vëllimi 2, faqe 41.)

Këto ishin disa prej hadithve që flasin rreth ibadeteve të imam Hasan Askeriut (Paqja qoftë mbi të!) në burgun e sunduesve abasit.

Imam Askeriu (Paqja qoftë mbi të!) dhe puna politike

Pushteti abasit ishte në ndjekje të imam Askeriut (Paqja qoftë mbi të!) dhe e rrethoi atë me spiuna si dhe bëri presion mbi lëvizjet e tij me qëllim që të paralizonte aktivitetin e tij mendor dhe politik. Po ashtu ata u përpoqën që ta shkëpusin imam Askeriun prej praktikimit drejtues në mesin e ymetit.

Për këtë imam Askeriu (Paqja qoftë mbi të!) u strehua në veprimet fshehurazi dhe në ndërtimin e një rrjeti të përbërë prej përfaqësuesve dhe ndjekësve të Ehli Bejtit. Dokumentat historike na i shfaqin ato mënyra praktike të hollësishme. Ndër ato përmendim:

 – Muhamed ibn Abdul Aziz El Belehij ka thënë: “Një ditë mëngjesi unë u ula në rrugë. Papritur u duk Ebi Muhamedi (imam Askeriu), i cili po vinte prej shtëpisë së tij dhe donte të shkonte tek pallati i hilafetit abasit. Unë thashë me veten time: Është e vërtetë ky është argumenti i Allahut për njerëzit? Kur ai u afrua tek unë ma bëri me gisht duke më thënë mos fol. Në darkë unë e pashë atë dhe ai tha: “Ai ishte moszbulim ose mosvrasje. Kërkoi mbrojtje Zotit për veten tënde” (Keshful Gumeh; vëllimi 3, faqe 212.)

Ahmed ibn Muhamed ka transmetuar nga Xha’fer ibn Sherif El Xherxhani, i cili ka thënë: “Kur shkova në haxh unë hyra fshehurazi për të takuar Ebu Muhamedin (Paqja qoftë mbi të!). Shokët tanë kishin me vete para dhe desha ta pyes atë se kujt t’ia japim. Ai tha: Jepja ato që ke Mubareketit, shërbyesit tim. Ai tha: Unë veprova siç më tha dhe dola. Pastaj i thashë atij se ndjekësit e tu në Xheuhan të çojnë selam.”

Ebu Hasan, Ali ibn Muhamed ibn Hashb (ose Habab) ka thënë: Ebu Edjani na bisedoi neve duke thënë: “Unë i shërbeja Hasan ibn Ali ibn Muhamed ibn Ali ibn Musa ibn Xha’fer ibn Muhamed ibn Ali ibn Hysejn ibn Ali ibn Ebi Talib (Paqja qoftë mbi ta!), dhe shpërndaja shkrimet e tij në të gjitha krahinat. Kur ishte i sëmurë me atë sëmundje që vdiq unë hyra tek ai dhe më shkroi mua një shkresë duke thënë: “Ta dërgosh këtë shkresë në Medain.” (Biharul Anuar; vëllimi 50, faqe 332.)

Nëse i vërejmë me hollësi këto tekste e të tjera të ngjashme me to, do të shohim se për imam Askeriun (Paqja qoftë mbi të!) gjendeshin ndjekës në gjitha vendet islame dhe se ai kishte përfaqësues dhe sipërmarrës, të cilët i besonte dhe mbështetej në to për punët e tij politike. Edhe pse situatat ishin të vështira dhe mejdani ishte i mbushur me terror e armiqësi, imam Hasan Askeriu (Paqja qoftë mbi të!) nuk e ndërpreu misionin e tij në xhihad, dituri dhe politikë. Ai u ballafaqua me sunduesit e kohës së tij.

Vështrim rreth konfliktit politik

Imam Askeriu (Paqja qoftë mbi të!)  njësoj me baballarët e tij (Paqja qoftë mbi ta!) u ballafaqua me padrejtësitë, terrorin dhe devijimet e udhëheqjes dhe të udhëheqësve abasitë, për të mbrojtur bazat origjinale islame dhe rregullat e tij. Ky ishte misioni më kryesor prej të gjitha misioneve drejtuese të imamit.

Ky mision i kushtoi shtrenjtë duke marrë si shpërblim fatkeqësitë, ndjekjet, burgimin dhe vrasjen. Librat e historisë transmetojnë se imam Hasan Askeriu (Paqja qoftë mbi të!) u burgos disa herë dhe po ashtu të shumta ishin planet për ta vrarë atë. Prej atyre thënieve përmendim:

Ebu Hashim El Xha’ferij u burgos me Ebu Muhamedin (imam Askeriun) (Paqja qoftë mbi të!) dhe Mu’tezi i burgosi ata disa herë me disa pauses të imam Aliut.”

Ahmed ibn Zijad El Hamadani ka transmetuar nga Ali ibn Ibrahim ibn Hashim, i cili ka thënë: Ebu Hashim Daud ibn Kasim më ka thënë: “Unë isha në burgun e njohur me emrin e Salih ibn Uasif El Ahmar, së bashku me Hasan ibn Muhamed El Akikij, Muhamed ibn Ibrahim El Umerij e të tjerë. Tek ne sollën Ebu Muhamed (imam Askeriun)  dhe vëllanë e tij Xha’ferin. Ne filluam t’i shërbenim atij. Sipërmarrësi i tij në burg ishte Salih ibn Uasif. Me ne në burg ishte një burrë Themhij thuhet se ishte alevij. Ebu Muhamedi hodhi një vështrim dhe tha: Nëse në mesin tuaj nuk do ishte ai që nuk është prej jush do t’ua mësoja juve se kur do të dilni nga burgu. Ai iu afrua themhijut dhe i tha që të dilte dhe ai doli jashtë. Ebu Muhamedi tha: Ky burrë nuk është prej jush prandaj kini kujdes sepse në rrobat e tij ai ka shkruar çdo gjë që thoni dhe këto të dhëna ia jep sulltanit.” (A’lamul uara bi a’lamul huda; faqe 354.)

Pra, sipas kësaj thënie udhëheqësi abasit, Mu’tezi, e burgosi imam Askeriun (Paqja qoftë mbi të!). Po ashtu, edhe Muhtedi (udhëheqës abasit) e burgosi imam Askeriun. Këtë e dëshmon thënia e Ali ibn Muhamed ibn Zijad ibn Sajmirij, nga Ebi Hashim, i cili thotë: “Unë isha i burgosur me Ebu Muhamedin tek burgu i Muhtediut. Ai më tha mua: “O Aba Hashim ky i padrejtë (Muhtediu) donte të bënte diçka të keqe për Zotin në këtë natë dhe Allahu e shkurtoi moshën e tij. Unë nuk kam fëmijë dhe Allahu do të më dhuroi me bujarinë e Tij fëmijë. Kur u gdhimë njerëzit u ngritën kundra Muhtediut dhe e vranë atë. Në vend të tij emëruan Mu’temedin. Muhtediu bënte plane për vrasjen e imam Askeriut. Por Allahu i Madhëruar e bëri që të interesohej për veten e tij derisa vdiq.” (Biharul Anuar; vëllimi 50, faqe 313.) 

Tabarsi në librin e tij “A’lamul Uara” përmend hadithin e Ahmed ibn Muhamedit i transmetuar prej një serie transmetuesish ku thotë: “Unë isha tek Ebu Muhamedi dhe i thashë: “O Zotnia im. Elhamdulilahi (Falenderimi i takon Allahut), i cili e largoi Muhtediun prej teje dhe më informuan se ai të kërcënonte ty. Ebu Muhamedi tha: Numëro pesë ditë që nga kjo ditë dhe ai do të vritet në ditën e gjashtë pas poshtërimit që do ti bëhet atij. U bë ashtu siç tha.” (A’lamul Uara; faqe 356.) 

Po ashtu Mu’tezi mendoi për vrasjen e imam Askeriut (Paqja qoftë mbi të!)

Ibn Shehr Ashub përmend: “Mu’tezi shkoi tek Said El Haxhib dhe i tha që ta dërgoi Ebu Muhamedin në Kufe, pastaj në rrugë preja atij kokën. Imami na shkroi: Atë që ju dëgjuat do të rehatoheni prej atij. Pas tre ditësh Mu'tezi vdiq.”

Shejkh Mufidi ka transemtuar: “Ebu Muhamedi u dërgua tek Nahriri, i cili nuk sillej mirë me të. Gruaja e tij i tha: Frikësohu Zotit se ti nuk e din se cilin ke në shtëpinë tënde. Ajo i përmedi atij mirësitë dhe adhurimet e tij dhe i tha: Unë të frikësohem ty prej të këqija që i bën atij.” (Menakib Alë Ebi Talib; vëllimi 4, faqe 432.) 

Shejkhu Mufid po ashtu ka transmetuar nga Muhamed ibn Ismail El Alevij: «Ebu Muhamedi (imam Askeriu (Paqja qoftë mbi të!) u burgos tek Ali ibn Outash, i cili ishte urrejtës i madh për Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi ta!) dhe armik i familjes së Ebu Talibit. Atij i thanë: Bëji keq atij. Ai tha: Nuk kaloi vetëm një ditë dhe ai armik u bë prej njerëzve më të përsosur. Kjo përshkak të moraleve dhe virtyteve të larta që gjendeshin tek imam Askeriu (Paqja qoftë mbi të!)  (El Irshad; faqe 342.)

Kështu na i pasqyrojnë hadithet dhe lajmet fatkeqësitë e imam Askeriut (Paqja qoftë mbi të!) prej udhëheqësve të kohës së tij dhe ballafaqimet e tyre me aktivitetet e tij politike, duke përdorur mjetet e shumta siç ishin burgimi, terrori, përpjekjet për ta vrarë dhe përndjekjet për të ndaluar rolin e tij drejtues.

Medreseja e imam Askeriut (Paqja qoftë mbi të!)

Misioni kryesor i imam Askeriut (Paqja qoftë mbi të!) ishte mbrojtja e mesazhit islam, thirrja në të dhe përhapja e tij në të gjitha zonat dhe vendet ashtu siç e solli gjyshi i tij Profet Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Alahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Medreseja e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) në kohën e imam Askeriut ishte e mbushur me dituri të shumëllojshme, të cilat kishin si qëllim mbrojtjen dhe përhapjen e Islamit. Imam Hasan Askeriu (Paqja qoftë mbi të!) ka pasur transmetues hadithi, nxënës të diturive të ndryshme. Disa prej tyre luajtën rol në kohën e babait dhe gjyshit të tij (Paqja qoftë mbi ta!) dhe disa të tjerë e ndoqën atë në kohën e imametit të tij. Ata nxënës dhe transmetues merrnin mësime prej imamit dhe transmetonin thëniet dhe njohuritë e tij.

Shejkh Tusij i ka shënuar emrat e atyre transmetuesve dhe numri i tyre arrin në nëntëdhjetë e nëntë transmetues. Këto punonin si përfaqësues të imamit në vende të ndryshme.

Dijetarët dhe transmetuesit e shumtë që gjendeshin në medresenë e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) dhe që ndihmuan në përhapjen e diturive dhe të kulturës islame, në shtesë të diturive dhe njohurive të shumëllojshme, janë tregues për madhështinë e asaj medreseje. Po ashtu, janë tregues të pozitës së lartë të imam Askeriut (Paqja qoftë mbi të!) në fushën e dijes e të njohurive.

Martirizimi i imam Askeriut (Paqja qoftë mbi të!)

Imam Askeriu (Paqja qoftë mbi të!) jetoi periudhat sunduese të Mu’tezit, Muhtediut, Mu’temedit, të cilët ishin prej halifave abasit. Imami (Paqja qoftë mbi të!) sprovoi të gjitha llojet e terrorit, ndjekjeve, burgimeve, etj, prej të treve.  I fundit i tyre ishte Mu’temedi, i cili ishte i dhënë pas qejfeve, devijues, jetonte në ambjentet e gazeleve e muzikës, kryente vepra të ndaluara, gjë e cila e bëri popullin ta përbuznin atë.” (Hajatul imam Askeri, i autori Bakir Sherif El Kurejshij; faqe 255, i marrë nga historia e halifave; faqe 363.) 

Imam Askeriu (Paqja qoftë mbi të!) provoi llojet e ndryshme të dhimbjeve dhe terrorit prej duarve të Mu’temedit, i cili e rrethoi imamin me forma të ndryshme për ta bllokuar atë dhe për ta ndaluar që të komunikonte me njerëzit.

Shkak i këtyre veprimeve prej abasitëve ishte urrejtja e tyre që kishin kundrejt pozitës së imam Askeriut (Paqja qoftë mbi të!) dhe frikës që kishin prej djalit të tij të ardhshëm (Mehdiu), për të cilin ata kishin dijeni se ai ishte djali i Askeriut (Paqja qoftë mbi të!). Imam Askeriu (Paqja qoftë mbi të!) këtë gjë e tregon në një letër të tij ku thotë: “Ata menduan se me vrasjen time do ta ndërpresin këtë gjenezë, por Allahu e përgenjështroi thënie e tyre dhe Atij i takojnë falenderimet.” (Hajatul imam Askeri i marrë nga Kifajetul Ether, i Huzaz El Kummij El Rrazi)

Urrejtja e Mu’temedit u shtua më tepër kur pa njerëz të shumtë që e rrethonin imamin (Paqja qoftë mbi të!) e rrespektonin, e nderonin dhe zbatonin thëniet e tyre. Po ashtu, ata e favorizonin atë mbi abasitët dhe alevijtë në kohën që Mu’temedi ishte i përbuzur në ymet. Për këtë Mu’temedi mendoi atë mendim të errët që të shkëpuse imamin (Paqja qoftë mbi të!) prej zemrave të njerëzve me vrasjen e tij. Ai vendosi helm në ushqimin e imamit, i cili ndejti i shtrirë në shtrat për disa ditë i sëmurë prej ndikimeve të helmit derisa vdiq dhe mosha e tij ishte njëzet e tetë (28) vjeç. Ai vdiq në muajin Rabiul Euel në vitin 260 të hixhrit.

Paqja qoftë mbi ty o imami ynë, o Hasan ibn Askerij!

Paqja qoftë mbi ty o babai i imamit Zaman, imam Mehdiut!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI