KMDLNJ reagon për gjykimet e EULEX-it ndaj Kosovës

Publikuar në Nën. 18, 2017, 1:05 a.m.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut nëpërmjet një reagimi ka thënë se dorëheqja e fundit e kryetarit të gjykatësve të EULEX-it, Malcom Simmons, i cili e akuzon këtë EULEX-in për korrupsion, është një mundësi e bazuar që të kërkohet rishqyrtimi i të gjitha rasteve të gjykimeve ku dyshohet se janë marrë nën ndikime dhe urdhëra politike sikur edhe se janë korruptuar.

Sipas KMDLNj-së ndërkombëtarët e EULEX –it nuk do të ishin në gjendje të bënin këtë krim kundër drejtësisë pa ndihmën e vendorëve, prandaj kërkohet të hetohet sekserizmi i disa avokatëve që ndërmjetësojnë në shitjen e pafajësisë nga EULEX, “dhe eliminimin e fajësisë për eksponentë të krimit të nivelit të lartë”.

“Edhe disa hetues e tash edhe Simmons kanë deklaruar se “rasti Limaj” është rast politik dhe se ky rast është kurdisur që, përmes procesit të montuar gjyqësorë z. Limaj (dhe të tjerët nga proceset tjera) të dënohen dhe të eliminohen nga skena politike”.

“KMDLNj kërkon nga Simmons dhe denoncuesit e tjerë të bëjnë publik faktin se kush ka urdhëruar eliminimin politik të z. Limaj dhe të dënuarve tjerë përmes proceseve të pandershme dhe të pororsitura gjyqësore në mënyrë që drejtësia të vendoset në vend dhe të rehabilitohen personat e diferencuar dhe të linçuar publikisht”, thuhet në reagim.