Gjyqi i imamëve, shkaktarë e regrutimit të të rinjëve në Siri

Publikuar në Nën. 15, 2017, 5:02 a.m.

Së paku 7 persona, të cilët i kanë dëgjuar ligjëratat e Imamit Idriz Bilibani, kanë përfunduar të vrarë, ose janë gjykuar për terrorizëm në Kosovë, pas kthimit nga Siria.

 Të martën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka vazhduar gjykimi i katër imamëve të akuzuar për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, si dhe politikani Fuad Ramiqi, i akuzuar për thirrje për rezistencë.

Prokurori Haki Gecaj ka propozuar që të thirren për të dëshmuar në gjykatë dy hetues policorë të Drejtorisë së Antiterrorizmit në Prishtinë, të cilët, sipas tij, gjatë ekzaminimit të disa video-incizimeve kanë gjetur fakte të reja për të gjithë imamët.

Janë identifikuar të paktën shtatë persona, të cilët kanë dëgjuar ligjërimin e hoxhë Bilibanit dhe këta persona ndodhen në zonën e luftimeve në Siri e Irak, ose janë gjykuar në Kosovë për terrorizëm.

Megjithatë, trupi gjykues ka refuzuar kërkesën e prokurorit për t’u ftuar oficerët e Policisë së Kosovës për të dëshmuar, derisa kanë pranuar që në seancën e ardhshme të caktuar pas një muaji, më 13 dhjetor 2017, të shfaqet dhe të analizohet në gjykatë video-incizimi në fjalë.

Prokurori Special ka njoftuar trupin gjykues dhe avokatët mbrojtës për provat që janë pranuar për administrim në gjykatë. Avokati mbrojtës i Mazllam Mazllamit, Bajram Tmava, me t’u përmendur si provë e administruar në gjykatë “video-incizimi i ligjëratës së Mazllamit në të cilin nxit urrejtje ndaj komunitetit LGBTI”, ka reaguar ndaj, sipas tij, këtij interpretimi.

Grupi Gjykues, po ashtu, ka vendosur që në seancën e 13 dhjetorit të ftojë për të dëshmuar edhe kryeimamin e BIK-ut, Sadri Bajgora, i cili në një përgjigje të BIK-ut për Prokurorinë Speciale ka nënshkruar dokumentin në të cilin thotë se ligjëratat e imamit nga Peja Enes Goga janë jo etike dhe në mospërputhje me mësimet e profetit Muhamed dhe islamit.

Seanca e radhës, e caktuar më 13 dhjetor 2017, do të nisë në orën 09:00, derisa në të do të shfaqet i plotë video-incizimi i ligjëratës së Idriz Bilibanit dhe do të dëshmojë Sadri Bajgora për ligjëratat e imamit Enes Goga.