Kriteret e BE-së ose pasaporta shqiptare për shtetasit e Kosovës

Publikuar në Nën. 10, 2017, 4:45 a.m.

Shqipëria vazhdon të inkurajojë Kosovën që t’i përmbushë kriteret e fundit të përcaktuara nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave dhe të mos pres që çështja të zgjidhet përmes lëshimit të pasaportave shqiptare për shtetasit e Kosovës.

Një mesazh të tillë, Tirana kësaj radhe ka sjellë në Prishtinë përmes kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi i cili po qëndron në Prishtinë me ç’rast ka zhvilluar takime me udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës.

I pyetur nëse Kuvendi i Shqipërisë mund të nxjerr ligj që lehtëson marrjen e shtetësisë dhe pasaportës së Shqipërisë nga shtetasit e Kosovës, siç kishte propozuar kohë më parë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryekuvendari Ruçi tha se është më mirë që Kosova të përqendrohet në kriteret e përcaktuara ku bën pjesë edhe ratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se përcaktimi shtetëror i Kosovës është integrimi në BE dhe në Aleancën Veriatlantike, procese këto në të cilat, siç tha kryetari, përvoja e Shqipërisë është e domosdoshme.

Shqipëria ka ftuar edhe zyrtarisht udhëheqësit politik të Kosovës që së bashku të organizojnë shënimin e Ditës së Flamurit, më 28 Nëntor.