Quo vadis(ku po shkon) Arabia Saudite?

nga Faik Miftari | Publikuar në Nën. 5, 2017, 11:50 a.m.

Para ca ditëve bëri jehonë të madhe në opinionin publik ndërkombëtar deklarata e princit saudit, trashëgimtar të fronit saudit, Muhamed bin Selmanit, se shteti i tij do të rikthehet islamit të matur. Në forumin ekonomik të mbajtur në Riad princi Muhamed bin Selman, përveç tjerash  ka thënë: “Po kthehemi aty ku kemi qenë, në shtet të islamit të matur i cili do të jetë i hapur ndaj të gjitha religjioneve në botë. Sot do të shkatërrojmë të gjitha idetë destruktive. Nuk do të shpenzojmë 30 vitet e ardhshme në idetë destruktive dhe të dëmshme”. Fill pas kësaj mbreti saudit Selman nënshkroi një dekret me të cilin në Medine, do të themelohet një organ  i parisë së dijetarëve mysliman, mandati  i të cilit do të jetë “ të çrrënjosë dhe eliminojë tekstet e rrejshme, si dhe interpretimet destruktive dhe radikale”.

Ky është një vendim shumë  i rëndësishëm, edhe pse i vonuar, i Arabisë Saudite i cili vjen pas ndryshimeve të mëdha që janë duke ndodhur në skenën gjeopolitike ndërkombëtare e posaçërisht në Lindjen e Afërt, pas dështimit të politikës së saj në Siri dhe Irak. Ky vendim  erdhi  fill pas  takimeve që mbreti Selman pati me presidentin amerikan Donald Trumpin në Riad dhe presidentin rus Vlladimir Putinin në Moskë. Me siguri pas bisedimeve  nga këto dy takime rrodhi  edhe iniciativa për të ndryshuar  interpretimin  e gjertanishëm të islamit të ngurtë prezent në Arabinë Saudite, në islamin”light”, të matur.  Me islam të matur, të deklaruar nga princi saudit Muhamed ibn Selman, a do të thotë kjo, braktisja e doktrinës  vehabite- selefite, aktuale në Arabinë Saudite, dhe rikthimi i saj  njërës së shkollës juridike islame, pritet të shohim në muaj dhe vitet para nesh. Sidoqoftë ky ndërrim radikal, rikthim islamit të matur kundruall islamit të ngurtë  të gjertanishëm nga shteti saudit do të ketë refkleksione të mëdha jo vetëm në shtetin saudit, por edhe atij ndërkombëtar mysliman. Ky ndryshim, apo rikthim  i shtetit saudit në islamin e matur dhe të hapur ndaj tjerëve, pa mëdyshje do të duhej të reflektohej jo vetëm  në aspektin doktrinar, por edhe atij politik e kulturor.

Për të parë efektet e ndryshimeve që do të ndodhin gjatë periudhës së ardhshme kohore pas paralajmërimit të ndërrimit të diskursit të gjertanishëm  islam  në  Arabinë Saudite, do të paraqes më poshtë  disa  tipare të doktrinës vehabite –selefite, e cila ka pas implikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në rrafshin  arab, por edhe atij  ndërkombëtar mysliman. Mësimi vehabit-selefit është i bazuar dhe themeluar në mësimet e dijetarit islam Ibn Tejmije, të shek. XIII-të dhe Muhamed ibn  Abdylvehabit të shek. XVIII-të. Paraqitja e dukurisë së vehabizmit-selefizmit mund të them se ishte një risi, por assesi nuk mund të ishte  një shkollë e re juridike islame. Shekuj më parë ishin themeluar  në botën myslimane, në shumicën sunite, shkollat juridike hanefite, malikite, hanbelite dhe shafite, ndërsa në pakicën shiite shkolla juridike xhaferite. Përkundër kësaj gjendje ekzistuese të myslimanëve në botë, dijetarët arab vehabito-selefit bënin përpjekje të mëdha, duke  shfrytëzuar mënyra të ndryshme, të shtrijnë ndikimin e tyre  doktrinar  tek  myslimanët kudo në botë, duke i përjashtuar të gjitha shkollat juridike ekzistuese islame, si të gabuara, dhe se i vetmi interpretim i drejtë , na qenka selefizmi apo vehabizmi, të cilin duhet të ndjekin myslimanët  në botë.

Baza e doktrinës selefte-vehabite është vënë në kundërshtimin e ideve racionale(logjike) të imam Gazaliut nga ibn Tejmije i cili ka kundërshtuar idetë racionale të tij. Problemi bazik i doktrinës vehabite-selefite ishte kundërshtimi i mësimeve islame të bazuara në logjikë, në mendje, nga themeluesi i ideologjisë vehabiste-selefite, ibn Tejmijes, i cili i ka kundërshtuar mësimet islame të konceptuara në të menduarit logjik. Janë të pamundur të kuptohen mesazhet apo porositë kur’anore, në rast se paraprakisht nuk bazohen në logjikën e të menduarit.  Ja si shprehej lidhur më këtë qasje Ibn Tejmije:” Ai i cili merret me dijen e mendjes ka dalur nga feja”, me të cilin ka aluduar imam Gazaliun si përkrahës i dijes së mendjes, si i dalur nga feja. Për këtë shkak ideologjia vehabite-selefite është në kundërshtim me dijen e mendjes që e perceptojnë të gjithë myslimanët tjerë sunitë dhe shiitë kudo qoftë në botë.

Në shumicën e universiteteve islame në botë, mësimi i shkencave islame  bazohen në dijen e logjikës, mendjes, apo arsyes, për dallim nga universitetet saudite, Universiteti Islamik në Medine dhe Universiteti Umm al-Qura në Meke, në të cilën studiojnë dhe kryejnë studimet, pas së cilës një numër i madh i dijetarëve islam selefist pastaj përhapin mësimet e tyre jo vetëm në Arabinë Saudite por edhe në botën islame. Vehabizmi-selefizmi, djepi i të cilit është në Arabinë Saudite, është kryekëput kundër kulturës në përgjithësi, ashtu  që kanë  ndaluar përdorimin e poezisë,artit, filozofisë, etj. Doktrina vehabite e përjashton kulturën i, pasi sipas tyre ajo paraqet idhujtari, dhe se duhet nisur që nga fillimi dhe atë duke u bazuar vetëm në tri gjeneratat e para të myslimanëve, , sahabët,tabi’inët dhe tabi-tabi’inët pasi që sipas tyre kulturat lokale dhe traditat popullore: “paraqesin rrezik për ruajtjen e islamit të vërtetë, si  rrezik potencial për islamin autentik”.Prandaj, selefistët kulturën e shohin si armik dhe e përjashtojnë  qasjen racionale të interpretimit të islamit,  Pasi që racionalizmi është i inspiruar nga  logjika, kjo sipas selefistëve është e papranueshme dhe mund të largojë fenë islame   nga burimi.

Gjersa në  njërën anë dijetarët vehabistë të Arabisë Saudite e ngritin në piedestal figurën e ibn Tejmijes, në anën tjetër dijetarët mysliman anekënd botës e akuzojnë atë si shpikës dhe ndjekës i risive që sollën  vetëm dëm  në mesin e myslimanëve në botë. Për qasjen e gabuar të vehabistëve dhe njërin nga themeluesit e tij, Muhamed ibn Abdylvehabit, dijetari i njohur islam Said Hauuja ka thënë:” Problemi i njohur botërisht i vehabistëve, si dhe themeluesit të këtij sekti, shejh Muhamed in Abdylvehabit, është se këta të fundit nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur metodologjisë së kuptimit të Kur’anit Famëlartë”. Sipas Said Hauujës doktrina vehabiste bazohet në dy koncepte themelore të saja:” Koncepti i parë, është se ai i cili kërkon ndërmjetësimin e të dërguarit të Allahut, është një idhujtar dhe i pafe. Ndërsa koncepti i dytë, është se ai i cili kundërshton dhe mohon faktin se, Allahu i Madhëruar, është ulur në Fronin e Tij, si një trup i vetëm, mbi shtatë qiejt, është një idhujtar dhe i pafe!”.

Për rrezikun dhe jo arsyeshmërin e ideologjisë vehabite  shejhu i njohur nga universiteti egjiptian i Ez’herit, imam Kudaiu ka dhënë një përkufizim të qartë rreth kësaj duke cek se” “Ideologjia e sektit vehabist, nuk duhet lexuar në mënyrë të prerë, sepse Muhamed ibn Abdylvehabi  dhe ndjekësit e tij, kanë lejuar dhe si rrjedhojë derdhin gjakun e besimtarëve mysliman, u presin kokat e tyre, ….dhe i cilësojnë si të pafe tërë myslimanët”. Dijetari sirian Said Ramadan Buti, duke kundërshtuar doktrinën vehabite, lidhur me përjashtimin e ndërmjetësimit të të dërguarit të Allahut Fuqiplotë, pejgamberit tonë të dashur, Muhamedit a.s., cek se: ”Arsyeja është shumë e thjeshtë, vehabistët nuk e ndiejnë aspak, arritjen e shijimit të kënaqësisë së dashurisë, së të dërguarit të Allahut xh.sh.”

Si rezultat i përjashtimit nga koncepti i perceptimit të tyre, logjikës, mendjes, apo arsyes, është edhe akuza e tyre e pakuptimtë ndaj myslimanëve shiitë që sipas tyre se ata i përkasin një feje tjetër, kanë Kur’an tjetër, nuk janë mysliman, janë rafidi, janë më të rrezikshëm se krishterët dhe hebrenjtë etj. Se sa janë absurde dhe jashtë logjike këto perceptime të tyre, shumë mirë i ka përshkruar  imami i njohur bashkëkohor islam Muhamed el Gazali, i cili ka thënë: ”Unë shkova në Iran, për të vërtetuar çështjen, e ndryshimit të Kur’anit Famëlartë. Gjatë vizitës sime, e cila zgjati me ditë, madje me javë, në qytetin e Teheranit dhe Kumit, vura re se myslimanët shiitë e Iranit, e puthnin dhe e vendosnin në ballë Kur’anin Fisnik, të botuar në Medinën e Ndriçuar, nga ana e mbretit saudit Fahd”. Më tutje,  Muhamedel Gazali, për shkurtpamësinë e vehabizmit, ka thënë: ”Nëse në Iran, paska një tjetër Kur’an, pasi uehabistët e shtypin këtë Kur’an, dhe ua shpërndajnë miliona myslimanëve, në mesin e tyre edhe atyre iranian. Vallë a nuk është kjo një shpifje ndaj Allahut?!Vallë përse vehabistët, shpifin ndaj familjes së Muhamedit  dhe myslimanëve shiitë?!”

Tek doktrina vehabite është edhe një perceptim i gabuar, pasi që  japin më shumë rëndësi, hadithit si burim sekondar i jurisprudencës islame, kundruall Kur’anit si burim primar i jurisprudencës islame. Ky absurditet i cili është prezent tek doktrina vehabite, e ka vu re edhe dijetari i shquar Muhamed Gazali, i cili ju drejtohet atyre, vëllezërve vehabit për këtë çështje, me pyetje të shtruar:”Cili është ai,i cili jep më shumë rëndësi,një hadithi të shënuar,në veprën e Sahih’ul-Buhari,më tepër se Kur’anit Famëlartë?”

Për absurditetin e ideologjisë vehabiste, edhe vetë jam vërtetuar “live”, sivjet gjatë qëndrimit tim në Meke dhe Medine në Arabinë Saudite, gjatë kryerjes së ibadetit(ritualit) të Haxhit, si një nga pesë shartet(kushtet) e fesë islame. Në mesin e 2, 5 milionë haxhinjëve që e kanë kryer haxhin sivjet në Meke, ishin edhe rreth 85.000 haxhinjtë nga Irani, që i kryen të gjitha ritualet e Haxhit, tavafin, sa’in, qëndrimin në Arefat, Muzdelife, Mine, të cilët lexonin Kur’anin nga raftet e  vendosura të shumta rreth e përqark Qabesë, falnin namaz, bënin dua, lutje, mbanin ligjërata, sipas shkollës së tyre juridike xhaferite. Si është e mundur që nga një anë perceptimi vehabit t’i përkufizojnë si jo mysliman,  i përkasin fesë tjetër,  kanë Kur’an tjetër, që janë më të rrezikshëm se hebrenjtë dhe krishterë, ndërsa në anën tjetër myslimanët shiitë, jo vetëm nga Irani, por edhe nga vendet tjera ku jetojnë myslimanët shiitë, sikurse Iraku, Libani, Azebejxhani, Bahrejni, Pakistani, India, Afganistani, etj., së bashku me myslimanët sunitë, faleshin, lexonin Kur’an, bënin dua, lutje dhe i kryenin ritualet e haxhit, dhe atë pikërisht në Meke dhe Medine të Arabisë Saudite??? Çudi se jo mahi, i thonë kësaj!!!

Myslimanët në botë, tani jetojnë në shek. XXI-të, nuk është shekulli i XIII-të gjatë të cilit ka jetuar dhe vepruar Ibn Tejmije, apo shekulli XVIII-të gjatë së cilës ka jetuar dhe vepruar Muhamed in Abdylvehabi. Myslimanët kudo në botë kanë  qasje të drejtpërdrejtë dhe komunikim të pandërprerë në internet, duke i përdorur me të madhe rrjetet sociale, çoftë nëpërmjet celularëve apo kompjuterëve, të gjitha aplikacionet e mundshme aktuale virtuale, sikurse që janë Google, Facebook, Twitter, Viber, Whatscapp, si dhe qindra mijëra portale të ndryshme, nga të cilët arrijnë të kenë qasje të shpejta në mësime  dhe njohuri islame të shumta dhe të ndryshme të bazuara  në  logjikën e të menduarit, e jo vetëm të atyre të njohurive të gabuara  që e përjashtojnë logjikën e të menduarit,  të Ibn Tejmijes apo Muhamed in Abdylvehabit, si të vërteta të vetme ekskluzive.

Qasja e interpretimit  të gjertanishëm të tillë të islamit rigjid të pranishëm në Arabinë Saudite, por edhe në botën islame, shpresoj dhe besoj që  gjatë viteve të ardhshme do të ndryshojë me paralajmërimin e rikthimit  drejt interpretimit  të islamit të matur nga zyrtarët më të lartë saudit.