“Zero tolerancë ndaj islamit radikal”- Albert Rösti

Publikuar në Nën. 1, 2017, 1:12 a.m.

She i Partisë Popullore e Zvicrës (SVP) e ka krahasuar islamin radikal me një ujk që i hidhet grigjës së deleve. “Islami radikal në Zvicër: çfarë duhet bërë?” Kjo ishte tema e Kuvendit të Partisë Popullore të Zvicrës (SVP), i cili u mbajt gjatë fundjavës në Frauenfeld të kantonit Thurgau.

Sipas traditës së partive zvicerane në Kuvend ishin ftuar edhe referues, të cilët merren me temën e radikalizmit islamik në Zvicër. Gazetari Kurt Pelda, i cili prej vitesh hulumton në botën agresive të islamistëve, vlerëson se numri i myslimanëve të radikalizuar në Zvicër sillet rreth 1000 vetave, ndërsa numri i xhamive është rreth 250.

Sipas tij është shqetësuese mungesa e njohurive mbi këtë skenë dhe lidhjet e saj. Nuk dihet, shtoi ai, as numri i saktë i xhamive.

Edhe më pak autoritetet dinë për zhvillimet brenda xhamive. Referuesi tjetër ishte zëvendësshe i shërbimit informativ të Zvicrës, Paul Zinniker. Ndërsa mendimet e mysafirëve të ftuar për të referuar ishin të diferencuara, kryetari i SVP-së, Albert Rösti, u shqua me gjuhë të ashpër.

Ai e krahasoi islamin radikal me një ujk që i hidhet grigjës së deleve. Sapo të futet mes girgjës, ai shndërrohet më përbindësh, tha Rösti.

Para delegatëve Rösti prezantoi një katalog me kërkesa ndaj myslimanëve. Katalogu mban titullin: «Zero tolerancë ndaj islamit radikal». Prej myslimanëve kërkohet të respektojnë ligjet dhe kulturën. Nga shteti kërkohen kontrolle sistematike kufitare dhe ndalim të burkës.

“Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2015 SVP ka marrë më shumë vota se kurrë më parë. Që nga atëherë ajo mezi ka arritur ta ruajë pozitën si partia më e fuqishme në parlamentet kantonale. SVP duhet të administrojë suksesin e saj. Tema e antiislamizmit pritet të ndihmojë”, shkruan gazeta “Neue Züricher Zeitung”.