Imam Aliu, Shëmbëlltyra e Drejtësisë

nga Valbona İsmaili | Publikuar në Tet. 30, 2017, 3:04 a.m.

Historia e njerëzimit njeh shumë figura eminente, të cilët kanë shërbyer për të tjerët si udhërrëfyes për të pikasur drejtimin e humbur, sidomos në kohëra të turbullta, të ngjashëm me yjet që kanë qenë udhërrëfyes për shumë detar në epoka të ndryshme. Islami si feja më e plotë dhe kronologjikisht më e re na ka dhuruar me qindra shembuj të tillë dhe koha e përhapjes së Islamit si dhe sundimit të Halifëve të Drejtë është një burim i pashtershëm për personalitete të tilla. Është një parim shumë i thjesht, që po thotë, për të njohur doktrinat e një feje mjafton të analizosh personalitetet që e përfaqësojnë atë, dhe për këtë qëllim në këtë artikull do të sjellim shembullin e imam Aliut, në kohën kur ai ishte udhëheqës i shtetit islam, pra Halifatit.

 Imam Aliu si halifi i katërt dhe një nga njerëzit më të afërt me Profetin e Islamit, për personalitetin e të cilit flasin dhjetëra ajete Kur’anore dhe qindra thënie Profetike, pa diskutim është një nga kolosët e Islamit dhe titanët e civilizimit botëror. Ndaj në vazhdim do ta shqyrtojmë një nga ligjëratat e imam Aliut, transmetuar në librin Nehxh-ul Belaga siç është  fjalimi numër 216. Më pas duke u mbështetur te komentimi i dijetarit eminent bashkëkohorë, al-lame Muhammed Taki Xhaferri Tebrizi  do t'i shtjellojmë aspektet e ndryshme të kësaj fjalie, që është mbajtur nga një udhëqes sa politik, po aq dhe fetar. Në këtë fjalim imam Aliu iu drejtohet njerëzve me disa këshilla se si duhet të sillen ata me të si udhëheqësi i tyre politik, pra si duhet të jetë relacioni udhëheqës-popull.

 Ai po thotë :  "Mos më lavdëroni me fjalë të ëmbla për shkak të detyrës që po kryejë, sepse çlirimi i personalitetit nga robërimi ndaj dëshirave inferiore dhe nxjerrja e tij në shërbim të Zotit dhe juve (popullit) nuk ka falënderim. Unë nuk bëj gjë tjetër përveçse në bazë të përgjegjësisë sime njerëzore-hyjnore kryej obligimet  individuale dhe shoqërore që më takojnë dhe zbatoj detyrimet e obligueshme që janë të domosdoshme për mua. Komunikimi juaj me mua mos te jetë si ai me njerëzit despot dhe në mënyrë artificiale. Madje në praninë time mos silluni me përulësinë dhe nënshtrimin që tregoni ndaj të fortëve (arrogantëve). Mos m'u qasni me sjellje dhe qëndrim të shtirur. Mos mendoni që kur më thuhet një e vërtet do të më vjen rëndë apo do të konsiderojë veten mbi atë të vërtetë. Kjo sepse person, i cili, kur dëgjon një e vërtetë, apo kur atij iu serviret e drejta ndihet në siklet nga dëgjimi apo pranimi i tyre, të vepruarit në bazë të atyre do të jetë akoma më e vështirë për të. Kurrë mos hezitoni të më tregoni të vërtetën, apo të më këshilloni për zbatimin e drejtësisë. Unë nuk jam mbi gabimin dhe nuk jam imunizuar nga bërja e gabimit në punën time, përveç nëse Zoti që është më mbizotërues mbi mua sesa vetja ime të më mjaftojë (imunizojë). Pra realiteti është ky që unë dhe ju jemi robër në posedim të Zotit, i Cili nuk ka shoq. Posedimi dhe Mbizotërimi Absolut që ka Ai mbi shpirtin dhe uni-në tonë, është përtej asaj që kemi ne mbi veten tonë. Ai na nxorri nga gjendja (e mjerueshme) në të cilën ishim dhe na vë në udhën e progresit. Pra Zoti i Madhëruar devijancën tonë e shndërroi në udhëzim dhe na dha shikim e vizion pas verbërisë."

Siç mund të vërejmë në këtë tekst ka shumë mësime të vyera për aktualitetin tonë, në një botë të trazuar, ku e vërteta dhe e drejta nuk çmohen, por konsiderohen si pengesa përpara ambicieve të sëmura të shumë udheheqësvë lokal dhe global. Shpjegimin e fjalimit do të fillojmë me një thënie të  perifrazuar të filozofit gjerman Emanuel Kant në lidhje me përgjegjësinë dhe obligimin. Në linja të përgjithshme ai po thotë  :

"O përgjegjësi (obligim), o emër të lartësuar dhe madhështor, ti nuk je aq tërheqës dhe i pëlqyer, por shpesh vë në lëvizje vullnetin e njerëzve; ligjinë që e vendos ti vetiu gjen rrugën drejt brendësisë së njeriut. Dhe të gjitha dëshirat inferiore edhe pse në brendësi veprojnë kundrejt teje, por janë të heshtura në praninë tënde. O përgjegjësi, cili është burimi i denjë për ty, prej të cilit zanafillon ti? Ku mund të kërkojmë origjinën tënde fisnike, sepse ajo me vetëmjaftueshmëri të plotë iu largohet dëshirave inferiore. Vlera e njëmend të cilën njerëzit mund të sigurojnë për veten buron po nga ajo origjina dhe rrënja. Njeriu që është pjesë e botës ndijore po me anë të atij parimi transhedon nga vetja dhe ngjitet në botën intelgjibille."  

Pra le të mendojmë me veten: Vallë, a mund ta trajtojmë kryerjen e një përgjegjësie sakrale të tillë si një koncesion a marrje dhe dhënie konvencionale? Madhështia dhe vlera e pergjegjësisë është më sublime sesa të shitet, qoftë me dakordësinë e ndërgjegjes, pa menduar fare që të shkëmbehet me falënderimin e njerëzve, që vetiu është diçka e pavlefshme (përveç nëse falënderimi apo mirënjohja të jetë indikator për mirëqenien e njerëzve, diçka që është më e mirëpritur për një udhëheqës të drejtë dhe të urtë). Megjithatë Prijësi i besimtarëve kryerjen e përgjegjësisë së vetë nuk e shkëmben as me falënderim i këtij lloji, sepse në një vend tjetër ai deklaron se rehatinë, mirëqenien dhe progresin e shoqërisë e shikon nga një këndvështrim më të lartë dhe po thotë : "Dhe unë ju dua për Zotin" ; domethënë mirëqenia, progresi dhe rehatia juaj janë shkalla për t'u ngjitur lart drejtë përsosjes. Edukimi dhe përgatitja e njerëzve për një lëvizje të tillë është një përgjegjësi që imam Aliu thellë në shpritin e tij e konsideron si një domosdoshmëri e jetës së qëllimshme për veten e tij. Pra në fakt imam Aliu me kryerjen e obligimeve shoqërore është duke marrë frym në atë jetë të qëllimshme dhe frymëmarrja në relacion me jetën nuk ka nevojë për falënderim. Arsyeja e kësaj çështje është fjalia në vijim : " sepse çlirimi i personalitetit nga robërimi ndaj dëshirave inferiore dhe vënia e tij në shërbim të Zotit dhe juve (popullit) nuk ka falënderim".

Le të mendojmë dhe një çast tjetër rreth asaj se për ç'arsye unë kryejë obligimet, përgjegjësitë? Unë duke e kryer përgjegjësinë dhe obligimin e çlirojë shpirtin tim nga zgjedha e natyrës dhe epsheve shtazarake.

A mundet që realizimi i një çlirim të tillë të shkëmbehet me koncesione? Cila çështje me vlerë mund ta caktojë dhe paguajë çmimin e këtij çlirimi? Pasi të çlirojë shpirtin tim nga zgjedha e natyrës dhe epsheve, cili është drejtimi ku duhet ta çojë atë, pra personalitetin tim? Drejt juve, njerëzve. Kush vallë jeni ju që unë personalitetin tim j'ua drejtojë juve? Ju njerëzit jeni filizet e kopshtit të Zotit, ku secila nga gjethet, degat dhe fryti i tyre manifeston dhe përcjell një melodi prej "tingujve" kryesore të qenies dhe ekzistencës. Mu për këtë arsye çuarjen e shpirtit tim drejt jush e caktova si një destinacion që më vë në udhën drejtë destinacionin përfundimtar, që është Zoti.    

Komunikimi juaj me mua mos te jetë si ai me njerëzit despot dhe në mënyrë artificiale. Madje në praninë time mos silluni me përulësinë dhe nënshtrimin që tregoni ndaj të fortëve (arrogantëve). Mos m'u qasni me sjellje dhe qëndrim të shtirur.

Kërkesa ime është kjo : Për të evituar faktin që jeta ime dhe jeta juaj të kthehet në peng të dëshirave dhe epsheve inferiore; për t'i mos shtrembëruar dhe devijuar realitetet; që mos të ndihemi të turpëruar para personalitetit dhe ndërgjegjes sonë të lirë, si dhe mos të asfiksojmë vlerat (sublime njerëzore) le të ballafaqohemi me personalitetet tona reale në mënyrë që përgjegjësitë tona t'i azhurnojmë me vetë realitetet. Ka mundësi që ju të ballafaqoheni me personalitetin tim për njërën prej dy shkaqeve :

Shkaku i parë :  Kjo që njëmendësisht ju mendoni që unë kam epërsi ndaj jush dhe ju paraprijë, si dhe posedoj fuqi përtejë fuqive tuaja. Nëse përballeni me mua me këtë bindje unë jua them : Unë nuk jam ai që ju supozoni. Gjendja ime në jetë dhe në zinxhrinë e ngjarjeve dhe ligjeve universale, pavarësisht situatës në të cilën jam, është në varësi të Zotit. Si rrjedhojë çdo lloj epërsie që ju paramendoni për mua është rezultat i atij ligji hyjnor që po thotë : "Secili njeri që është i gatshëm për evoluim, çdo epërsi dhe favor që përfiton në udhën drejt këtij caku konsiderohet si frymëmarrje e domosdoshme për shpirtin në atë udhë". Për pasojë unë për nga aspekti që jam një krijesë që rrjedh nga dheu e me anë të ndërveprimit të elementëve të natyrës (shndërrohem në një qenie biologjike) nuk kam ndonjë epërsi. Që nga koha kur fillova udhën e evoluimit, "vetja" që posedoja është shndëruar në "unë" e më pas "uni" në shpirt human. Po ashtu përsosmëria është një nga atributet hyjnore, udha e evoluimit, shenjat dhe tabelat në të i takojnë Zotit, forca e perceptimit të asaj përsosmërie, udhës dhe shenjave në të, të gjitha i takojnë Zotit. Vetëm dija dhe vullneti për të ecur në këtë udhë më takojnë mua. Por kur kam reflektuar me kujdes mbi këta dy krahët e fluturimit, forca e tyre po ashtu është prej mirësive të Zotit. Atë që ia referoj vetes është shpenzimi i kësaj force në destinacionin përkatës dhe vetëdijen time në udhën e persosjes dhe aq. Mirëpo, ditë e natë koncepti shtytës për mua është : La hawle we la kuweete il-la bil-lah  (Nuk ka forcë dhe lëvizje përveç prej Zotit).

Tërësia e këtyre situatave nuk mund të sendërtojë për mua një pamje dhe personalitet të realizuar vetiu, në mënyrë që ju të më konceptoni në një pozitë më superiore nga udha ime, të viheni në siklet para meje dhe të dorëzoheni duke u shmangur nga deklarimi i së vërtetës. Ju me anë të kësaj bindjeje të pavend jeni duke injektuar në shpirtin tim në mënyrë të pamëshirshme helmin vdekjeprurës. A nuk e dini ju se :

Secilit njeri që të tjerët i thurin elozhe    shpirtin e tij e ngarkojnë me helme

Nënshtrimi juaj poshtërues përballë pozitës sime të lakmuar e errëson jetën time dhe bën që shpirti im të digjet dhe të vuajë për  gjendjen e njerëzve.

Shkaku i dytë :  Ju nuk besoni në superioritetin dhe madhështinë time humane-hyjnore, por merrni parasysh situatën time aktuale (si udhëheqës) që përbëhet nga influenca politike në shoqëri, forca për të ndërhyrë në të gjitha çështjet si dhe dhënia e koncesioneve materiale secilit që dua dhe si rrjedhojë silleni si lepurë përball luanit. Në këto rrethana ju jeni duke u tallur dhe me mua dhe me veten tuaj. Iu betohem qenies së stërpastër të Zotit tim se ky është një presupozim mizor ndaj meje dhe është një padrejtësi e madhe që i bëni vetes. O njerëz, pse insistoni me aq ngulm në asgjësimin e vlerave njerëzore! Mos vallë jeni angazhuar e betuar që parimet dhe vlerat njerëzore t'i burgosni përbrenda rreshtave të librave! Çfarë angazim i shëmtuar dhe çfarë betim kriminogjen përdorni për ta thyer angazhimin tuaj dhe për ta fyer Qenien e Shenjtë në të cilën po betoheni. A nuk shikoni dot me sytë e tuaj që unë edhe pse kam krahun më të fortë dhe shpatën më të mprehtë, por sërish kam shumë frikë nga derdhja e  padrejtë bile të një grimce gjaku se mos përfundojë në ndëshkmin e përjetshëm të Zotit tim.

A nuk e vëreni që unë këpucët e mia i riparoj dhe i qep, në mënyrë që mos ta konsiderojë personalitetin e njeriut që mban emrin Ali bin Ebi Talib (pra vet imam Aliu) si superior ndaj personalitetit të njeriut të zakonshëm? Ejani në vete dhe reflektoni për një çast se kush qëndron përball jush? A nuk dëgjuat thënien time atë ditë kur deklarova se nëse më jepet toka dhe qiejt bashkë me atë që është midis tyre dhe në shkëmbim më kërkohet të heq nga goja e milingonës ushqimin e saj, si dhunim i jetës që është manifestim i mëshirës hyjnore, unë këtë kurrë nuk do ta pranojë. Pra mos sendërtoni për mua një personalitet jo real dhe mos e nënvleftësoni vlerën tuaj.

Mos mendoni që kur më thuhet një e vërtet do të më vjen rëndë apo do të konsiderojë veten mbi atë të vërtetë.

Vini re me saktësi atë që po jua them. E Vërteta që në fillim më krijoi nga një grusht dheu e më pas më dhuroi jetë dhe më bëri me "pend" dhe "krahë" për të "fluturuar" në atmosferën e mendimit, reflektimit dhe vullnetit krijues; më pas më tregoi pikënisjen, trajektoren dhe pikësynimin e lëvizjes sime evolutive si dhe më siguroi lulëzimin e talenteve dhe kapaciteteve të mia për të lëvizuar në këtë udhë, a mundem unë me dëgjimin e fjalave të cilat konsiderohen si ndërmjetësues për manifestimin e asaj të Vërtete, të ndihem i sikletosur? Hiqni dorë nga ajo logjikë vrastare që thotë : Faktori i lëvizjes së lehtë dhe forcës së valëvitjeve përfundimtare të njeriut që është e Vërteta eshtë shkak i stanjacionit, rëndesës dhe paralizimit të njeriut!! Jo, më dëgjoni se çfarë po iu them : Unë nuk kam dyshyar tek E Vërteta që nga koha që më është shfaqur[1]. Unë e njoh plotësisht të Vërtetën dhe e di më së miri se : E vërtata është prej Zotit tënd[2]. E Vërteta është ai realitet konstant që është fondament i jetës së pozicionuar kah evoluimit dhe përsosjes. Si rrjedhojë, si ka mundësi që të vendos karakteristikat e jetës së unit natyral, i cili gjithnjë anon drejt materiales dhe tokësores, përmbi fondamentin e unit tim sublim që është e Vërteta?!!

Unë nuk jam mbi gabimin dhe nuk jam imunizuar nga bërja e gabimit në punën time, përveç nëse Zoti që është më mbizotërues mbi mua sesa vetja ime të më mjaftojë (imunizojë).

Unë që lëviz në udhën e së vërtetës me gjithë kapacitetin tim nuk pretendoj posedimin e atij absoluti që asnjëherë të mos mënjanohem nga rruga e së Vërtetës. Unë kurrë nuk e konsideroj veten se kam arritur atë përsosmëri absolute që gabimi të mos ketë akses në esencën time. Dëshira ime gjithnjë në rritje për realizimin e përsosmërisë dhe intensifikimin e vazhdueshëm të përpjekjeve të mia në rrugëtimin drejt qëllimit më eminent të ekzistencës sime është një dëshmi e qartë për atë se ajo çfarë më preokupon është esenca ime dinamike (që lëviz) në drejtim të qëllimit sublim të jetës sime. S'do mend se kjo lëvizje dhe orvatje realizohet nëpërmjet "shkëmbinjve" dhe "fushave plot gjemba" të natyrës dhe afekteve vërshëlluese brenda interiorit tim. Në këtë gjendje si mund të pretendojë se unë nuk ndiej nevojë për thëniet e vërteta, jam mbi të vërtetën dhe jam imunizuar nga çdo lloj gabimi?

Në këtë fushë të ndjeshme të jetës evolutive, kur individit më të përsosur njerëzor, pra Muhammed bin Adbullahut (s.a.a.) i thuhet : "Dhe sikur të mos kishim forcuar ty, ti gati anove diçka pak tek ata. E atëherë Ne do ta shijonim (ty) mundimin dyfish të kësaj jete dhe dyfish të jetës tjetër, pastaj ti nuk do të gjeje mbrojtës kundër Nesh"[3], unë që jam edukuar nga dora e Tij dhe e kam ndërmarr udhën e përsosmërisë nën efektin e magnetizmit të tij, vendi im dihet se ku është. E vërteta nuk është një qenie, paracaktuar, limituar, që posedon kualitet të caktuar, i sendërtuar paraprakisht, që shitet e blihet dhe unë të shkojë ta blejë atë. Dhe më pas me mendje të qetë të jetojë në rrjedhën e zakonshme të jetës duke pritur fundin e saj. Unë realitetin e së vërtetës j'ua kam shpjeguar qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë qoftë figurative, sikur damaret e diamantit të shtrira në brendësi të minierës së qymyrit. Linjat shumë të  stërholla të së vërtetës kalojnë nëpër format tejet të ndërlikuara të falsitetit. Si rrjedhojë rrugëtimi në udhën e së vërtetës gjithnjë shoqërohet me rrëzimin e falsitetit. Sikur gjembat që e kanë rrethuar trendafilin.

Tani ju tregoj rezultatin e pamohueshëm të këtij konceptimi të saktë për të vërtetën. Nuk është personaliteti i njeriut që e përfiton të vërtetën, mirëpo me anë të çdo hapi që ai ndërmerr në udhën e së vërtetës, me gjithë falsitetet rrethuese, aspekt prej aspekteve të personalitetit të tij shndërrohet në një të vërtetë.

A e dini ju se cili është faktori qetësues në orvatjen e jetës, e cila zhvillohet në errësirën e natyrës dhe në mes të uraganit të epsheve? Ky faktor qetësues janë mirësitë, pra udhëzimet hyjnore, të cilat shoqërojnë udhëtarët sinqertë dhe me synime të çiltërta (të rrugës së Zotit). Me anë të mbështetjes te ky sinqeritet, burimin e së cilës e konsiderojë prej Zotit, unë nuk do të bëjë gabime dhe nuk dë të bjerë në humnerën e mëkatit.

"Pra realiteti është ky që unë dhe ju jemi robër në posedim të Zotit, i Cili nuk ka shoq"

Duke qenë i vetëdijshëm për këtë se çdo lloj favori që Zoti ia fal robit të Tij në fakt është një amanet që i jepet atij për ta ndarë me njerëzit tjerë, referimi i atij favori ndaj vetes dhe konsiderimi i vetes si pronar mbi atë favor dhe mirësie, i cili, duhet sikur uji të kalojë nga llumi dhe të ujit bahçen e jetës së njerëzve – është akt i shëmtuar i tharjes së jetës së njerëzve dhe luftë të hapur me Krijuesin e jetës.

Unë Aliu, i apasionuar pas të Dashurit të Amshueshëm dhe të Përjetshëm (Zotit) si mund të tentojë që të luftojë me atë të Dashur të Stërpastër. Unë madje milingonën e vogël që endet nëpër dhӗ e pranoj si ortakun tim në jetën e përgjithshme dhe nuk pranojë heqjen e cipës së elbit prej gojës së saj në këmbim të pronësisë mbi gjithë botën. A më lejohet ta privojë atë milingon të vogël, që ka qenë e denjë për t’u  zhytur në oqeanin e qenies dhe është krijuar, nga dy pika uji jetëdhënës!?

Çfarë paaftësie trishtuese është që ta humbasish pronësinë mbi veten tuaj duke imagjinuar pronësinë mbi favorëzimet dhe dhuntit e kufizuara dhe hedhja e “ujit të jetës” së njerëzve në tokë. Mandej me iluzionin : unë posedojë këtë epërsi, të prehemi në qetësi. Mjer për njerëz të tillë të paaftë, mjerë :

Në iluzion mbështetet paqja dhe lufta e tyre

Në iluzion mbështetet fama dhe intimidimi i tyre[4] 

Nëse favorizimet dhe dhuntit që i posedojnë njerëzit konsideroheshin si amante hyjnore a do të kishim ne njerëzit nevojë për Makiveli? A mund të shkaktonte vikatja pesimiste e Maltusit, e cila ditë për ditë forcohet, ankth dhe trishtim përmbytës tek banorët e kësaj bote?  Me një fjalë a do ishte bota në gjendjen e sotshme, ku vendimi dhe veprimi i gabuar i disa njerëzve mund të çonte botën në shkatërrime të paimagjinueshme dhe kolosale?  


[1] Nehxhul-Belaga, fjalimi 4

[2] Kurani Famëlart, kaptina "Familja e Imranit", verseti 60

[3] Kurani Famëlart, kaptina al-Isra, versete 74-75

[4] Vargje nga Mewlana Xhelaleddin Rumiu