Udhëpërshkrimi nga Haxhi (Pjesa e shtatë)

nga Faik Miftari | Publikuar në Tet. 30, 2017, 1:33 a.m.

2 shtator- ditë e shtunë

Sot në ditën e dytë të Kurban Bajramit, vazhduam me ibadetin( ritualin) e Haxhit, ashtu që pas orës 16.oo pas namazit të iqindisë, u nisëm drejt Minesë për të hedhur 21 guralecë, një simbolikë kundër shejtanit(djallit), dhe atë nga 7 guralecë në të tri xhemeratet(vend ndodhjet ). Për dallim nga dita e parë e hedhjes së guralecëve, fluksi i haxhinjëve ishte më i përballueshëm, pasi që ditën e dytë për haxhinjtë e shtyrë në moshë dhe të rraskapitur, këtë ritual ia kanë  kryer haxhinjtë tjerë. Ashtu  edhe unë veprova, përveç guralecëve të mia, i hodha edhe guralecët e për cimerin e dhomës sime, adashin tim, bacën Faik. Rruga prej hotelit tonë gjer në Mine  ishte e gjatë, rreth 2 km, ashtu që në këmbë ecëm pa ndonjë vështirësi të madhe. Rruga drejt Minesë ishte vërshuar nga haxhinjtë që vinin nga të katër anët e botës, dhe që të gjithë shkonin  drejt Minesë, për t’u përgjigjur të të njëjtit qëllim. Ishte një pamje impozante  që  përkujtonte ditën e Mahsherit( llogaridhënies), ditë në të cilin do të japim llogari për të gjitha veprat tona të kryera gjatë jetës sonë në këtë Dynja(botë) para Krijuesit Fuqiplotë. Inshallah (dhashë Zoti) të dalim faqebardhë në ditën e Mahsherit( llogaridhënies),  me shpresë  në haxhin tonë mebrur( të pranuar) nga Allahu fuqiplotë, si një nga pesë shartet (kushtet) e fesë sonë Islame.

3 shtator- ditë e diel

Sot ishte dita e tretë e Kurban Bajramit, njëkohësisht dita e tretë( e fundit) e hedhjes së guralecëve në Mine. Për dallim nga dita e mëparshme, drejt Minesë u nisëm në ora 17.oo  së bashku me cimerët e dhomës, adashin Faik, Osmanin, Burimi së bashku me nënën e tij, si dhe Besniku poashtu me nënën e tij, për të kryer ritualin e fundit të hedhjes së guralecëve, një simbolikë kundër shejtanit (djallit) të mallkuar, në të tria xhemerate t(vendndodhjet) , të madhin, të mesmin dhe të voglin. Pasi që përfunduam hedhjen e guralecëve,  bëmë për hajër(uruam) njëri tjetrit haxhin, pasi që me këtë edhe përfundoi kryerja e ibadetit(ritualit) të haxhit. Më tutje do  t’i analizojë një nga një, 4 vendet e kryerjes së ibadetit të haxhit, me të cilin ballafaqohet çdo haxhi  gjatë haxhit.

Tavafi i cili kryhet  përreth Qabesë, sa’i dhe falja e namazeve në Qabe, kishte një organizim dhe mbarëvajtje të duhur gjatë ditëve të Haxhit, në saje të angazhimit të pandërprerë, 24 orësh, të ushtarëve saudit, të cilët kishin zbarkuar një javë para haxhit, për të ndihmuar rojtarët e mirëmbajtjes së haxhit, për të përforcuar dhe mbajt rendin, e cila me të vërtet ishte  i mirëseardhur, sepse pa prezencën dhe ndihmën e ushtrisë saudite me të vërtetë do të paraqiteshin probleme për shkak të fluksit prej  2,5 milion haxhinjëve  gjatë ditëve të haxhit.

Arefati poashtu ishte i organizuar në nivel më të mirë për dallim prej viteve të mëparshme, duke marrë parasysh  se sivjet ishin vendosur tenda të mëdha, të shtruara me tepiha, si dhe të pajisura me sistem të klimatizimit, gjë që lehtësuan bukur shumë përballimin e haxhinjëve me vapën e madhe në Arefat.

Muzdelifja ishte vendi më i vështirë,  njollë e vetme në organizimin e haxhit, dhe  është për çdo kritikë Ministria e Haxhit e Arabisë Saudite  e cila akoma nuk e ka zgjidh në mënyrë të duhur  akomodimin e haxhinjëve, të cilët akoma përballem me kushtet katastrofale gjatë qëndrimit  të tyre në Muzdelife. Duke marrë parasysh që gjatë këtyre ditëve lexuam prononcimin  e princit saudit, trashëgimtar të fronit saudit,  Muhamed bin Selman, lidhur me projektin më të ri të ashtuquajtur NEOM që parashihej të ndërtohej në veri- perëndimit të Arabisë Saudite , një qytet smart megaloman në një sipërfaqe të gjithëmbarshme prej 26 mijë e 500 km2, kostoja e të cilit pritet të jetë 500 miliard dollar, në anën tjetër Ministria e Haxhit akoma nuk e sheh të arsyeshme të investojë 5 miliard dollar për akomodimin e haxhinjëve  gjatë qëndrimit të tyre në Muzdelife, si dhe ndërtimin të rrugëve alternative shtesë prej Arefatit gjer në Mine, e të cilët sjellin çdo vit me dhjetëra miliard dollar Arabisë Saudite përfitime nga aranzhmani  i Haxhit dhe Umresë. Të qëndrosh tërë natën, 10 orë, në një sipërfaqe të shtruar vetëm me zall dhe gurë, nën qiellin e hapur, pa kurrfarë shërbime tjera, me të vërtetë është për çdo kritikë. E vetmja lehtësi gjatë qëndrimit në Muzdelife, ishte mungesa e vapës dhe temperaturës të lartë , pasi qëndrimi në Muzdelife ishte gjatë natës, nga muzgu i mbrëmjes  gjer në agim të ditës. Pasi që falëm namazin e akshamit dhe jacisë dhe  tubuam guralecët, qëndrimi ynë tërë natën në Muzdelife ishte i panevojshëm në këto kushte ekzistuese që ishin, pasi që qëndrimi i obliguar ishte vetëm gjatë një pjese të kohës në Muzdelife, e të cilën ne e kryem, ndërsa qëndrimi në Muzdelife tërë natën ishte synet ( i preferuar), por jo edhe i obliguar për haxhinjtë. Sipas mendimit tim në këto kushte çfarë janë nuk duhej qëndruar  në Muzdelife,  më shumë  se që të kryhet falja e namazit të akshamit dhe jacisë, dhe grumbullimit të guralecëve, dhe do të ishte e preferuar të vazhdohej menjëherë rrugëtimi drejt Minesë, ashtu siç vepruan haxhinjtë e Bosnjës, pasi që qëndrimi në Mine ishte shumë më relaksues natën, në të cilin ishin të vendosura tenda të shumta ,  dhe ishin të pajisura me nyje të shumta sanitare, për tualet dhe abdest, si  dhe me ujë  për pije dhe freskim. Kështu që aty do të ishte më mirë të pritej sabahu(agimi) i ditës, gjersa të hapej rruga për të shkuar në Mine,  për të hedhur guralecë drejt shejtanit(djallit). Do të cek se edhe  qëndrimi në Mine gjatë  natës është synet  (i preferuar), njëjtë sikurse qëndrimi në Muzdelife gjatë natës.

 Xhemeratet( vendndodhjet) e shejtanëve(djallëve ) në Mine,  ishin të rregulluara dhe të projektuara në nivel të duhur, ashtu që për dallim nga vitet e mëparshme gjatë së cilëve ndodhnin edhe turma me pasoja vdekjeprurëse, tani në saje të planit të rregulluar, çdo gjë ka funksionuar si është më së miri. Afrimi drejt shtyllave të xhemerateve kryhej nga tri drejtime, dhe atë të gjitha ishin në një kahje lëvizjeje, dhe njëra me tjetrën nuk kanë pikë takimi. Ishte  kati përdhes, drejt së cilës  grup caktuar i haxhinjëve kryejnë hedhjen e guralecëve, vijon kati parë me drejtim tjetër, dhe kati i dytë poashtu nga drejtimi tjetër, ashtu që haxhinjtë nuk ka gjasa  të takohen në mes vete as para e as pas hedhjes së guralecëve. E  falënderoj publikisht  projektuesin e këtij plani rregullativ dhe operativ i cili funksiononte në mënyrë të duhur dhe të sigurt. Haxhinjtë që e kryenin hedhjen e guralecëve në katin e dytë e kishin në dispozicion edhe  ashensorin me të cilin zbritnin dhe shkonin drejt Mekës, me të cilin  ishte  lehtësuar bukur shumë qasja e tyre në Mine. Unë për shkak të kuriozitetit, për të parë të tria drejtime dhe të tri vendet ku bëhet hedhja e guralecëve në Mine, veprova në atë mënyrë, që ditën e parë të hedhjes së guralecëve e kreva, në katin e dytë, ditën e dytë në katin e parë dhe ditën e tretë në katin përdhes, dhe gjatë këtyre tre ditëve me të vërtet funksiononte si është më së miri hedhja e guralecëve ne Mine pa shkaktuar as problem më të vogël  nga fluksi i madh i haxhinjëve në Mine.

4 shtator-ditë e hëne

Sot ishte dita e katërt e Kurban Bajramit,  i dhashë vetes një ditë pushimi, pas 4 ditëve dhe netëve të kryerjes së ibadetëve (ritualeve) të haxhit, të cilët me të vërtet, dorën në zemër, nuk ishin edhe të lehtë por ishin të mundimshme në aspektin fizik.

Galabiat(fustanellat)  arabe ishin veshje tipike të meshkujve  arab. Kryesisht arabët mbanin galabitë me ngjyrë të bardhë,  me shaminë e kuqe mbi kokë , të përforcuar me një rreth të zezë që shërbente si mbajtëse e shamisë. Aty këtu kishte  meshkuj arab që mbanin  galabia edhe me ngjyra tjetër, si p,sh, drap, krem, përhimët, dhe me shamia të bardhë në kokë. Me të vërtet vetëm me galabia arabi vendor mund të përballonte ditët me vapë dhe temperatura të larta mbi 40 shkallë Celsijus, galabiat  ishin komode dhe ofronin  freski në krahasim me teshat tjera të zakonshme që i veshin meshkujt.

 Nga kuzhina arabe, më ka lënë përshtypje   specialiteti arab i ushqimit, i quajtur Al Bayik( El Bejik), i cili ishte shumë i shijshëm, të cilin e provova në saje të preferencës së cimerit tim të dhomës , Besnikut, i cili e kishte provuar këtë specialitet vite më parë. Ditën e tretë të Kurban Bajramit, pasi që ktheheshim nga Mineja për Meke, pas kryerjes së hedhjes së  guralecëve, Besniku  hetoi një shitore me specialitetin arab El bejik, dhe na ndaloi neve aty për aty, duke thënë se do të shkojë të blejë specialitetin El bejik për të provuar të gjithë neve që ishin së bashku me te. Ne ashtu vepruam, qëndruam aty, gjersa u kthye Besniku me specialitetin arab El bejik. Ne e provuam dhe hëngrëm,  me të vërtetë ishte ushqim shumë i shijshëm”per exellent”, të cilën pastaj hëngrëm edhe 2-3 herë gjatë qëndrimit tonë edhe në Medine. Specialiteti El bejik kushtonte 12 rijal(2,7 Euro), përbëhej prej kaçkavallit të mbështjell me mish të fërguar të pulës në formë të katrorëve të vogla. Ishin gjithsejtë 12  copë në formë katrori, me dy bukë senduiqi dhe me ketchap djegës apo të ëmbël varësisht prej shijes dhe preferencës  së klientit. Aq kalorik  ishte specialiteti arab El bejik, ashtu që edhe pas tri pijeve të gazuar, prapë se prapë akoma  nuk ishte  tretë, dhe atë natë  për herë të parë gjatë qëndrimit në Meke, nuk kam mund të hajë  darkë.

Specialiteti i ushqimit arab El bejik, si i tillë do të më mbetet përherë në kujtim dhe do të preferoj çdo njërit që do të shkojë në Arabi Saudite për të kryer Haxhin apo Umrenë të mos e lerë kurrqysh pa e provuar edhe këtë specialitet të shkëlqyer vendor arab,  që ishte për mua  I veçantë dhe shumë i shijshëm.