Nën trysninë e Bashkimit Evropian, rikthehet projektligji i ri për Kosovën

Publikuar në Tet. 26, 2017, 3:22 a.m.

Projektligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik ka kaluar në qeveri para dy javësh, por mundësia e miratimit të tij në Kuvendin e Kosovës shihet me skepticizëm.

Kjo, meqë viteve të kaluara, edhe pse është diskutuar e amendamentuar në Kuvend, në momentet e fundit është tërhequr dy herë nga seanca plenare. Herën e parë ishte tërhequr në maj të vitit 2015, nga ish-qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa.

Pas kësaj, nën trysninë e Bashkimit Evropian, Qeveria e Kosovës pati hartuar një projektligj të ri për konfliktin e interesit, të cilin në dhjetor të vitit 2016 e pati proceduar në Kuvend. Derisa ai ka qenë në procedurë në Kuvend, për shkak të rrëzimit të Qeverisë dhe shkuarjes së vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, Projektligji është kthyer në Qeveri për t’u riproceduar.