Njerëzimi dhe Misioni i tij i Posaçëm

Publikuar në Tet. 19, 2017, 3:37 a.m.

(si premisa për komentimin e Nehxh Al-Belaga-s)

 Nuk vihet në dyshim fakti që ne nuk mund të analizojmë personalitetin dhe figurën e ndritur të Imam Aliut  si personat njëdimensionalë që janë shfaqur gjatë historisë njerëzore dhe ta trajtojmë librin e tij Nehxh Al-Belaga si një vepër që është shkruar nga një person njëdimensional. Këtu ne kemi të bëjmë me një figurë që beson në një qëllim sublim për jetën, një udhëheqës që është i drejtë, në nivelin më të skajshëm të drejtësisë, që disponon dituri dhe njohuri të plota, në nivelin më të lartë, në lidhje me njeriun dhe botën, në raportin e tij me zanafillat eminente të gjithësisë, në konsiderimin e vetes si një pjesë e pandarë e shoqërisë njerëzore, në krijimin e kontaktit të drejtpërdrejtë me Krijuesin, në devotshmëri dhe dinjitet njerëzor nga lloji më i spikatur, në dëlirësinë e shprehjes, veprimit, mendimit dhe synimit ose nijetit të pastër dhe.... dhjetëra cilësi dhe virtyte të vyeshme që janë "grumbulluar" në figurën e Imam Aliut, fakt që pohohet unanimisht dhe pa kontestime nga historiografia, dhe gjithë kjo nuk mund t’i nënshtrohet një analize dosido, nuk mund të shpjegohet me konceptet dhe vlerat e zakonshme, sepse për një shoqëri në të cilën mbizotërojnë vlerat materiale, utilitariste, dhe jeta e pjesëtarëve të saj nuk shkon përtej unit natyror dhe në fakt është "shtimi ose intensifikimi i unit inferior", elementet përbërëse të personalitetit të Imam Aliut dhe përparësitë epërsitë e tij dhe veprës së tij Nehgj Al-Balaga duken si fantazira dhe gjëra imagjinare. Po ashtu, për shkolla fiozofike dhe rryma ideologjike, të cilat nuk njohin një origjinë dhe përfundim për njeriun, përveç atij tokësor dhe material, orvatja e të cilave ka për qëllim shtimin e unit të tyre natyror dhe jeta e të cilëve ka kuptimin e përjetimit të sa më shumë kënaqësive temporale, është e pamundur që të perceptojnë dhe "tretin" Aliun dhe Nehgj al-Belagan e tij. 

 Pikërisht për këtë ne e pamë të arsyeshme që si parakusht për komentimin e librit të Imam Aliut, të japim sqarime dhe opinionin tonë lidhur me njeriun, ose thënë më mirë në lidhje me njerëzoren dhe misionin njerëzor në këtë botë dhe jetë. Këtu do përpiqemi, aq sa na lejon kapaciteti dhe dituria, ta shtjellojmë dhe prezantojmë njeriun, parimet dhe ligjet parimore në lidhje me të dhe vlerat e vërteta që gëzon ai dhe, diçka që do të mundësojë sqarimin dhe komentimin e imam Aliut dhe Nehxh Al-Belagës së tij. Ndaj dhe artikulli ynë titullohet "Misioni i njeriut – si premisa për komentimin dhe shpjegimin e Nehxh Al-Belaga-s".

Ekzistimi i misionit ose qëllimit të njeriut nga pikëpamja e historisë

Fakti se për njerëzimin ekziston një qëllim, ose mision, dhe se për sqarimin dhe shpjegimin e ekzistimit të pikësynimeve ideale njerëzore nuk ka rrugë tjetër, përveç pranimit të  misionit të posaçëm njerëzor, nuk mund dhe nuk duhet të vihet në dyshim. Mjafton që ta heqim nga historia njerëzore "zbukurimet konceptuale dhe terminologjinë profesioniste" dhe ngjarjet e pamatura të historisë, dhe atëherë lehtësisht mund të konceptojmë këtë të vërtetë, që: misioni njerëzor ka qenë fuqia kryesore shtytëse në vazhdën e historisë. Ne mund ta vrojtojmë kontinuitetin dhe rrjedhën e këtij  faktori shtytës më të fuqishëm në historinë njerëzore në dy forma kryesore: 

  1. Vepra, shenja dhe indicie të shumta dhe shkrime të qarta dhe kategorike flasin që: Raca njerëzore, që nga koha më e largët që është dokumentuar dhe që mund t'i nënshtrohet analizës shkencore e deri më sot, ka pasur bindje, rite dhe veprime, mendime dhe shpresa të qarta në lidhje me idealet që duhet t'i përvetësojë. Këto përpjekje mendore, ideologjike, veprimore dhe fetare konsiderohen si një dimension kryesor, përkundër aspektit natyror të kulluar të njeriut që konsiston në orvatje për ta siguruar mbijetesën dhe koordinimin e jetës së zakonshme. Secili dijetar dhe historian, që analizon njeriun vetëm nga pikëpamja tokësore pa i kushtuar vëmendje aspektit ideor të njeriut, në të vërtetë, e ka njohur njeriun, ose një pjesë të tij, vetëm me njërin dimension të tij.
  2.  Vetë shqyrtimi i drejtpërdrejtë i pohimit "Për njeriun duhet të ketë një mision të posaçëm", jo në kuptimin që ka ekzistuar githnjë gjatë historisë në shoqëritë e ndryshme si parim, në mënyrën që e formuluam më lart, dhe si slogan i dimensionit ideor (shpirtëror) të njeriut, por në kuptimin që "Duhet të bëhem më mirë sesa jam tani, duhet të transformohem në një njeri më të mirë" vërehet në të gjitha shoqëritë dhe kohërat. Terminologjia dhe shprehjet që janë përdorur për këtë dimension spiritual (ideal) janë në forma dhe nga lloje të ndryshme. (Fjalën ideal këtu nuk e përdorim në kuptimin e dëshirave të pavlefshme ose imagjinare që shfaqen në mendjet e njerëzve "të varfër" për nga perceptimi i realiteteve, por për ato qëllime eminente që mund ta shpjegojnë dhe t’i japin kuptim jetës së njeriut me gjithë karakteristikat e saj si: kalimësia, kënaqja, vrazhdësia, hidhërimi etj., duke e bërë njeriun, këtë grimcë të historisë dhe qenësisë, që lidhen me gjithësinë e pafundme, të entuziazmuar dhe dashuruar në jetën).

Sqarim në lidhje me themelin e pyetjes: "A ka njeriu ose njerëzorja një mision të posaçëm"?

Ka njerëz të tillë, mendjelehtë, të cilët për ta hequr brengën dhe brerjen e ndërgjegjes së tyre, ose për të prezantuar qëndrimin e tyre të papjekur si të logjikshëm, me një shpejtësi të veçantë, ofrojnë opinione të përgatitura paraprakisht në lidhje me tema aq me rëndësi dhe me ndikim jetësor për njeriun, përgjigje, të cilat i kënaqin vetëm ata dhe më pas i detyrojnë të tjerët që t'i pranojnë si të vërteta universale. Edhe në rastin tonë, kur njerëz të tillë përballen me pyetjen që kemi parashtruar thonë: "Kjo është një pyetje imagjinare dhe abstrakte, që ka si qëllim ta mashtrojë njeriun duke e larguar nga vërteta e hidhur që njeriu i nënshtrohet determinizmit materialist, dhe e ndihmon atë që të shpërfilli fatalizmin që e rrethon jetën e njeriut, fakt i cili me një vrazhdësi të posaçme e torturon mendjen (qenien) e tij, duke e zhytur atë për çaste në meditime për ta shkëputur nga realiteti, por pas mbarimit të efektit drogues të tij, ai prapë kthehet në realitetin e hidhur". Këta njerëz mendjelehtë nuk kuptojnë që konsiderimi i kësaj pyetjeje si imagjinare dhe neglizhimi i faktit që meditimi mbi këtë pyetje është i vetmi shpëtues i njerëzimit, është vetë një faktor "drogues" që vepron si opium dhe përfundon në vdekjen e njerëzisë.

   Ka dhe njerëz të tillë, meqë vetë janë dashuruar me natyrën dhe e adhurojnë atë (pa e analizuar dhe sistematizuar atë në mënyrë shkencore) që mendojnë se çdo pyetjeje duhet të burojë nga adhurimi dhe dashuria e tyre sipërfaqësore ndaj natyrës dhe, sikurse peshku i vogël që vetë është produkt i oqeanit dhe kërkon ta perceptojë filozofinë e ekzistimit të oqeanit nga pozita e tij e kufizuar, edhe ata parashtrojnë pyetje që janë produkt i këtij perimetri të kufizuar dhe nuk e tejkalojnë atë, thënë ndryshe ata janë si një milingonë që është futur në topin e futbollit dhe kërkon që të shprehet për lojën e futbollit dhe filozofinë e humbjes dhe fitimit, ose për 15 miliard rrjetet komunikuese që çdo lojtar i ka në trurin e tij!!! Për këta njerëz, përgjigja e pyetjes sonë do ishte: Natyra, edhe nëse është e verbër, do të vazhdonte rrugën e saj duke u mbështetur në shkopinj dhe ne nuk njohim ndonjë mision tjetër për njeriun përpos këtij ligji të natyrës. Si rrjedhojë, ata do të pohonin që ndërhyrja e një njeriu, ose grupi njerëzish si bartës të misionit njerëzor në sistemet njerëzore, të cilët e çojnë përpara rrugën e tyre, është si intervenimi i menaxhimeve këshilluese në çështjet ekonomike të shoqërisë, të kundërshtuar dhe mohuar nga ekonomistët fiziokrat.[i]

  Ata, me maskën e tyre pseudorealiste, e injorojnë krejtësisht betejën e përhershme të jetës dhe vetitë e saj me faktorët jofrymorë të natyrës dhe me faktorët konshient të despotëve qëllimkëqij, të cilët kanë për qëllim nënshtrimin e njeriut.  Njerëz të tillë e lënë në harresë faktin që principi në fjalë, pra misioni i njeriut (njerëzimit) në çdo kohë dhe shoqëri, është si uji jetëdhënës  për rrënjët humane të njerëzve dhe ne iu këshillojmë atyre që të vënë re se: lënia e çështjeve njerëzore në duart e natyrës dhe ligjeve të saj është si heqja e armës së njërës prej dy palëve rivale (njerëzimi në njërën anë dhe të fortët adhurues të natyrës në anën tjetër).

 Ka dhe një grup të tretë që udhëhiqet nga parulla vdekjeprurëse: Çdo i fortë së pari u dobësua dhe më pas vdiq, dhe duke u mbështetur te përkrahësit e teorisë së primaritetit të fuqisë dhe mbijetesës së të fortit, ata e mohojnë krejtësisht koncepte si ‘misioni i njerëzimit’, duke e konsideruar si parullë dhe mendim që ekziston vetëm në dramat e shkruara nga filozofët. Për këta njerëz pyetja si: A ka njerëzimi një mision të posaçëm? - dhe përgjigjet që i jepen, cilado qofshin ato, trajtohen si britma të njerëzve të dobët që vuajnë nga barra e luftës për ekzistencë dhe mbijetesë, të cilat edhe pse nuk ndikojnë në favor të tyre në këtë fushëbetejë, megjithatë mund të ndikojnë sadopak për qetësimin e tyre dhe për pak çaste t’i ngushëllojnë ata. Nëse na pyesni: Atëherë cila është logjika e njerëzve të këtyre tre grupeve që mohojnë ekzistimin e një misioni të posaçëm për njerëzimin, si përgjigje duhet thënë se ata gabojnë vetëm në një gjë, dhe ajo është që për këta njerëz nuk ekziston (krijesa e quajtur) njeriu, pra ata e mohojnë njeriun dhe, si rrjedhojë, nuk parashtrohet edhe pyetja për misionin e tij. Dhe kur flasin për njeriun, në fakt, ata nënkuptojnë krijesa frymore, shtazarake, që janë pjella të lëvizjeve sistematike të natyrës jofrymore të pandërgjegjshme, të cilët janë duke bredhur në mes hallkave të llojeve të ndryshme të zinxhirëve deterministike dhe vullnetare që i kanë krijuar me duart e veta. Më pas i konsiderojnë këto veprime, që zakonisht ua atribuojnë shkaqeve dhe pasojave evolutive të privuara nga ndonjë qëllim i posaçëm dhe kaotike si historia dhe për të vetëkënaqur veten e tyre shpikin dhe një drejtim të ri në emër të filozofisë së historisë. Kur përballen me pyetjet e shumta dhe vikatjet e njerëzve eminentë dhe të mëdhenjve të historisë së njerëzimit dhe flijimet e heronjve dhe, po ashtu, për ta qetësuar ndërgjegjen e tyre ata marrin pozën e mendimtarëve të mëdhenj të lashtësisë dhe përgjigjen me shprehje të fabrikuara paraprakisht: “Skllavërimi është një fenomen i gabuar” ose “Të gjithë njerëzit duhet të gëzojnë të drejtën e të jetuarit”. Për ne këto shprehje nuk bartin asnjë kuptim të qartë, pra nuk zgjidhin asnjë problem njerëzor. Ato, megjithatë, mund të frymëzojnë njerëz mendjelehtë dhe t’iu japin shpresa dhe lulëzim sipërfaqësor, por nuk mund të kënaqin mendimtarë dhe filozofë të mëdhenj si Alfred Whiteheadi, i cili thotë: “Duke parë problemet njerëzore të periudhës së antikitetit, deri në ditët e sotme, asnjë problem nuk është zgjidhur. Të gjithë ato çështje dhe probleme që preokuponin Platonin janë aktuale edhe sot”[ii].

 Vallë, a nuk është rrënja e kësaj paaftësie njerëzore, që mund ta çojë njerëzimin në gjendje apatike dhe t’ia infektojë sëmundjen e kompleksit të inferioritetit te fakti që për njeriun, ose më mirë për njerëzoren nuk është kushtuar ndonjë konsideratë e veçantë në çështjet shoqërore dhe individuale?  A nuk është zanafilla e këtij problemi te fakti që misioni i figurave të shquara si Imam Ali bin Ebi Talibi dhe vlerat e orvatjet e tyre maten në një peshore me përpjekjet e njerëzve të apasionuar pas pushtetit si Muavija, i biri i Ebu Sufjanit dhe të ngjashmit me të?

  E vërteta ose njëmendësia, të quajtura “njerëzore”, që është objekt e tema e misionit njerëzor, po ashtu nuk përputhet me konsiderimin e njeriut si makinë dhe ne e kundërshtojmë me forcë rrymën e re që është shfaqur kohët e fundit që ka për qëllim ta mohojë humanizmin dhe njerëzoren e njeriut me metoda shkencore. Kjo rrymë thotë: “Njeriu është një makinë  sistematike që ka arritur sofistikim, përparim, evoluim dhe përsosje në udhën e ligjeve natyrore, ndaj nuk na nevojitet që të hapim një konsideratë të pavarur dhe më vete për njeriun në njohjet tona”. Edhe kjo metodë mendore nuk pranon ekzistimin e “njerëzores” që të pranojë dhe ndonjë mision për të.

 Këta njerëz nganjëherë po përpiqen të tregojnë dhe madhështinë makinore të njeriut, edhe pse nuk guxojnë të pohojnë që njeriu nuk është gjë përpos makinës, që njeriu është ekuivalent me aparaturën e sofistikuar, sepse askush nuk mund të injorojë dhe anashkalojë dhjetëra, madje mijëra karakteristika dhe aspekte psikike të njeriut që nuk përputhen me veçoritë e makinës.

 Do të ishte lehtë për ta nëse dallimi në mes njeriut dhe makinës do të konsistonte vetëm në çështjen e ekzistimit. Këtu, me anë të disa shprehjeve tërheqëse dhe terminologjive ngatërruese, ata do të mundeshin ta paraqisnin jetën dhe “vitalen” si një produkt makinerie, por realitetet asnjëherë nuk na lejojnë një gjë të tillë sepse edhe pse jeta, në shikim të parë, duket një fenomen i thjeshtë, kur aktivizohet dhe fillon funksionimin e vet në qenien e njeriut, ajo krijon qindra karakteristika dhe veti të mrekullueshme, distanca e të cilave me materien dhe ligjet materiale arrin deri te pika e kundërshtimit diametral me to, pra te kundërthënia me to. Për të pasur një tablo sa më të plotë dhe për të nxjerrë përfundime shkencore më poshtë do përmendim ca prej këtyre veçorive që, në asnjë mënyrë, nuk mund të shpjegohen dhe krahasohen me anë të mekanikës dhe veçorive të makinës: 1. Njeriu posedon unin (personalitetin) e tij, 2. Njeriu është i vetëdijshëm për unin ose personalitetin e vet, 3. Posedon karakter që është tregues për personalitetin e tij, 4. Orvatje për përsosje, 5. Sforcimi i vullnetit, 6. Vetënënçmimi ose kompleksi i inferioritetit, 7. Mburrja ose mbivlerësimi i vetes, 8. Njohja e vetes dhe injorimi i vetes, 9. Injoranca dhe mosnjohja e vetes edhe pse ka kapacitetin e duhur për ndërgjegjësim dhe njohje ndaj vetes, 10. Humbja e personalitetit, 11. Mohimi i vetes, 12. depersonalizimi dhe shkëmbimi i personalitetit me diçka tjetër, 13. Të jetuarit me unin ose veten iluzore..., 18. Të menduarit për filozofinë dhe qëllimin e jetës, 19. Ndërgjegjja e vetëdijshme, gjysmëvetëdijshme ose e pavetëdijshme, 20. Ndërgjegjja morale me afro 50 funksione, 21. Krenaria dhe lëvdata ..., 25. Mbrojtja e vetes, 26. Komplekse psikike, .... 37. Kultura  39. Zakone dhe tradita, 55. Shpresa, 56. Pritja dhe pritshmëria, 57. Kërkimi i amshimit ... , 100. Të ndierit e barrës së të drejtave të të tjerëve mbi supet e vet, ...  111. Lumturia, ... 122. Dallimi i mirës prej së keqes, ose të ndierit mirë dhe të ndierit keq, ...200. Kureshtja ... , 300. Mirënjohja dhe .... që tejkalojnë 900 veçori dhe veti karakteristike vetëm për njeriun.

Reflektimi natyror i veçorive njerëzore në trupin e tij fizik nuk mund ta prezantojë njeriun si makinë

 Rrjedhja e ligjit të kauzalitetit me gjithë universalitetin e vet që përfshin njeriun dhe makinën, dhe po ashtu reflektimi natyror i veçorive njerëzore në trupin e tij, nuk mund ta bëjë njeriun të krahasueshëm me makinën. Ne nuk kemi dyshim në faktin që faktorët e jashtëm kanë ndikim dhe ushtrojnë efekt mbi njeriun në tre aspekte: biologjik, fizik dhe psikik të tij, në kuptimin që nëse ndonjë fenomen i botës së jashtme, objektive, ushtron një farë efekti mbi njeriun, ky efekt do të shfaqet në njërën prej tre sferave të lartpërmendura dhe gjetjet shkencore të dijetarëve, si Pavllovi për refleksin e kushtëzuar, kanë dobi dhe shfrytëzohen në fusha të ndryshme shkencore për të njohur aspektet psikike dhe natyrore të njeriut, mirëpo pyetja jonë është se a mund t’i lejojnë vetes dijetarë të tillë që ta përkufizojnë realitetin e njeriut (të thonë që njeriu është) në këto reflektime dhe reaksione dhe lëvizje mekanike, në mënyrë që ta mohojnë aspektin njerëzor të njeriut, të anashkalojnë njerëzoren ose ta vlerësojnë si diçka të pavlefshme aq sa të konsiderohet si një realitet dhe e vërtetë e paekzistueshme?  Unë nuk kam asnjë dyshim që mendja të ndritura të tilla që kanë arritur aq shumë zbulime të dobishme në fushën e shkencave humane nuk mund t’i lejojnë vetes mohimin e njerëzores dhe aspektit human të njeriut. Ne kemi përmendur afro 950 veçori (në artikull janë përmendur vetëm ca për shembull) dhe kemi arsyetuar që këto veti dhe karakteristika nuk mund të vërehen te asnjë makinë dhe produkt njerëzor, sado e sofistikuar qoftë ajo. Qëllimi ynë ka qenë të tregojmë që njeriu me vetitë, talentet, fuqitë dhe veçoritë që posedon, dallohet nga makina dhe aparatet që i ka krijuar vetë, jo vetëm nga pikëpamja e të qenët i gjallë, por po ashtu nga pikëpamja e qindra dallimeve të tjera esenciale dhe nëse dikush pretendon që njeriu është një makinë i gjallë, në të vërtetë, ai ka pohuar që ekzistenca është njësoj si joqenia që posedon 950 veçori specifike.

 Principet gjashtëllojëshe për arsyetimin e njerëzisë dhe nevoja e saj për mision

 

Tani që u argumentua se njeriu nuk është një makinë e sofistikuar dhe produkt i ligjeve të natyrës së kulluar, do të kalojmë te arsyetimi i faktit që në bazë të historisë së njerëzimit, nga dy pikëpamjet shkencore dhe filozofike, njeriu nuk është një krijesë e cila kufizohet në një copë mishi, kockash, gjaku dhe nervash, i cili futet në këtë botë me anë të faktorëve deterministë, jeton për një kohë relativisht të gjatë, si një mjet i pafuqishëm në duart e faktorëve natyrorë dhe njerëzve të pushtetshëm dhe, më pas, vdes. Ne, për ta argumentuar këtë të vërtetë, që është e vetmja rrugë e shpëtimit të njeriut dhe mbrojtja e tij dhe e njerëzores, do të përmendim si argument në mënyrë të shkurtër gjashtë principe e parime:

 Principi i parë - Deri tani "kafazi" i mbyllur i hapësirës, shoqërisë dhe egoizmit nuk ka mundur dhe kurrë nuk do të mundë ta burgosë njeriun e ditur dhe vigjilent në brendësinë e tij. Arsyen e vërtetësinë e këtij parimi mund ta kërkoni nga historia e gjatë e njeriut, me peripecitë e saj, duke vërejtur se: njeriu është një krijesë e çuditshme e cila, në momentin që me anë të njërit prej aspekteve psikike të vet percepton se ka rënë në një situatë ku e kanë rrethuar principe (kondita) inerte dhe të privuara nga dinamizmi, pra status quo-ja, menjëherë mbushet me dëshirën për të dalë nga kjo gjendje dhe ta shkatërrojë "kafazin", edhe pse kjo gjendje është ndenja e lirisë absolute të shthurjes. A është rrënja e kësaj gjendje dhe reaksioni te dinamizmi i jetës së tij? A mund të mendojmë se rrënja e kësaj force buron nga ndenja e arratisjes nga determinizmi i imponuar nga natyra dhe njerëzit e tjerë? Ndoshta është një faktor tjetër imanent i pavarur dhe i ndarë që mundëson lëvizjen drejt përsosjes së lirë? Apo është për këtë shkak që, cilado pozitë që e ka kapluar njeriun për shkak se është në lidhje me faktorë të tjerë njerëzorë dhe tokësorë të cilët kanë një sistem të hapur, ai me ose pa dashje është i destinuar të jetë i depërtueshëm? Apo ky kapërcimi i sistemit pseudo-hermetik shpjegohet me faktin që njeriu vjen në këtë botë përmes zinxhirëve historikë, ambientalë, trashëgimore dhe elementeve të brendshme, por në të njëjtën kohë disponon një fuqi tjetër e cila i mundëson atij që të fillojë jetën nga zeroja, pra nga fillimi, ndaj dhe kur vëren ndonjë pozitë përball vetes ndien një lloj jo-domosdoshmërie në të dhe kërkon që të disponojë një jetë që i atribuohet atij. Sidoqoftë, çfarëdo shpjegimi që ne të pranojmë, një gjë është e qartë: asnjë gjendje ose pozicion nuk mund të kufizojë njeriun në vete.

 Principi i dytë – Ndjenja e jetës së lirë që ka vetëm aspektin mendor dhe psikik nuk mund të pengojë ose ndalojë dinamizmin e jetës që kërkon të aktivizojë dimensionet e shumta. Kufizimi i jetës së rrjedhshme që vlon në ca punime dore (përpjekje fizike) ose mendore, bashkë me konsumimin e ca prej “opiateve” në format e ndryshme të tyre, shoqëruar me hije nga fitoret imagjinare ose reale në të kaluarën, dhe me vrojtimin e një pjese nga veprat artistike, të materializuara që gjenden në muzetë dhe shqiptimi i parullave mashtruese dhe, po ashtu, lulëzimi i instinkteve në një kohë të posaçme në rini, nuk ka ndonjë efekt përveç negativizimit të vetë jetës.

Principi i tretë -  Ne në asnjë mënyrë nuk mund të injorojmë vikatjet dhe himnet që burojnë nga ndërgjegjja e njerëzve që posedojnë psikika dhe personalitet të ekuilibruar. Asnjë sofizëm ose komentim i mangët nuk e ka fuqinë e shuarjes ose keqinterpretimin e këtyre zërave dhe britmave ekzistenciale.

Kush vallë është ajo ekzistence brenda meje

Unë i heshtur, kurse ajo në ekstazë dhe orvatje

(Hafiz Shirazi)

 

Shkrimtari i madh francez, Balzaku, po ashtu thotë: “Ne kemi vetinë që të mos ndikohemi as nga e mira dhe as nga e keqja, por nganjëherë në brendësinë tonë shfaqet një arfa e talentuar që lëviz dhe entuziazmohet, por pak çaste më pas e lë hapësirën e shpirtit tonë. Kjo është një kundërthënie trishtuese që rebelohet kundrejt mosqenies dhe nihilizmit”. Si mendoni ju, a munden njerëz si Frojdi dhe të ngjashmit me të, nga armiqtë e madhështisë dhe lartësimit të shpirtit njerëzor me anë të sofizmave dhe interpretimeve pseudofilozofike, të detyrojnë që këto vikatje dhe britma të ndërgjegjes të pushojnë dhe të shuhen?

Principi i katërt – Përkundër ndërgjegjes së brendshme, bota e njerëzimit disponon dhe një ndërgjegje të jashtme që janë njerëzit eminentë dhe pionierët e njerëzimit. Ne nuk hasin asnjë periudhë dhe shoqëri në histori, e cila të jetë e privuar krejtësisht nga figura të mëdha humaniste dhe pishtarë të njerëzimit, njohës së qëllimeve sublime dhe transcendente të racës njerëzore. Këta njerëz, në harmoni të plotë me ndërgjegjen e brendshme të njeriut, kanë bërë çmos për t’i hapur udhë prosperitetit dhe zhvillimit të shoqërisë dhe për ta tërhequr vëmendjen se kjo jetë tokësorë nuk mund të jetë destinacioni përfundimtar i lëvizjes së njerëzimit. Madje këtë ata e kanë bërë duke sakrifikuar gjërat më të shtrenjta që kanë poseduar.

 Principi i pestë – Parimi i angazhimit, i bartjes së përgjegjësisë në format e tij të ndryshme, është një princip i cili nëse hiqet nga fjalori i jetës njerëzore do të shohim se nga ekzistenca e njeriut nuk do të ngelë asgjë për të cilën ia vlen të reflektojmë, madje as edhe për një çast. Njeriu i papërgjegjshëm është më meskin se sendi jofrymor. Gjësendi vazhdon ekzistimin e vet pa kundërshtuar ligjet e qenies, kurse njeriu profan, i papërgjegjshëm, i korruptuar dhe i çoroditur mund ta shndërrojë veten në një krijesë që e kundërshton ndërgjegjen dhe intelektin dhe të thotë si Neroni: “Sa mirë do ishte që të gjithë njerëzit të kishin vetëm një qafë dhe me prerjen e saj ta asgjësoj racën njerëzore”.

Principi i gjashtë – Është një e vërtetë shumë e hidhur që është shndërruar në një enigmë të pazgjidhshme në histori dhe asnjë mendimtar nuk mund të jetë optimist për ardhmërinë e njerëzimit duke pasur parasysh këtë fakt -  deri tani raca njerëzore nuk ka arritur të parandalojë shpërdorimin e të vërtetave me vlerë dhe sublime për të arritur qëllimet e veta profane... Ka njerëz që flijojnë fenë, këtë ujë jetëdhënës me vlerë për psikikën  njeriut, shkencën dhe diturinë, lirinë, filozofinë, fuqinë e fizibilitetit, paratë, pozitën, fuqinë dhe ndjenjat ... në udhën e plotësimit të dëshirave të tyre djallëzore. Është e qartë që kjo “ndotje” dhe ky shkatërrim është veçoria e natyrës materiale dhe shtazarake të njeriut. Për këtë nuk ka ndonjë mëdyshje dhe, nëse dëshirojmë ta shpëtojmë njeriun nga kjo situate profane dhe shtazarake, nuk kemi rrugë tjetër përpos pranimit të misionit njerëzor dhe imperativët e tij.

 Nga temat e shtjelluara deri tani nxjerrim këtë përfundim: njeriu, për të arritur evoluimin e vet shpirtëror dhe për të shpëtuar nga rreziqet që i kanosen në ekzistencë, ka nevojë për shembuj të përsosur, për misionarë hyjnorë të cilët, duke kryer rolin e ndërmjetësimit mes burimit hyjnor dhe njerëzimit, e ndihmojnë atë të kultivojë në mënyrë të denjë vlerat humane dhe hyjnore më eminente, të cilat përshtaten plotësisht dhe janë në harmoni të plotë me cilësitë dhe aftësitë të cilat i posedon njeriu.

  Në përfundim të këtij diskutimi duam të theksojmë dhe një herë se tema që e trajtuam në këtë artikull është aq e rëndësishme saqë, në lidhje me të, duhen shkruar me mijëra faqe, por ngaqë këtu jemi detyruar të diskutojmë në mënyrë të përmbledhur, tani për tani, po mjaftohemi me kaq. Por në këtë rubrikë do të vazhdojmë me shtjellimin e kësaj teme duke sjellë tema të reja që lidhen me misionin e njerëzimit dhe qëllimin e njerëzores në mënyrë që pyetjet tona të gjejnë përgjigjet më të mira dhe, përpos aspektit teorik, të orientohemi drejt implementimit të mësimeve sublime që burojnë nga dija superiore e shpalljes hyjnore, karshi shkollave filozofike dhe ideologjike me burim johyjnor, të cilat jo vetëm që nuk kanë arritur ta transformojnë shoqërinë e as të edukojnë njeriun, por dhe kanë krijuar konfuzione shoqërore dhe shkaktuar luftëra të ashpra. Meqë shkrimin tonë e filluam me përmendjen e emrit të imam Aliut na lejoni ta mbyllim këtë shkrim me një vlerësim të fundit për të. Personaliteti i Imam Aliut, i përshkruar nga Pejgamberi i Islamit si porta e njohjes dhe diturisë profetike, i jap atij dhe neve të drejtën që ta shohim librin e tij Nehxh Al-Belaga si një burim të pasur dijesh, të trashëguara nga Pejgamberi i Islamit, të cilat do të na ndihmojnë në rrugëtimin tonë drejt përsosjes.

Përshtati: Valbona Ismaili

     [i] Fiziokratët ishin të mendimit se sikurse që natyra udhëhiqet nga ligje të posaçme, po ashtu në çështjet ekonomike ne duhet të besojmë në mënyrë të verbër në ligjet dhe normat që sundojnë mbi ekonominë dhe askush nuk duhet të përzihet në planifikimin e ekonomisë, madje as shteti, sepse kjo bie ndesh me ligjet ekonomike.  

[ii]Aventurat e ideve, f. 22, Alfred Whitehead.