Thaqi për herë të parë hedh akuza kundër miqve ndërkombëtarë

Publikuar në Tet. 11, 2017, 1:57 a.m.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së djeshme ka hedhur akuza të rënda në drejtim të miqve ndërkombëtarë për disa premtime që sipas tij iu bënë në këmbim të krijimit të Gjykatës Speciales.

 Thaçi, gjatë një fjalimi, madje ka kritikuar Gjykatën Speciale, duke thënë se kjo e fundit ka bashkëpunim maksimal dhe reciprok me Serbinë, ndërsa bashkëpunimi i saj me Kosovën është minimal, përkatësisht nuk ka bashkëpunim fare.

Akuzave të Thaçit i është përgjigjur Ambasada e Amerikës, duke treguar se Gjykata Speciale do të jetë e paanshme.

Ndërsa, Ambasada e Amerikës ka treguar se SHBA do të mbetet e përkushtuar për veprimin e suksesshëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Shtetet e Bashkuara mbesin tërësisht të përkushtuara për veprimin e suksesshëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, dhe ne përshëndesim përkushtimin e institucioneve shtetërore për të bashkëpunuar me Gjykatën. Bashkëpunimi i Kosovës me këtë proces do të forcojë pozitën ndërkombëtare të shtetit dhe do te jete tregues konkret I parimeve elementare demokratike ku sundimi i ligjit vlejnë për te gjithë qytetarët, njësoj”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ambasadës.

Në këtë aspekt, ata kanë bërë me dije se SHBA do të përkrahë Kosovën në çdo moment.

Thaçi ka thënë se, megjithatë, Gjykata Speciale nuk është disavantazh, por është një avantazh për Kosovën.

“Shpesh thuhet se mbi Kosovën qëndron një re e zezë të cilën duhet ta largojmë. Të jemi të qartë, atë re të zezë e ka krijuar Serbia, dhe askush më mirë se kosovarët nuk mund ta largojnë atë re të zezë. Pra, Gjykata Speciale është një mundësi për të forcuar ndjenjën e drejtësisë në Kosovë, e ritheksoj ndjenjën e drejtësisë”, ka thënë ai.