Raporti i femrës dhe Intelektualitetit në Islam

nga Valbona İsmaili | Publikuar në Tet. 10, 2017, 1:32 a.m.

Pyetjes ‘pse e pranojnë gratë Islamin, më së shumti’ nga një studiuese gazetar i mirënjohur amerikan, që interesohej në një nga intervistat e tij për Islamin dhe femrat besimtare në Shqipëri e në rajon, iu përgjigja thjesht dhe me aq dije sa kisha: "Femrat pranojnë me zemër butësi e, dëshirë nëne dhe përpjekje burrëreshe.

Femrat e pranojnë Islamin sepse, duke iu bindur urdhëresave të Zotit, gjejnë tek ai vendin e mohuar, pozitën e lartë, qetësinë bashkëshortore, respektin e fëmijëve të tyre dhe paqen e shpirtit."

Kjo e bëri gazetarin të pyeste: “Pse, çfarë thonë fetë e tjera për gruan?”

Kisha lexuar mjaft nga librat e tjera qiellore, prandaj iu përgjigja e bindur se asnjë nga fetë e tjera monoteiste abrahamike nuk i ka dhënë gruas atë pozitë, që ajo gëzon në Islam dhe se këtë e kanë pranuar të gjithë!

Duket se ai nuk e priste këtë përgjigje, e kjo më shtyu të mendoja, ç’e bënte këtë profesor të krishterë të habitej kaq shumë prej saj?

Arsyen e heshtjes së tij e kuptova shumë shpejt. Në një varg pyetjesh e përgjigjesh nga secili, unë solla argumente nga çfarë ka thënë Krijuesi e çfarë është transmetuar nga Profeti, që, për fat të keq, njeriu nuk i mban të gjitha parasysh, duke mos i përmbushur të gjitha udhëzimet e duke mos i respektuar të gjitha ndalesat e tyre.

Kështu, kur flitet për jetën dhe sistemin jetik në Islam, ai dëshmon një status të përmirësuar jo vetëm për gruan, por dhe për çdo krijesë tjetër, sepse e vendos në vendin e duhur dhe sepse vetëm Zoti di,se si t’i japë gjithçkaje ‘hakun’që i takon. Pjesë e Mirësisë së Tij pa fund ishte edhe mirësia e përparësia që Ai i ka dhënë krijesës ‘njeri’përpara çdo krijese tjetër. E kjo përparësi e tij nuk qëndronte në vendosjen e tij për të banuar në shtëpi të larta e luksoze apo në saraje të fortifikuara e kështjella mbretërërore, por në trurin, mendjen dhe intelektin, që Ai krijoi enkas për të e për të cilët atij do t’i duhet të japë llogari një ditë, se si i përdori e çfarë bëri me to.

Këtu detyrohem të përqëndrohem tek gratë për t’iu përmbajtur temës së këtij shkrimi, por duhet thënë se urdhëresat hyjnore u referohen në të njëjtën mënyrë edhe burrave e gjithë krijesave të tjera.Në këtë kuptim, Islami ka funksionuar gjithmonë si një pararojë ndaj çdo pusie që injoranca dhe padija i ngrinte njeriut. Kjo e bën atë përmirësues të pozitës së çdo gjëje. Allahu thotë në Kuran: "Sot përsosa për ju fenë”; e kjo do të thotë se Ai zgjodhi për ne si fe pikërisht Islamin, i cili e ngre njeriun në piedestale të larta, si mëkëmbësin e Tij përmbi të gjitha krijesat e tjera në tokë e në qiej.

Vite pas vitesh e shekuj pas shekujsh, njerëzimi ka kapërcyer pengesa e çarë shtërngata në përpjekje për t’u vetëpastruar e për të mishëruar tek vetvetja dhuratat që i ka dhënë Zoti. E, ndër këto cilësi, spikatin intelekti, dija, prirja për përsosje shpirtërore e profesionale, brumosja me moral të pastër e ndjenja të dëlira njerëzore, për të cilat kemi nevojë të gjithë e të cilave ua ndjejmë mungesën kudo dhe kurdoherë.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm për madhështinë që mbart fjala e Allahut,‘Lexo!’ A nuk ishte ky, ajeti i parë, që zbriti?!

A ishte kjo një gjë e rastit? Pse u drejtohet Allahu me këtë thirrje krijesave tëTij? Sepse vetëm me dije mund të ndriçohej e dëftohej udha drejt Tij. Sepse asgjë nuk arrihet pa dije, pa lexuar, pa u përpjekur. Si mund të njihet Ai, pa njohur atributet e cilësitë e Tij, pa i ngulur mirë dhe fort këmbët në rrugën e Tij?

Por në shoqëritë bashkëkohore, gratë i gjen më së shumti të përfshira në çdo gjë tjetër, përveç dijes. Pavarësisht sa pesimist duket ky konstatim, ai bazohet në një fakt që nuk e mohon dot njeri. Shpeshherë, kur nisim të shkruajmë, flasim apo meditojmë, vëmë re se s’e kemi formimin që na duhet për ta bërë mirë atë çfarë duhet. Shoqëria e sotme njerëzore ka njohur përparime të jashtëzakonshme në teknologji e teknikë, por ajo nuk ka bërë asnjë hap përpara në drejtim të performancës shpirtërore. Në këtë fushë mungon jo vetëm mbështetja teknike e monetare, por edhe ajo shpirtërore e humane.

Duke pasur një rol tërëndësishëm në jetë, shoqëri e familje dhe duke qenë e vetëdijshme se edukimi i saj në rrugën e dijes prodhon fuqizim e mirorientim të mbarë shoqërisë, gruaja vazhdon ende të humbasë shumëçka prej vetes, sa herë qëshpërfill misionin e vet.

Ky mision është i vështirë e plot sfida,qëasaj i duhet t’i përballë, po nuk është i pamundur. Sa herë që asaj i shterin forcat, do i duhet që t’i rigjejë. E ato s’janë shumë larg velit që i mjegullon sytë. Asaj do t’i duhet të zgjohet sa më parë e të largojë tisin e errët, që shpesh i pengon shikimin për të depërtuar gjërat, duke e bërë dritë shkurtër e jo largpamëse, siç e do Zoti.

A nuk përbën kjo një dështim të heshtur, që në tatëpjetën e tij bëhet i stërmadh e dëmton mbarë shoqërinë. Intelekti - kjo dhuratë me të cilën krenohemi para krijesave të tjera -na dallon, por dhe na injoron, nëse nuk ia njohim vlerën që ka.

Për më shumë, femra është krijuar me potenciale të tjera, që ia shtojnë forcën intelektit të saj, e kjo e bën atë përgjegjëse për të kënaqurit e saj me pak, mos kërkimin tej asaj që i shfaqet hapur, dhe të mjaftuarit me role episodike, në vend të atyre që e vendosin në qendër të vëmendjes, mirësisë, zhvillimit, kulturës, arritjes e iluminimit shpirtëror e mbarëshoqëror.

 

Kriza intelektuale dhe ajo e të menduarit.

Shpesh, në diskutimet për sfidat, me të cilat përballet bota sot, mbahen parasysh vetëm njeriu i kohës dhe përballja me gjërat ‘e kohës’ - sikur këto të kishin mbirë nga dheu papritur për ‘t’i zënë njerëzit të papërgatitur’ - duket qartë mungesa e mendimit intelektual e atij kritik. Kjo, sepse sfidat nuk janë vetëm të kësaj kohe. Faktet rreth burimit të këtyre plagëve shoqërore janë kryeneçe. Ato kanë bazë të gjerë e rrënjë të thella në histori, kanë lindur me kohën dhe me vetë njeriun e nuk duhet t’i faturohen vetëm të tanishmes. Po të shihen zhvillimet e kohës e ato në të shkuarën, do duket qartë se atje ku ka pasur shpërfillje e humbje të interesit për njohjen e vetvetes, ka pasur edhe humbje të intelektit nëpër ernaja e mugëtira. Kjo, sepse kush nuk e njeh vetveten, nuk njeh Krijuesin e vet, e kush nuk e njeh Krijuesin e vet, humbet shumë nga mundësitë për të qenë‘njeri’.

Në këtë pikëpamje, të qenit grua është dhuratë, është mirësi; gruaja është krijuar e bukur, plot me dije dhe me mirësi. Me caktimin e Zotit, ajo është nëna e krijesave që rriten me të, është vazhdimësia e jetës, është fryma që rrit, është mëshira që ledhaton; e, duke qënë e tillë, ajo do duhej më së shumti të dallohej për nga pasuria e dijeve, kërkimi aktiv i përsosurisë, të qenit grua që e karakterizon arsyeja, ideja dhe dëshira e dashuria për intelekt, dije dhe përparim. Sepse të gjitha këto i vlejnë si mbështetje e ndihmë për suksesin e misionit të saj.

Bisedat, takimet e veprimtaritë e ndryshme, ku hidhen ide e hartohen projekte, dëshmojnë një bjerrje konstante të guximit të gruas e një zbehje të përgjithshme të aspiratavetë saj të larta; ato ekspozojnë një grua të zhgënjyer e të pakënaqur me misionin që i është caktuar, madje një skllave të‘kësaj bote’e një dekor të një shoqërie të varfër në qëllime e në ide.

Po përse ndodh kështu?

Për shkak të neglizhencës, mos dijes e mos guximit. Shohim shpesh herë që gruaja nuk lexon shumë, nuk i bën të njohura gjërat, për të cilat ka punuar gjatë, duke pranuar për auditor të vetëm të saj vetëm familjarët e saj. Shohim shpesh herë se ajo nuk lexon asnjë faqe libri, asnjë link interneti, asnjë ajet nga Kurani. Kjo është fatale për gruan, në radhë të parë, por edhe për të gjithë shoqërinë njerëzore.

Thirrja që i drejtohet gruas për më tepër, për më tej e për më shumë motivohet nga gjendja e saj e deri tanishme. Është për të ardhur keq fakti që e shikojmë femrën tek lëngon nga shumë plagë të shoqërisë e, edhe pse bën përpjekje, nuk arrin thuajse asgjë. Femra intelektuale pothuajse nuk ndihet dhe përpjekja e saj nuk vihet re fare; rruga e saj mbyllet jo aq shumë nga të tjerët, por nga aspiratat minimale të saj, kërkimi i pak gjëje prej saj dhe mjaftimi i saj me role epizodike e të dorës së dytë. Për rrjedhojë, e shohim figurën e saj më shumë nëpër kafene e zhvillime që ia tjetërsojnë karakterin, si dhe nëpër mjedise që e poshtërojnë dhe e bëjnë të mos ndihet mirë me vetveten as vet ajo. Kjo e bën edhe shoqërinë të çalë e të paaftë për të naviguar mes sfidave të kohës, sepse njëra gjysëm e anijes së saj është përmbytur tashmë, pothuaj. Por nuk mjafton, në këtë rast, vetëm që të ngrihet spiranca e të lëshohet SOS për ndihmën e shpejtë. Nuk duhet pritur që ndihma e shpejtë të vijë nga jashtë, si për çdo gjë që jemi mësuar ta presim që nga jashtë e nga larg. Ajo ndihmë është thjesht tejkalimi i barrierave të harresës e të mos dijes për t’iu kthyer botës së dijes, përpjekjes, zhvillimit e lulëzimit. Po për këtë, duhet të kujtojmë se gjendja aktuale i ka rrënjët tek mangësitë e të menduarit.Shpeshherë, e jo pa qëllim, Zoti i Lartësuar na drejtohet në Kuran: “Dhe nuk e shpallëm këtë Kuran, përveçse që të meditoni me të.”

E pra, reflektimi duhet bazuar në ’këtë Kuran’. Ky Kuran është thirrja për në durim, namaz e reflektim. Janë të shumta ftesat e Zotit për në botën e durimit, dijes e të mendimit. Po të mendojmë do njohim, po të njohim do ecim, e po të ecim, do përparojmë. Përparimi është shpëtim. A nuk është ky qëllimi i ne të gjithëve- shpëtimi në këtë botë dhe në tjetrën?