Thaçi në SHBA, nxiti serbët “Sulm ndaj Beogradit”

Publikuar në Tet. 2, 2017, 11:04 p.m.

Mediet serbe kanë raportuar gjerësisht për vizitën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Vatikan, ku takoi Papa Françeskun, si dhe për vizitën që do ta ketë në Shtëpinë e Bardhë ku do të takohet me zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence.

“Thaçi thyen pragjet nëpër botë: Së pari shkon te Papa, pastaj në Shtëpinë e Bardhë, dhe ja çfarë kërkon tani”, është titulli i gazetës serbe “Kurir”. Në këtë artikull raportohet gjerë e gjatë për takimin e Thaçit me Papën, si dhe udhëtimin drejt Uashingtonit për t’u takuar me Pence.

Gazeta më e madhe në Serbi “Blic”, po ashtu, shkruan për takimin e presidentit kosovar me Papën në Audiencën private në Vatikan.

“Thaçi në Vatikan kërkon mbështetje për pavarësinë e Kosovës”, shkruan “Blic”, transmeton Lajmi.net.

“Thaçi në vizitë private te Papa foli për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit”, është titulli i agjencisë serbe të lajmeve, “Tanjug”.

Ndërkaq, “Vesti Online” është treguar konspirative kur ka shkruar për vizitën e Thaçit në Vatikan dhe SHBA.

“Thaçi në Vatikan dhe SHBA: A përgatitet shantazhi i ri për Serbinë?”, mban titullin artikulli i kësaj të përditshme.

Agjencia e lajmeve ruse, “Sputnik”, dega e saj në Serbi, thekson se Thaçi do të kërkojë mbështetje nga SHBA, por para kësaj, njohje nga Vatikani.

“Problemet e brendshme që i ka BE-ja e kanë shtyrë Thaçin që të insistojë te Pence-i  t’i ndihmojë Kosovës, sepse procesi të cilin e udhëheq BE-ja me Beogradin, në emër të Prishtinës, ka hasur në qorrsokak”, shkruan “Sputnik”.

E gazeta “Informer”, e cila njihet për gjuhë raciste që përdor për shqiptarët, ku në vend të “albanci” shkruan “shiptari”, term ky i përdorur nga Millosheviqit dhe bashkëpunëtorët e tij, shkon aq larg saqë raporton se “Thaçi dhe Pence po planifikojnë sulm ndaj Beogradit”.

“Punë shiptare (šiptarska)! Thaçi me Pence-in planifikojnë sulm ndaj Beogradit! Do të bëj trysni ndaj Papës për ta njohur Kosovën!”, mban titullin kjo gazetë.