Ashuraja, ditë hidhërimi dhe jo ditë gëzimi

nga Vullnet Merja | Publikuar në Shta. 30, 2017, 11:45 p.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur krijoi qiejt dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë, sipas besimit të drejtë…” (Sure “Teube”, ajeti 36)

Muaji Muharrem është muaji i parë i vitit hënor (hixhrij). Është quajtur me këtë emër sepse në këtë muaj njerëzit në kohën para ardhjes së Islamit (xhahilijetit) e kishin të ndaluar luftën. Mirëpo, dinastia emevite nuk ia ruajti shënjtërinë këtij muaji. Ata vranë dhe masakruan në këtë muaj zotërinë e dëshmorëve, nipin e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), dritën e syve të Fatime Zahrasë, imam Huseinin së bashku me familjen e tij dhe me shokët e tij (paqja qoftë mbi ta!) në tokën e Qerbelasë.

Imam Rizai (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Muaji i Muharremit është muaji në të cilin njerëzit para ardhjes së Islamit e kishin të ndaluar luftën në të. Në këtë muaj u lejua gjakderdhja jonë, u nëpërkëmb shenjtëria jonë dhe u robërua gjeneza jonë dhe gratë tona, iu vu flaka çadrave tona dhe u grabitën pasuritë tona. Në këtë muaj nuk iu ruajt shenjtëria të Dërgurit të Allahut në çështjen tonë.”

Kush është Husejni?

Imam Husejni (paqja qoftë mbi të!) personalitet i nderuar i historisë, mbartës i cilësive të larta është i biri i imam Aliut (prijësi i besimtarëve), i biri i Ebi Talibit. Nëna e tij është Fatime Zahraja, e bija e Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Gjyshi i tij është Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Gjyshja e tij është nëna e besimtarëve hazreti Hatixheja (paqja qoftë mbi të!).

Imam Husejni (paqja qoftë mbi të!) lindi më 3 Shaban në vitin e katërt të Hixhrit. Familja e Profetit e pritën me gëzim dhe me lumturi lindjen e tij. Po ashtu, Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), të cilit sapo i mbërriti lajmi se Fatimeja lindi djalë, shkoi si era në shtëpinë e saj për ta uruar për vogëlushin e lindur dhe e quajti Husejn.

Imam Husejni u rrit në prehrin e gjyshit të tij, Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe në mesin e Aliut dhe Fatimesë (paqja qoftë mbi ta!). Ai u ushqye me moralin e profetësisë dhe u edukua me parimet e larta islame, me parimet e drejtësisë e të së Vërtetës.

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) kujdesej shumë për imam Huseinin kur ishte i vogël. Ai e mbante në krahë atë së bashku me vëllain e tij, imam Hasanin (paqja qoftë mbi të!) dhe thoshte në prani shokëve të tij: “O Zot, unë i dua këto dy djem dhe e dua atë që i do ata.” 

Në disa thënie të tjera Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dashurinë për Hasanin dhe Husejnin e shfaqte duke thënë: “Këto dy djemtë e mi janë gjëja më e shtrenjtë për mua në këtë botë.”

Po ashtu, Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush e do Hasanin dhe Husejnin, më do mua dhe kush i urren ata, më urren mua.”(Muhibudijn Et Tabarij në librin e tij: Dhehairul Ukba: faqe124)

Një ditë, Profeti po falej dhe Hasani dhe Husejni u ngjitën në shpinën e tij. Njerëzit i larguan ata dhe ai (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi failjen e tij!) i tha atyre: “Lërini ata, se ata janë të shtrenjtë për mua. Ai që më do mua, le të dojë këta të dy.” (Muhibudijn Tabari në librin e tij: Dhehairul Ukba: faqe.124. Po ashtu në faqen 129.)

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush dëshiron të shohë një prej banorëve të Xhenetit, le të shikojë Husejnin.”

Ebu Bekri ka thënë: “Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, i cili thoshte: Hasani dhe Husejni janë zotërinjtë e banorëve të Xhenetit.” (Muhibudijn Tabari në librin e tij: Dhehairul Ukba: faqe.124. Po ashtu në faqen 129.)

Në Sahihun e Tirmidhiut ka një hadith të transmetuar nga Ja’la El Amirij, i cili thotë se Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Husejni është prej meje dhe unë jam prej Husejnit. Allahu e do atë që e do Husejnin. Husejni është prej degëve të asaj peme.”

Selman El Farisij ka thënë: “Unë dëgjova Profetin Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili tha: “Hasani dhe Husejni janë bijtë e mi, e kush i do ata të dy, më do mua dhe kush më do mua, e do Zotin e Madhëruar dhe atë që Zoti e do, e fut në Xhenet. Kush i urren ata të dy, më ka urryer mua dhe kush më urren mua, ka urryer Zotin dhe atë që Zoti e urren, e fut në Xhehenem.” (I’lamul Uara: F. 219.)

Ky është Husejni në zemrën e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), i cili u rrit në shtëpinë më bujare, më fisnike, më famëlartë dhe ajo është shtëpia e Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), dielli ndriçues i mendjeve të njerëzisë dhe vula e të gjithë Profetëve të Allahut të Madhëruar.

Me atë personalitet të lartë që kishte, me pozitën e lartë që zinte në shoqëri, Husejni u bë fuqi ndikuese në ndërgjegjen e historisë islame. Vërtet, muslimanët besonin në dashurinë për Ehli Bejtin dhe e donin Husejnin, sepse ai ishte prej imamëve me prejardhje nga Ehli Bejti i pastër i profetit Muhamed.

Prandaj, vrasja e tij, e cila është fatkeqësi dhe humbje për të gjithë umetin islam dhe jo vetëm për një pjesë të muslimanëve. Për këtë, është detyrë e të gjithë muslimanëve që ta kujtojnë imam Husejnin, sepse imam Husejni nuk është pronë private e askujt.

Dashuria dhe ai respekti që kishin dhe kanë muslimanët për imam Husejnin (paqja qoftë mbi të!) e ka fillesën në Kur’an, sepse Allahu i Madhëruar udhëroi për dashurinë e Ehli Bejtit dhe Husejni është njëri prej tyre.

Allahu i Madhëruar, në Kur’anin e shenjtë thotë: “Thuaj: ‘Unë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim për thirrjen Time, por vetëm respektin e dashurinë për hir të të afërmëve (akraballëkut)…” (Sure “Shura”, ajeti 23)

Imam Husejni (paqja qoftë mbi të!) rrjedh nga Ehli Bejti, të cilët Allahu i ka pastruar prej ndytësive të gjynaheve, ku thotë: “Allahu ka për qëllim që nga ju, o familje e shtëpisë së Pejgamberit, të largojë ndytësitë e gjynaheve dhe t’ju pastrojë deri në skaj.” (Sure Ahzab, ajeti 33.)

Imam Husejni është ai, me të cilin, Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) së bashku me imam Aliun, Fatime Zahranë dhe imam Hasanin (paqja qoftë mbi ta!) priti të krishterët Nexhranit de për këtë ndodhi zbriti ajeti: “E kush të kundërshton ty në çështjen e Isait pasi të është bërë e ditur e Vërteta, ti thuaj: ‘Ejani të ftojmë bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetet tona dhe vetet tuaja, pastaj, sinqerisht, të lutemi për mallkim dhe mallkimin nga ana e Allahut ta hedhim kundër gënjeshtarëve.” (Sure Ali Imran, ajeti 61)(

Por ama, është për të ardhur keq se të gjitha këto thënie që u përmendën, e shumë e shumë thënie të tjera që gjenden në literaturat islame, u harruan dhe përfundimi ishte ndodhia e masakrës së Qerbelasë, e cila nuk ka të ngjashme në historinë e njerëzimit.

Çfarë është dita e Ashurasë?

Kjo ditë, dita e Ashurasë, është dita më e dhimbshme në Islam dhe dita më e madhe në historinë e botës. Në këtë ditë u krye masakra më e rreptë, me të cilën nuk ka të ngjashme në histori. Kjo është dita më e përgjakshme dhe më e lënduara në Islam dhe për muslimanët. Kjo ditë i lotoi sytë dhe do t’i lotojë në çdo kohë, në çdo shekull, në çdo epokë. Po ashtu, kjo ditë ka djegur zemrat me zjarrin e pashuar të hidhërimit.

Në këtë ditë ripërtërihen hidhërimet e Ehli Bejtit të Profetit Muhamedit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe hidhërimet e të gjithë atyre që mbajnë në zemrat e tyre dashuri për Ehli Bejtin (paqja qoftw mbi ata!).

Është çudi, se disa muslimanë këtë ditë e quajnë festë, edhe pse e dinë se çfarë ka ndodhur në këtë ditë dhe çfarë fatkeqësish i zbritën zotërisë së banorëve të Xhenetit dhe nipit të Profetit Muhamed, imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!), të cilat ku këto as malet nuk mund t’i mbajnë.

Në çdo vit kur vjen muaji i Muharremit, posaçërisht Dita e Dhjetë e tij (Ashura), minberet gumëzhijnë dhe profilet e fejsbukut mbushen me hadithin që thotë: “Dita e Ashurasë është dita e pendimit të Ademit tek Allahu, në atë ditë mbërriti anija e Nuhit në malin e Xhudit, në atë ditë zjarri u bë paqe dhe ftohtësi  për Ibrahimin, në atë ditë doli ]usufi nga burgu dhe iu kthye shikimi Ja'kubit, në atë ditë triumfoi Musai mbi Faraonin, në atë dite i zbriti sofra nga qielli hazreti Isait.”

Këtu lind pyetja: Ku është profeti Muhamed? Përse Allahu e bëri këtë ditë të bekuar për këta të dërguar që i përmend hadithi dhe e ka përjashtuar profetin Muhammed, njeriun më të përkryer me të cilin Allahu e përmbylli profetësinë?!!!

Po ashtu, nëpër minbere përmendet transmetimi se kur profeti Muhamed (paqja dhe beikimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) emigroi në Medine kocidoi që ai hyri në të ditën e dhjetë të Muharremit (Ashura) dhe i gjeti jahudinjtë e Medines duke agjëruar. Ai i pyeti ata për shkakun e agjërimit dhe ata i thanë: “Kjo është dita kur Musai triumfoi mbi Faraonin.” Profeti tha: “Ne jemi më të meritueshëm se ju për Musain. Pastaj i urdhëroi muslimanët që ta agjerojnë ditën e Ashuras.”

Kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse jahudinjtë jetojnë edhe në këto ditë dhe ne nuk kemi dëgjuar prej tyre që të kenë një festë me emrin Ashura. Gjithashtu, as nuk shohim që ata ta festojnë këtë ditë.

Kjo ditë për profetin Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka qenë ditë dhimbjeje dhe fatkeqësie, sepse në atë ditë u vra gjeneza e tij duke u therur ashtu siç theren bagëtitë. Në ditën e Ashuarsë u morwn robëresha gratë dhe vajzat e familjes së tij.

Duhet që muslimanët dhe të gjithë popujt e tjerë ta përkujtojnë çdo vit imam Husejnin (paqja qoftë mbi të!) sepse, ai është një nga burrat më madhështorë, kishte cilësitë më të mira, moral të lartë, punë madhështore, veti fisnike, mendjemprehtësi në dituri, asket në adhurim, trim, bujar, falës dhe gjuhë të pastër. Ai vinte nga një fis fisnik dhe bujar. Ai luftoi për të arritur qëllimet fisnike dhe synimet e shenjta. Bëri atë që nuk e bëri askush të ngjashëm me të, para dhe pas tij. Ai dha jetën e tij, pasurinë e tij dhe të afërmit e tij në rrugën e ringjalljes së fesë dhe në demaskimin e tw padrejtwve. Zgjodhi të pastërtën nga pista, zgjodhi vdekjen me nder në vend të jetës poshtëruese, zgjodhi lufën me dinjitet sesa bindjen ndaj poshtërsisë.

Ai tregoi krenarinë e shpirtit, trimërinë, durimin, kurajën dhe vetëpërmajtjen duke çuditur mendjet, duke mahnitur njerëzit e dijes. Vërtet, ai e meriton të përkujtohet çdo vit dhe sytë të lotojnë për atë natë e ditë.

Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) zgjodhi martirizimin dhe kundërshtoi politikën e padrejtë e të shthurur të Jezidit. Ai zbatoi detyrën fetare që e bën çdo musliman të sakrifikojë në situatat kur dështojnë të gjitha mjetet për të kundërshtuar devijimin e udhëheqjes emevite dhe padrejtësinë e tyre. Muslimanët duhet të përfitojnë nga sakrifica e imam Husejnit për të kundërshtuar çdo udhëheqje të devijuar e të padrejtë.

Revolucioni i imam Huseinit në Qerbela ishte revolucion i dijes kundër injorancës, i drejtësisë kundër padrejtësisë, i udhëzimit kundër devijimit dhe i të vërtetës kundër të pavërtetës.

Megjithëse janë shkruar e përkthyer me mijëra literatura, thuajse në të gjitha gjuhët e botës, përsëri ka shumë e shumë gjëra të pazbuluara për këtë revolucion të lirisë. Mendimtarët dhe dijetarët duhet të punojnë akoma më shumë rreth kësaj ndodhie madhështore. 

Nëse do të studohen të gjitha dimensionet e revolucionit të imam Huseinit (paqja qoftë mbi të!), të cilat i gjejmë të mishëruara tek personaiteti i imami Husejnit (paqja qoftë mbi të), padyshim që Ashuraja do të kuptohet më shumë dhe do të do të dalë në pah qëllimi i vërtetë i këtij revolucioni të begatë.

Meqenëse revolucioni i imam Huseinit ishte për hir të Allahut dhe për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën, dy shtyllat bazë të jetës së kësaj bote, ai do të jetë i përhershëm dhe do të vazhdojë deri në fund të kësaj jete. 

Askush nuk mund të pretendojë se konflikti që ndodhi ishte një konflikt mes dy burrave, apo dy mendjeve por, ai ishte konflikt mes imamatit (fesë) dhe mbretërisë së dynjasë.

Qëllimi i revolucionit të imam Husejnit (paqja qoftë mbi të!)

Imam Husejni (paqja qoftë mbi të!) para revolucionit të tij dhe kur Muhamed ibn Ali, i njohur si ibn El Hanefijeh, ka thënë: “Unë nuk kam dalë as si mosmirënjohës, as si arrogant, as si shkatërrues dhe as për të bërë padrejtësi. Unë kam dalë për të kërkuar reformim në ummetin e gjyshit tim (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), të urdhëroj në të mira dhe të ndaloj nga të këqija.”  (Biharul Anuar, vëllimi 44, f. 330.)

Me këtë thënie madhështore dhe kuptimplote, Prijësi i Dëshmorëve, Imam Huseini (paqja qoftë mbi të!) sqaron qëllimin e revolucionit të tij që është të urdhëruarit në të mirë dhe të ndaluarit nga e keqja.

Revolucioni i Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të!) kishte për qëllim zgjimin e vlerave humane dhe fetare. Imam Husejni e arriti qëllimin e tij dhe mundi që të ndryshojë themelet e një pushteti të korruptuar dhe të dhunshëm. Ai ringjalli islamin që na la pas Profeti i nderuar, Muhammedi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Një prej mësimeve që mësojmë në shkollën e Imam Huseinit (paqja qoftë mbi të!) është njohja me të këqijat e kësaj bote dhe largimi prej tyre. Sipas pikëpamjes së dëshmorit të Qebelasë bota i ngjan një shtëpie pa themele, e cila mund të shembet nga moment në moment. Sipas tij, jeta, prestigji dhe pozita e njerzve në të janë të përkohshme dhe kalimtare.

Dobitë më të rëndësishme që përfitohen nga martirizimi i imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!)

1- Martirizimi i imamit zbuloi të vërtetën e sundimit emevit dhe sqaroi se të mbuluarit e tyre me petkun e Islamit ishte një mashtrim për muslimanët.

2- Martirizimi i imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) përçoi ndjenjën e përgjegjësisë tek muslimanët e vetëdijshëm dhe ishte faktor i revolucionit të të penduarve (theuretu teabijne).

3- Martirizimi i imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) i nxiti dhe i inkurajoi muslimanët që të bënin revolucione të njëpasnjëshme kundër udhëheqjes emevite. Prej tyre ishin revolucionet alevite.

4- Martirizimi i imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) ishte faktori kryesor i rënies së sundimit emevit.

Kanë thënë për imam Huseinin (paqja qoftë mbi të!)

Ebi el Hadijdi ka thënë: “Çfarë mendimi ke për një burrë i cili nuk pranoi të poshtërohet. Ai luftoi dersa u vra ai, fëmijët e tij, vëllezërit e të afërmit e tij pasi u përpoq që t'i siguronta ata. Ai është i cili ligjëroi për arabët kundërshtimin.”

Abdullah El Alejlij ka thënë: “Është nisur Husejni (Paqja qoftë mbi të!) pasi është përshëndetur me Qaben, shtëpinë e Zotit duke marrë shpirtin e saj në kraharorin e tij dhe pishtarin e saj mes dy duarve të tij. Atë e përcollën ëngjëjt, të cilët e bekonin dhe rrotulloheshin rreth tij sikur e paralajmëronin pasi ai është pjesa e mbetur e trashgimisë së qiellit mbi Tokë... Do kujdeseni për kujtimin tënd o baba i Abdullahut, sepse e ndjeve shpirtin e moralit në shpirtin e ekzistencës dhe e dëshirove jetën e dynjasë me moral,mirësi e dashuri, ndërsa të tjerët e deshën me epshe, dëshira të ulëta dhe smira."

Shkrimtari Tomas Karlejl ka thënë: “Mësimi më i lartë që mësojmë nga tragjedia e Qerbelasë është se Husejni dhe përkrahësit e tij kishin një besim të patundur në Allahun. Ajo që më mahnit më shumë është triumfi i Huseinit, edhe pse ata që ishin me të ishin të paktë.”

Gëte ka thënë: “Tragjedia e Qerbelasë është tragjedi e ndërgjegjes njerëzore në përgjithësi, sepse ai (Huseini) trupëzoi ndërgjegjen me mbrojtjen e vlerave të larta njerëzore.”

Gandi ka thënë: “I kam studiuar me vëmendje faqet e Qerbelasë dhe u binda se nëse India dëshiron triumfin, ajo duhet të ndjekë jetëshkrimin e Huseinit... Unë mësova nga Huseini se si të triumfoj kur jam i privuar.”

Prej porosive të tij

Imam Huseini (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “O ju njerëz! Vërtet, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: ‘Kush sheh një sulltan të devijuar, që haramin e ka bërë hallall, ka shkelur besëlidhjen e Tij, kundërshtues të synetit të të Dërguarit. Ai vepron tek robtë e Allahut me gjynahe e terror dhe nuk e ndryshon këtë as me fjalë e as me vepra. Është e drejta e Allahut që këtë njeri ta fusë në Xhehenem.’”

Imam Huseini (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “O njerëz kush përpiqet gjen, kush është koprac është i ulët dhe i përbuzur. Më bujari i njerëzve është ai që i jep atij që nuk i kërkon; më i forti i tyre është ai që fal kur ka mundësi që të hakmerret; më bashkuesi i njerëzve është ai i cili mban lidhjet me ata që i ndërpresin lidhjet me të. Trungu dhe degët mbi rrënjët e tyre rriten. Kush përpiqet që t’i bëjë një të mirë vëllait të tij do ta gjejë shpërblimin e saj në të ardhmen. Kush i bën një të mirë vëllait të tij për hir të Allahut të Madhëruar, Ai do ta shpërblejë atë në kohën që ka nevojë. Kush ia lehtëson vuajtjen një besimtari, Allahu i Madhëruar do t’ia lehtësojë vuajtjet e dynjasë dhe të Ahiretit. Kush bën mirë, Allahu i bën mirë atij. Me të vërtetë, Allahu i do mirëbërësit.”

Paqja qoftë mbi imam Huseinin!

Paqja qoftë mbi Aliun, i biri i imam Huseinit!

Paqja qoftë mbi heroinën e Qerbelasë, hazreti Zejneb!

Paqja qoftë mbi heroin e Qerbelasë Ebul Fad Abbas!

Paqja qoftë mbi fëmijët e imam Huseinit!

Paqja qoftë mbi përkrahësit e imam Huseinit!

Paqja qoftë mbi të gjithë ata që e pasojnë me devotshmëri rrugën e imam Huseinit!

Allahu i mëshiroftë ato sy që vajtojnë për imam Huseinin!

Allahu i forcoftë ato zemra që mbartin dashurinë për imam Huseinin!

Allahu i ndriçoftë ato mendje që e njohin ashtu siç duhet imam Huseinin!

O Allah i Plotfuqishëm. Na mundëso të jemi në rrugën e imam Huseinit, e cila është rruga e gjyshit të tij, profetit Muhamed, dhe na bashko me ta në Ditën e Kijametit!

O Zot i Plotfuqishëm, për hir të kësaj dite madhështore, na i forco zemrat dhe gjymtyrët në rrugën Tënde dhe në rrugën e të zgjedhurve të Tu në këtë jetë dhe na bashko me ata në Jetën Tjetër!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI