Udhëpërshkrim nga Haxhi (Pjesa e tretë)

nga Faik Miftari | Publikuar në Shta. 30, 2017, 11:38 p.m.

25 gusht-ditë e premte

Ishte ditë shumë e nxehtë, më e nxehtë që nga ardhja jonë në Meke. Ishte një ditë e veçantë për mua, pasi që ishte dita e xhumasë, xhumaja e parë në Meke. Që nga mëngjesi u bëra gati për të shkuar në Qabe për të falur namazin e xhumasë. Disa haxhinjtë qysh herët në mëngjes kishin shkuar në Qabe për të zënë vend, pasi  pritej fluksi i madh i haxhinjëve të cilët kanë  dëshirë me fal namazin në haremin (kompleksin) e Qabesë. Unë arrita saktë në ora 10.oo,  2 orë e gjysmë para se të falej namazi i xhumasë(12.30) i tërë haremi(kompleksi ) i Qabesë ishte mbushur, ashtu që nuk kishte gjasa që të afrohem jo në harem, por as në objektet përcjellëse tre katërshe rreth e përqark Qabesë. E gjeta një vend të përshtatshëm nën hije jashtë haremit në të cilin kam qëndruar  gjersa erdhi koha e namazit të xhumasë. Ishte vështirë të përcaktohej numri i besimtarëve mysliman atë ditë në namazin e xhumasë, por me siguri ishte mbi 1 milion besimtar që asistuan ditën e xhumasë në kompleksin e Qabesë. Me të vërtetë ishte një ndjenjë e posaçme për mua falja e namazit të xhumasë në Qabe. Për krahasim  të ceki se atmosfera në një ndeshje futbollistike kur janë prezentë 100.000 spektator dallon tepër shumë nga ajo që zhvillohet një ndeshje në prezencë të vetëm 1000 spektatorëve. Për mua ishte  ndjenjë e veçantë, falja e namazit të xhumasë në prezencën e 1 milion besimtarëve mysliman në Qabe kundruall asaj që e fali namazin e xhumasë në Prizren në xhaminë time të Bajraklisë ku gravitojë, apo në ndonjë xhami tjetër të Prizrenit në prezencën e vetëm  200-300 besimtarëve mysliman.  Prezenca në xhuma në mesin e besimtarëve mysliman nga mbarë bota që i përkisnin popujve të ndryshëm, racave të ndryshme, kulturave të ndryshme ishte diç e jashtëzakonshme që  të ofronte një kënaqësi të veçantë. Qëllova të falem në mesin e besimtarëve mysliman të zi nga Afrika, nga Sudani, në anën time të djathtë, ndërsa isha në mesin e besimtarëve mysliman  nga Azia, saktësisht nga Indonezia në anën e majtë. Një kolorit veshjesh kombëtare, krahinore, fisnore, lokale,  nga mbarë bota, që e përmbushin në vete një mozaik të pasur shumëngjyrësh, me theks të veçantë, asaj  të ngjyrës së bardhë. Ishte një ditë kujtimi nga haxhi dita e xhumasë dhe si e tillë do të mbetet përherë e shënuar, përkundër lodhjes pasi që qëndrova plot 8 orë në Qabe, prej orës 9.oo e gjer në ora 17.oo, dhe pasi u ktheva në hotel bëra një dush  pasi që i tërë isha i djersitur nga vapa e madhe  e asaj dite xhumaje.

Sa isha në Meke i bleva tre galabija(fustanella), veshje tipike vendore arabe, një me ngjyrë të kaftë, një me ngjyrë krem dhe një me ngjyrë të bardhë. Dy galabitë e para i vesha gjatë kohës sa qëndrova në Meke, ndërsa të bardhën gjatë kohës sa qëndrova në Medine. Gjatë gjithë kohës që dilsha jashtë hotelit, si në qytet për të shëtitur ashtu sa herë që shkojsha në Qabe, e vesha galabijen (fustanellën) me të cilin me të vërtetë gjersa isha si në Meke ashtu edhe në Medine me të ndihesha  shumë komod, pasi ajo me të vërtetë të bënte që ta përballosh shumë më lehtë vapën me temperatura mbi 40 shkallë celsius. Gjatë kohës sa qëndroja brenda në hotel isha i veshur me veshjet tona karakteristike, pantolla, majica apo këmisha. Çmimet e galabijave(fustanellave) nuk ishin të larta, ashtu që ishin në mes 15-65 rijalave, apo 4-15 Eurove, varësisht prej modelit, kualitetit.

Veshja tipike arabe saudite vendore përbëhej tek meshkujt prej galabisë (fustanellës) kryesisht të bardhë, shamisë së kuqe(kryesisht) por aty  këtu hasej edhe në shami të bardhë(shumë pak), dhe mbajtëses të zezë të shamisë mbi krye, si dhe të mbathurat  prej sandalleve apo papuçave . Tek femrat veshja tipike arabe saudite përbëhej prej mbulesave të zeza me të cilin e kishin të mbuluar tërë trupin, si  dhe të nikabit(velos apo perqes) në fytyrë, në të cilin shiheshin vetëm sytë e femrës, ndërsa të mbathurat ishin këpucat, sandallet, papuçat , femërore të llojeve të ndryshme. Për dallim nga femrat myslimane nga tërë bota që ishin prezent gjatë haxhit, ato përveç trupit të mbuluar, 90 % të tyre fytyrat i kishin të hapur, do të thotë pa nikab(perqe apo velo), pa marr parasysh a vinin nga Indonezia, Pakistani, India, Bangladeshi, Turqia, Irani,  Evropa, Afrika , Amerika, etj.

 

26 gushti-ditë  e shtunë

 

Për dallim prej ditëve tjera sot tavafin vullnetar e kreva pas dite, ashtu që u nisa me cimerin e dhomës Osmanin diku pas dite, pos tavafit të kryer falëm edhe namazin iqindisë dhe akshamit, pas së cilës u kthyem në mbrëmje në hotel. Në krahasim me ditët e kaluara, sa më shumë që  afrohej dita e Arafatit,  e cila i bie një ditë para Kurban Bajramit,  aq më shumë  rritej fluksi i haxhinjëve që çdo ditë  arrinin në Meke për të kryer Haxhin. Për dallim prej tavafeve të ditëve të mëparshme, mezi arritëm të futemi brenda në katin e tretë për të kryer tavafin. Të gjitha hyrjet tjera  në kompleksin e Qabesë ishin të mbyllura, pasi që  prej ditës së enjtes mbrëma personelit të sigurimit i është bashkëngjitur edhe ushtria për të mbajt rend dhe siguri, pasi që me të vërtet pa ndihmën e tyre të madhe, do të krijoheshin tollovi dhe kaos në kompleksin e Qabesë, ndërsa në saje të tyre gjatë tërë kohës së Haxhit nuk pati as edhe një incident më të vogël apo mos dhashë Zoti ndonjë tollovi me pasoja vdekjeprurëse, ashtu sikurse ka pas rast të ndodh në vitet e kaluara në Meke gjatë kryerjes së Haxhit.

Ministria e Haxhit e Arabisë Saudite për mbarëvajtjen sa më të suksesshme  të Haxhit të sivjetshëm i kishte të angazhuar 100.000 persona  të cilët ishin drejtpërdrejtë të angazhuar në shërbim të haxhinjëve nga ana e organizatorit, ndërsa rreth 300.000 persona tjerë  ishin të përfshirë në të gjitha shërbimet e sektorëve të ndryshëm të sigurisë për sigurinë e rendit dhe qetësisë  së haxhinjëve gjatë kryerjes së Haxhit të sivjetshëm.

                                               27 gushti- ditë e diel

Sot më kaploi  virusi i gripit(flamës), ashtu që nuk kishte haxhi apo haxhike që nuk ishte sëmurë me grip për shkak të dallimit të madh të  temperaturës brenda dhe jashtë si dhe sistemit të klimatizimit. Edhe pse kam pas kujdes të duhur dhe jam ruajtur për të shmangur sëmundjes, ishte e pamundshme pasi gripi përhapet dhe ngjitet edhe atyre që nuk janë prek. Preferimet e atyre që kishin shkuar në haxh më herët për të marr ca ilaçe me veti ishin të mirëseardhura . Me veti pata marrë antibiotik,  paracetamol, cafetin, suliamid, pika për hundë, si dhe tableta shkumues të Calciumit dhe Magneziumit për forcimin e muskujve të këmbëve dhe parandalimin eventual të ngërçeve të muskujve të këmbëve për shkak të angazhimit të shtuar fizik gjatë ditëve të Haxhit. Edhe pse kemi pas ekipin mjekësor prej 8 doktorëve si dhe ilaçe primare në ambulancën e hotelit, nuk shkova fare te mjeku për t’u  kontrolluar, pasi që edhe ashtu ekipi mjekësor ishte tejet i angazhuar me fluksin e madh të vizitave të pacientëve kosovar  më  në moshë. Për dallim gjatë javës që kaloi, sot transporti i autobusëve nga hoteli gjer në Qabe ishte ndal krejtësisht dhe se nuk do të ketë transport të haxhinjëve gjer pas Kurban Bajramit për shkak të shtimit të madh të numrit të haxhinjëve, rrugët drejt Qabesë ishin vështirësuar dhe stacioni i autobusëve që ishte pran haremit, ishte mbyllur për qarkullim, dhe se vetëm vetura taxi kishin qasje të vetme gjer në Qabe. Edhe pse gjatë ditëve të kaluara, taxit që qarkullonin drejt Qabesë e kishin çmimin prej 20 rijalëve, tani ata i hipën çmimet dhe silleshin prej 50-100 rijal. Por për dallim nga ditët e kaluara, taxi veturat një drejtim drejt Qabesë që  e vozitnin për 5 minuta, tani atyre i nevojiteshin  30 minuta për të arritur në Qabe. Ashtu që vendosa të nisem në këmbë duke ecur drejt Qabesë, për të kryer tavafin e radhës.  Prej hotelit gjer në vendin ku ishte stacioni i autobusëve afër Qabesë e kalova për 45 minuta, pas kryerjes së tavafit dhe faljes së namazit të iqindisë u ktheva prapë në hotel në këmbë ashtu që bëra rrugë afro 10 kilometra gjatë ditës.

Në mbrëmje pata rast të takohem me sekretarin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK-u) Resul ef. Rexhepin me të cilin zhvilluam një bisedë gjerë e gjatë lidhur me veprimtarinë botuese të BIK-ut si dhe rreth organizimit të haxhit nga ana e BIK-ut. Resul efendiu më njoftoi se për herë të fundit sivjet është duke përgatitur për botim revistën vjetore Takvim, si kryeredaktor i saj, pasi që në fillim të vitit të ardhshëm  do të pensionohej.  Poashtu biseduam edhe për revistën Edukata Islame, e cila sipas meje është revistë më e mirë që ka botuar BIK-u, po për fat të keq shumë pak lexohet, dhe se tirazhi i saj ka ra në vetëm 600 ekzemplarë, për shkak të mos leximit, dhe tani me pensionimin e Qemajl ef. Morinës, i cili ishte një punëtor i vyeshëm me plot energji sa i përket shkrimit dhe përgatitjes së revistës Edukata Islame, si kryeredaktor i saj që 15 vjet me radhë e ka përgatitur për botim dhe  cila botohej 3-4 herë në vit. Me shkuarjen e tij në pension, edhe revista Edukata Islame stagnoi, dhe ka plot 1 vit që nuk ka dal, për të cilin më njoftoi Resul efendiu se atë tani e ka marr për botim dhe përgatitje Sabri ef. Bajgora, kryeimami i Kosovës, por i cili këtë punë e ka anashkaluar  dhe nuk e ka marr me seriozitet të madh këtë detyrë, pasi është  i zënë me punë tjera, dhe që  nuk i mbetet kohë të merret me këtë, por do të ishte arsyeshme që këtë detyrë të lejë dikujt tjetër që është i pasionuar me shkrim dhe i cili do të përgatit me kohë dhe pa vonesë botimin e saj. Sidoqoftë shpresoj dhe dëshiroj që revista Edukata Islame të del sa më parë, dhe të vazhdojë së botuari 4 herë në vit, ashtu siç ka qenë gjatë këtyre 15 viteve të kaluar nën udhëheqjen dhe përgatitjen e Qemajl ef. Morinës si kryeredaktor i saj.

 Resul ef. Rexhepi më njoftoi se tani në kuadër të BIK-ut është themeluar sektori i posaçëm për organizimin e haxhit, në krye të së cilës sivjet ishte Vedat ef. Sahiti dhe zëvendësi i tij Fatmir ef. Ilazi. Sivjet rreth organizimit të haxhit ka pas probleme shtesë, pasi  Ministria e Haxhit e Arabisë Saudite  ka obliguar BIK-un të paguajë 300.000 Euro shtesë për ngritjen e çadrave(tendave) me sistemin e pajisjes me klimë në Arafat,  që i binte nga 300 Euro shtesë për çdo haxhi, e të cilin shumë e ka paguar në tërësi Bashkësia Islame e Kosovës për Haxhin e sivjetshëm. Por, vitin e ardhshëm kostoja e Haxhit do të rritet më së paku 300 Euro për person, për shkak të vendosjes së çadrave(tendave) me klimë në rrafshnaltën e Arafatit. Poashtu sivjet Ministria e Haxhit ka paraparë që për çdo haxhi i cili shkon për së dyti apo së treti herë gjatë 5 viteve të fundit, obligohet që të paguajë edhe 500 Euro shtesë, për të parandaluar që personi i njëjtë të shkojë disa vite me radhë, dhe për t’u mundësuar shkuarjen atyre që  nuk kanë shkuar gjer tani  në Haxh. Edhe pse sivjet e kanë gjet mënyrën alternative  për të anashkaluar këtë pagesë shtesë,  prej vitit të ardhshëm edhe kjo pagesë shtesë prej 500 Euro do të aplikohet për ata haxhinjë që shkojnë për së dyti apo treti herë me radhë në haxh. Ashtu që  tani duhet të kenë parasysh se të gjithë ata besimtarët mysliman nga Kosova që vendosin vitin tjetër të shkojnë në haxh, kostoja e çmimit për haxh do të jetë më së paku për 300 Euro më e lartë, ndërsa për ata haxhinjë që vendosin të shkojnë për herë të dytë apo për herë të tretë do të kenë koston më të lartë edhe për 500 Euro shtesë, sidomos kjo vlen për të gjithë ata haxhinjë që shkojnë bedel për vjet për personat  tjerë.

Nga shënimet zyrtare që publikoi Ministria e Haxhit e Arabisë Saudite, sivjet Haxhin e kanë kryer rreth 2, 5 milion haxhi dhe atë, 2,3 milion haxhinjë të huaj dhe rreth 200.000 haxhinjë vendor. Sivjet për dallim nga viti i kaluar ishin 400.000 haxhinjë më shumë, ndërsa prej 2,3 milion haxhinjëve të jashtëm 1.600.000 haxhinjë kanë udhëtuar drejt Qabes nëpërmjet rrugës ajrore, me aeroplan, ndërsa vetëm 700.000 haxhinjë me rrugë tokësore, me vetura dhe autobus. 5 shtetet me numrin më të madh të haxhinjëve që sivjet e kanë kryer haxhin, sipas shënimeve zyrtare të Ministrisë së Haxhit të Arabisë Saudite ishin:

Indonezia me 220.000, Pakistani me 180.000, India me 170.000, Bangladeshi me 130.000 dhe Nigeria nga Afrika me 100.000 haxhinjë. Këto ishin shënime zyrtare të publikuara nga Ministria e Haxhit e Arabisë Saudite gjatë kohës sa ishim duke qëndruar në Medine.