Thënie Profetike për Imam Hasanin dhe Imam Huseinin

Publikuar në Shta. 30, 2017, 11:33 p.m.

Sipas el-Bara’s: “Unë e kam parë Pejgamberin (a.s.) duke mbajtur mbi supet e tij Hasanin, djalin e Aliut, dhe thoshte: ‘O Allah, unë e dua këtë, prandaj duaje atë’."

Nejsaburi ka cituar Ebu Hazimin dhe Ebu Hurejren të kenë thënë: “Unë e  kam parë Pejgamberin (a.s.) me Hasanin, djalin e Aliut, mbi supet e tij, duke thënë:" O Allah, unë e dua këtë, prandaj duaje atë."

Hakimi i atribuon Ebu-Hurerjes këtë hadith: "Pejgamberi erdhi tek ne me Hasanin e Husejnin mbi supet e tij, duke i puthur një herë njërin e një herë tjetrin, derisa arriti aty ku ndodheshim ne. Një burrë i tha: "O i Dërguari i Zotit, i doni shumë?” Ai u përgjigj: "Po. Kushdo që i do ata, më ka dashur mua dhe kushdo që i urren ata, më ka urryer mua."

Sipas Bin-Abbasit: "Kur u shpall ajeti, ‘unë nuk kërkoj nga ju shpërblim për këtë, përveç dashurisë për të afërmit  e mi’, njerëzit thanë: ‘O i Dërguari i Zotit, kush janë këta të afërmit tuaj,  dashuria ndaj të cilëve u bë e detyrueshme për ne?’ Ai u përgjigj: ‘Aliu, Fatimja dhe dy djemtë e tyre’."

Sipas Ebu Bekrit: "E kam dëgjuar Pejgamberin (a.s.) të thoshte nga podiumi, duke parë një herë turmën dhe një herë Hasanin, që ishte pranë tij: ‘Ky biri im është zotëri dhe ndofta Allahu do të drejtojë përmes tij dy grupe të muslimanëve’."

Në një tjetër përcjellje nga Tirmidhiu, Pejgamberi (a.s.) thotë: "Vërtet, All-llahu do të drejtojë dy grupe të mëdha nëpërmjet këtij biri tim."

Sipas Xha’la bin-Murras: "Ishim në shoqëri me të Dërguarin kur na ftuan për të ngrënë.  Pejgamberi (a.s.) pa Husejnin tek luante në rrugë, nxitoi përpara nesh, pastaj zgjati duart e ia vuri njërën dorë nën mjekër kurse tjetrën pas kokës. Pastaj e përqafoi , e puthi e tha: "Husejni është nga unë e unë jam nga ai; Allahu i do ata që e duan.”

Sipas Enesit: "Askush nuk i ngjante më shumë Pejgamberit (a.s.) sesa Hasani, djali i Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të).”  

Bin Sirini citon Enesin të ketë thënë: "Hasani e Husejni i ngjanin të Dërguarit të Zotit më shumë se cilido tjetër."

Ebul Hasan Ali Halabi përcjell një hadith nga Harithi, i cili e transmeton nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të): "Hasani i ngjante të Dërguarit të All-llahut nga mjekra e lart më shumë se kushdo tjetër, ndërsa Husejni i ngjante të Dërguarit të Allahut nga mjekra te shputat e këmbëve më shumë se kushdo tjetër."

Enes bin Maliku citon Pejgamberin të ketë thënë: "Ne, pasardhësit e Abdul-Muttalibit, jemi zotërinjtë e banorëve të Xhenetit: Unë, Hamza, Aliu, Xhaferri, Hasani, Husejni dhe Mehdiu. "

Selmani citon të Dërguarin e Zotit (a.s.) të ketë thënë në lidhje me Hasanin dhe Husejnin (Allahu qoftë i kënaqur me ta): "Unë e dua atë që i do ata; dhe atë që e dua unë, e do Allahu, dhe ai që e do Allahu, do të hyjë në Xhenetet e begatshme. Dhe unë urrej atë që i urren ata; dhe atë që urrej unë, e urren dhe All-llahu, dhe ai që All-llahu urren, do të ndëshkohet në Xhehenem me një dënim të fuqishëm."

Sipas Ebu-Isakut, kur Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) shikonte Hasanin (ose Husejnin), thoshte: "Ky biri im është zotëri, sikurse e ka quajtur Pejgamberi (a.s.). Nga pasardhësit e tij do të lindë një njeri, i cili do të ketë të njëjtin emër si ai i Pejgamberit tuaj dhe do t’i ngjasojë atij për nga pamja."

Tabariu mbështet një hadith të Hudhejfe bin Jemanes, i cili citon Pejgamberin (a.s.) të ketë thënë: "Nëse mbetet edhe vetëm një ditë jetë në këtë botë, Allahu do ta zgjatë në mënyrë që të dërgojë një njeri nga radhët e pasardhësve të bijve të mi; ai do të ketë të njëjtin emër si imi". Selmani i tha: "Nga cili prej bijve të tu, O i Dërguari i All-llahut"? Ai u përgjigj duke prekur me dorën e tij Husejnin (Allahu qoftë i kënaqur me të): "Nga ky bir imi".

Sipas Hudhejfes: "Një ditë pamë gëzim  në fytyrën e Pejgamberit (a.s.), kështu që e pyetëm për arsyen. Ai na tha: "Si mund të mos gëzohem, kur krye-engjëlli Xhibril më erdhi dhe më solli lajmin se Hasani dhe Husejni  do të jenë zotërinjtë e të rinjve të Parajsës.”

Zejd bin Erkami citon Pejgamberin (a.s.) të ketë thënë në lidhje me Aliun, Fatimen, Hasanin e Husejnin: "Unë jam armik i armikut të tyre dhe mik i mikut të tyre."

Abdullah Bin Omran citon Pejgamberin të ketë  thënë: "Vërtet, Hasani dhe Husejni janë trëndafilat e mi erëmirë të kësaj bote."

Aishja tregon se një ditë Pejgamberi (a.s.) doli herët në mëngjes. Ai kishte veshur një rrobë të ngjyrosur, të bërë prej  leshi të zi [një xhybe të zezë]; pastaj erdhi Hasani, i biri i Aliut, dhe ai e futi poshtë saj; më pas erdhi Husejni dhe u fut nën të; pastaj erdhi Fatimja dhe ai e la të hyjë; pastaj erdhi Aliu e ai e la edhe atë të futet nën të. Pastaj tha: "O njerëzit e Shtëpisë! All-llahu dëshiron vetëm ta largojë nga ju urrejtjen dhe t'ju pastrojë".

Sipas Xhabir bin Abdullahut: "Një ditë, kur Pejgamberi (a.s.) ishte në Arafat, iu drejtua Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të), që rrinte përballë tij, e i tha: "Eja pranë meje, o Ali! Unë dhe ti jemi krijuar nga e njëjta pemë; trupi yt është bërë nga trupi im. Unë dhe ti jemi krijuar nga një pemë, trungu i së cilës jam unë, ti je degë e saj, kurse Hasani dhe Husejni janë degëzime të asaj dege; cilido që do të ngjitet në ndonjë nga degëzimet e saj, Allahu do ta futë në Xhenet."

Mina Bin Mina, mik i Abdulrahman Bin Avfit, thotë: “Pejgamberi (as) ka thënë: ‘Unë jam pema, Fatimja është trungu i saj (apo dega e saj), Aliu është fara e saj, Hasani e Husejni janë fryte të saj dhe pasuesit (shiitët) tanë janë gjethet e saj; pema është në Eden, kurse trungu, degët, fara, gjethet dhe frutat janë në Kopsht’.”

Sipas Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të): "Pejgamberi (a.s.) ua mori duart Hasanit e Husejnit (në të tijat) dhe tha: "Ai që më do mua, këta të dy, babanë dhe nënën e tyre, do të ketë Ditën e Gjykimit të njëjtën gradë me mua.”

Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) citon Pejgamberin (a.s.) të ketë thënë: "’Unë, Aliu, Fatimja, Hasani, Husejni dhe ata që na duan ne, do hamë e pimë bashkë derisa njerëzit të gjykohen’. Një njeri e dëgjoi dhe e pyeti: ‘Si qëndron puna me paraqitjen para Allahut dhe me gjykimin?’ Unë i thashë: ‘Si qëndron atëherë puna me njeriun në suren «Ja Sin», i cili u pranua menjëherë në Xhenet?’”

Pejgamberi (a.s.) i ka thënë Aliut (Allahu e mëshiroftë): "Vërtet, katër njerëzit e parë që do të hyjnë në Xhenet janë: unë, ti, Hasani e Husejni; pasardhësit tanë janë pas nesh; gratë tona janë pas pasardhësve tanë dhe pasuesit tanë janë në të djathtën dhe të majtën tonë."

Sipas Selmanit: "Ne ishim ulur rreth Pejgamberit (a.s.) herët në mëngjes, kur Umme Ejmani[1] erdhi e tha: ‘O i Dërguari i All-llahut, Hasani dhe Husejni nuk gjenden (kanë humbur)‘; i Dërguari tha: "Çohuni që t’i kërkoni dy djemtë e mi ." Të gjithë u ngritën e shkuan në një drejtim, kurse unë shkova pas Pejgamberit (a.s.), i cili nuk u ndal, derisa arriti në rrëzë të një mali. Atje ishin Hasani dhe Husejni të kapur me njëri-tjetrin. Një gjarpër qëndronte lart mbi bishtin e tij përpara tyre dhe një flakë dilte nga goja e tij.

Pejgamberi (a.s.) nxitoi drejt tij dhe ai hyri në një vrimë. Atëherë Pejgamberi (a.s.) u drejtua nga Hasani dhe Hysejni, i ndau, fshiu fytyrat e tyre të pastra dhe tha: ‘Babai dhe nëna ime qofshin shpërblimi juaj, sa të çmuar jeni tek All-llahu!’ Pastaj i barti të dy mbi supet e veta. Atëherë i thashë: ‘I juaji është bekimi, sa i shkëlqyer që është shtati yt.’ I Dërguari tha: ‘Dhe sa të shkëlqyer janë këta udhëtarë (të hipur kalakiç)! Kurse babai i tyre është më i lartë akoma!’"

Sipas Enes bin Malikut: "I Dërguari (a.s.) po flinte në shpinë në një nga shtëpitë e tij, kur Hasani iu afrua duke ecur ngadalë, u ul mbi gjoks të Pejgamberit dhe urinoi. Pastaj unë e largova atë. I Dërguari u zgjua dhe më tha: "Mjerë për ty O Enes, ke lënë vetëm djalin tim, frytin e zemrës sime. Kushdo që e  dëmton atë, më ka dëmtuar mua, dhe kushdo që më dëmton mua, ka dëmtuar Allahun. Pastaj, i Dërguari (a.s.) kërkoi ujë dhe e derdhi mbi vendin e ndotur.

Sipas Selmanit: "U futa te Pejgamberi (a.s.) dhe pashë Husejnin ulur në prehër të tij. Pejgamberi i puthte sy e buzë dhe i thoshte: ‘Ti je zotëri, bir zotërie, vëlla zotërie dhe baba zotërinjsh,  ti je imam,  bir imami, vëlla imami dhe baba imamësh’.”

Sipas Akrimas: "Pasi Fatimja lindi Hasanin (Allahu qoftë i kënaqur me ta), ajo e çoi tek Pejgamberi (a.s.) dhe ai i vuri emrin. Po ashtu, pasi ajo lindi Husejnin, ajo e çoi atë tek Pejgamberi dhe i tha: ‘Njëri  është më i mirë se tjetri’. Pastaj Pejgamberi i vuri një emër të nxjerrë nga emri i Hasanit, duke thënë: ‘Ky është Husejni’."

Selmani citon Pejgamberin të ketë thënë: "Unë i quajta ata[2] sipas dy djemve të Arunit, Shubarit dhe Shubejrit".

Kanji Shafi  përcjell sipas Rebia Sadi-es një thënie mbi  Abdullahun, të birin e Hasanit, të birit të Aliut: “Kur ndryshoi mendimi i njerëzve për Preferencën, unë shalova devenë time, bëra përgatitjet dhe udhëtova derisa hyra në Medinë. Aty pashë Hudhejfe Bin Jemamen, i cili më tha: "Nga cili vend je?"

Unë i thashë: "Jam nga Iraku".

Ai më tha: "Prej cilit vend të Irakut?"

Unë i thashë: "Nga Kufa".

Ai tha: "Ju njerëzit e Kufas jeni të mirëpritur."

Unë i thashë: "Mendimi i popullit tim rreth Preferencës ndryshon. Prandaj kam ardhur, që t’ ju pyes në lidhje me të."

Ai tha: "Ke ardhur te personi i duhur. Unë nuk do t’ju them asgjë tjetër, përveç asaj që veshët e mi kanë dëgjuar, zemra ime ka njohur e sytë e mi kanë parë. Pejgamberi doli nga ne duke bartur mbi shpatullat e tij Husejnin, djalin e Aliut. Ai ia kapi Husejnit këmbën me dorën e tij të bekuar, duke e ngjitur atë deri në gjoks të tij, dhe tha: ‘Sigurisht, unë i di ato që të bëjnë ty të ndryshëm nga unë. Ky është Husejni, djali i Aliut. Ai ka gjyshin dhe gjyshen më të mirë. Gjyshi i tij, i Dërguari i All-llahut, është zotëria i të gjithë Pejgamberëve. Gjyshja e tij është Hatixhja, e bija e Huvejlidit, e para nga të gjitha gratë që i besoi All-llahut dhe të Dërguarit të Tij.

Ky, Husejni, i biri i Aliut, ka babanë më të mirë nga gjithë njerëzit, nënën më të mirë nga gjithë njerëzit. Babai i tij është Aliu, i biri i Ebu-Talibit, zëvendësi, kushëriri dhe vëllai i të Dërguarit, i pari i gjithë burrave që i besuan Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Nëna e tij është Fatimja, bija e Muhamedit, prijësja e të gjitha grave. Ky, Husejni, i biri i Aliut, ka xhaxhanë më të mirë dhe hallën më të mirë. Xhaxhai i tij është Xhaferi, i biri i Ebu Talibit. Ai është stolisur me dy krahë, me të cilët fluturon nëpër Xhenet kudo që të dëshirojë. Kurse halla e tij është Umme-Hani, e bija e Ebu Talibit.

 Ky, Husejni, i biri i Aliut, ka dajën më të mirë dhe tezen më të mirë. Daja i tij është Kasimi, djali i Muhamedit, i Dërguari i Allahut, dhe tezja e tij është Zejnebi, e bija e Muhamedit.’ Pastaj e vendosi mbi supet e tij, i shkëputi krahët prej tij, u ul më gjunjë e tha: ‘O njerëz, ky është Husejni, djali i Aliut. Gjyshi e gjyshja e tij janë në Xhenet, xhaxhai e halla e tij janë në Xhenet, daja e tezja e tij janë në Xhenet, ai dhe vëllai i tij janë në Xhenet. Sigurisht, ajo që i është dhënë atij nuk i është dhënë askujt prej pasardhësve të pejgamberëve, përveç Jusufit, birit të Jakubit’.”

Hejthemi e Taberaniu transmetojnë një hadith nga Abdullah bin Abbasi, i cili thotë: "Unë isha në shtëpi të Pejgamberit (a.s.) dhe Husejni  ishte ulur mbi kofshën e tij të djathtë kurse biri i tij, Ibrahimi, ishte ulur mbi kofshën e tij të majtë. Ai i puthte një herë njërin, një herë tjetrin, kur zbriti Xhibrili dhe i tha: ‘O Muhamed, Allahu të përshëndet dhe të thotë: Unë nuk të lejoj  që t’i mbash të dy ata, kështu që flijoje njërin prej tyre për tjetrin.‘

Pejgamberi (a.s.) shikoi Ibrahimin, djalin e tij, dhe qau. Shikoi Husejnin dhe qau, pastaj tha: ‘Në qoftë se vdes Ibrahimi, askush nuk do të brengoset për të përveç meje, kurse nëna e Husejnit është Fatimja dhe babai i tij është Aliu, i biri i Ebu Talib-it, kushëriri im dhe i afërm i gjakut; nëse vdes ai, bija ime, kushëriri im dhe unë do të brengosemi për të, prandaj unë zgjedh pikëllimin tim mbi të tyren.’ Ibrahimi vdiq tre vjet më vonë. Më pas, sa herë që Pejgamberi shihte Husejnin, e puthte, e përqafonte dhe thoshte: ‘Për atë unë kam sakrifikuar birin tim, Ibrahimin’."

Sipas Bin Abbasit: "Hasani dhe Husejni bënin mundje me njëri-tjetrin në shtëpinë e të Dërguarit. Ai filloi të inkurajonte Hasanin, duke i thënë, ‘hajde Hasan, forca! Të lumtë, Hasan!’ Aishja[3] i tha: ‘Ti po ndihmon të madhin para të voglit?!’ Ai iu përgjigj: "Xhibrili është duke thënë: ‘Të lumtë, Husejn!’."

Ukbe bin Amiri citon Pejgamberin (a.s.) të ketë thënë: "Kur banorët e Xhenetit të jenë vendosur në të, Parajsa do thotë: ‘O Zot, a nuk më premtove se do të më zbukurosh me dy prej Shtyllave të Tua?’ Ai do t’i thotë: ‘A nuk të kam zbukuruar me Hasanin dhe Husejnin?’ Pastaj Parajsa do të tundet me krenari, siç tundet një nuse."

Amr Bin Ziad Thubeni citon Pejgamberin (a.s.) të ketë thënë: "Vërtet, Fatimja, Aliu, Hasani dhe Husejni janë në Kopshtin e Shenjtërisë[4], në një kube të bardhë, tavani i së cilës është froni i Zotit".

Ebu Seleme citon Ebu-Hurejren të ketë thënë: “Ekra Bin Habisi hyri te Pejgamberi (a.s.) dhe e pa duke puthur Hasanin (ose Husejnin). Ai i tha: ‘E si puthet kështu? Unë kam dhjetë fëmijë dhe kurrë nuk e kam puthur ndonjë prej tyre!’ I Dërguari u përgjigj: ‘Vërtet, Allahu nuk e mëshiron atë që nuk i mëshiron të tjerët’.”

Sipas Bin Abasit: "Pejgamberi (a.s.) e kishte zakon që ta mbronte Hasanin dhe Husejnin (Allahu qoftë i kënaqur me të dy)  duke shqiptuar mbi ta këto fjalë magjike: ‘Unë ju mbroj ju me fjalët e përsosura të All-llahut nga çdo shejtan, nga çdo parazit dhe nga çdo sy i keq’. Më pas thoshte: ‘Këto fjalë i përdorte Ibrahimi për të mbrojtur bijtë e tij, Ismailin dhe Isakun’."

Sipas Aliut, birit të Husejnit (imami i katërt): "Kur Aliu (Allahu e mëshiroftë) u vra, Hasani, biri i Aliut, u predikoi njerëzve. Ai lavdëroi Allahun dhe tha: ‘Njeriun që ka vdekur sot nuk ka mundur ta tejkalojë në vepra asnjë nga njerëzit e mëparshëm, atë nuk do të mund ta arrijë asnjë nga njerëzit e mëvonshëm; i Dërguari i Allahut i kishte dhënë atij flamurin e tij. Ai luftonte me krye- engjëllin Xhibril në të djathtën e tij dhe me Mikailin në të majtën e tij e nuk kthehej prapa derisa All-llahu t’i dhuronte fitoren.

Ai nuk la prapa asnjë sasi ari ose argjendi. Në fondin e tij kishin mbetur shtatëqind dërhemë, me të cilat ai kishte planifikuar të blinte një shërbëtor për familjen e tij’. Ai vazhdoi: ‘O njerëz, ai që më njeh mua, e di kush jam, ndërsa kush s’më njeh le ta dijë se unë jam Hasani, i biri i Aliut. Unë jam biri i Pejgamberit, jam biri i Mëkëmbësit, jam  biri i Sjellësit të lajmeve të mira, jam biri i Paralajmëruesit, jam biri i Thirrësit tek All-llahu me lejen e Tij, jam biri i Llambës dritëdhënëse.

Unë jam nga familja, në të cilën zbriste dhe prej së cilës ngjitej Xhibrili, unë jam nga familja prej së cilës All-llahu e ka larguar urrejtjen dhe e ka pastruar, unë jam nga familja, dashurinë për të cilën All-llahu e bëri të detyruar për çdo musliman. Thënia e Tij drejtuar Pejgamberit të Tij (a.s.) -  Thuaj: Unë nuk kërkoj për këtë ndonjë shpërblim nga ju, përveç dashurisë për të afërmit dhe, lidhur me këtë, Ne do t'ia rritim të mirën kujtdo që bën një vepër të mirë - do të thotë se arritja e veprave të mira është dashuria për ne, familjen e Pejgamberit’.”

Sipas Abdullah bin Abbasit: "Kur Pejgamberi (a.s.) u pyet në lidhje me disa fjalë që Ademi kishte marrë nga Zoti i tij, falë të cilave Ai e kishte falur, Pejgamberi tha: ‘Ademi i tha: ‘Ju më falët mua për privilegjin që ka Muhamedi, Aliu, Fatimja, Hasani dhe Husejni’. "

Taberaniu rrëfen këtë hadith, të transmetuar nga Ali Bin Abdulazizi, i cili e transmeton nga Ebu-Naimi, Abduselam bin Harbi dhe Jezid bin Ebi-Ziadi: “Pasi doli nga shtëpia e Aishes, Pejgamberi (a.s.) kaloi nga shtëpia e Fatimes dhe dëgjoi Husejnin duke qarë. Ai tha: ‘A nuk e dini se të qarët e tij më lëndon?’ "

Havrazmi rrëfen një hadith nga i Dërguari (a.s.), që thotë: "Unë jam peshorja e diturisë, Aliu është pjata e peshores, Hasani e Husejni janë vargjet e saj, Fatimja është gremçi i saj dhe imamët e komunitetit tim janë boshti i saj; në të peshohen veprat e atyre që na duan dhe të atyre që na urrejnë.”

Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) citon Pejgamberin (a.s.) të ketë thënë: "Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është jeta ime: Shpirti i njeriut nuk e lë trupin e tij  dhe deri sa të hajë nga frutat e Xhenetit apo nga pema e Zekumit[5], ai sheh Engjëllin e Vdekjes, ai më sheh mua, Aliun, Fatimen, Hasanin dhe Husejnin. Nëse ai na ka dashur ne, unë do t’i them: O Engjëll i Vdekjes, trajtoje me butësi, sepse më ka dashur mua dhe familjen time; dhe nëse më ka urryer mua dhe familjen time, unë do t’i them: O Engjëll i Vdekjes, ji i ashpër ndaj tij, sepse ai më ka urryer mua dhe familjen time. Vetëm besimtari na do dhe vetëm mëkatari na urren".

Referencat:

Sahih Muslim

Sahih Buhari, libri i Fadha"il Sahaba-s

Jami" al-Osool

Majma" al-Zawa"id

Usd al-Ghaba

Sawa"iq Mohriqa

Matalib al-So"ul

Mo"jam Kabeer

Is"af al-Raghibeen

Mostadrak al-Saheehayn

Noor Absar

Yanabi" Mawadda

Fara"id Simtayn

Ithaf Bi-Hob Ashraf

Kifayat al-Talib

Siyar A"lam al-Nobala

Usd al-Ghaba

Tathkirat al-Khawas

Al-Isaba

Kanz al-Ommal

Al-Bidaya Wa al-Nihaya

Tareekh Ibn Asakir

Majma" al-Zawa"id

Hosein Bin Alee nga Bin Adeem

Fara"id Simtayn

Manaqib Imam Alee nga Bin Maghazily

Manaqib Imam Alee in Riyadh Nadhira

Noor al-Absar

Thakha"ir Oqba

Fara"id Simtayn

Oqad Dorar Fi Akhbar al-Montathar

Al-Bayan Fi Akhbar Sahib al-Zaman

Maqtal Hosein nga Khawrazmy


[1] Një nga gratë e Pejgamberit (s.a.).

[2] Hasanin dhe Hysejnin.

[3] Në një transmetim tjetër, Fatimja (r.a.).

[4] Parajsë.

[5] Një pemë në Xhehenem