Mësime nga Ashura

nga Valbona İsmaili | Publikuar në Shta. 26, 2017, 10:50 p.m.

Rimëkëmbja e të Vërtetës Ekzistenciale të Njeriut

Burimet themeltare të Islamit theksojnë në mënyrë të veçantë dinjitetin dhe madhështinë e shpirtit njerëzor. Në shoqërinë ku njerëzit respektohen dhe nderohen, çdo shfaqje nënshtrimi dhe përuljeje, konsiderohet si akt tepërt i ulët, përmes të cilit forcave despotike synojnë qëllime përfitimi e sigurimi të të mirave materiale.

Shoqëria që edukon frymën e krenarisë dhe vlerëson thelbin e qenies së vet nuk u nënshtrohet forcave arrogante, që kërkojnë, në këtë mënyrë, të zhdukin dhe eliminojnë vlerat më thelbësore të kulturë së saj. Një njeri e shoqëria e tillë arrijnë që të dallojnë aspektet që nuk përputhen me vlerat e larta humane, që rrjedhin pikërisht nga substanca njerëzore, edhe nëse në dukje janë të bukura.

Një shoqëri e tillë nuk e flijon dinjitetin e saj për të plotësuar dëshirat shtazarake të palës arrogante. Ehli Bejti i fton njerëzit në meditim e introspeksion të thellë lidhur me vlerat sublime morale dhe njerëzore, për të konceptuar dinjitetin e madhështinë shpirtërore që ata kanë nëpërmjet zbulimit të së vërtetës të tyre ekzistenciale.

Me thëniet e tij të arta e të famshme në prag të martirizimit, Imam Hyseini kishte për qëllim të tërhiqte vëmendjen drejt konceptimit të madhështisë së thelbit dhe dinjitetit njerëzor. Në fjalën e tij Ditën e Ashurës, Imam hyseini e rimëkëmbi madhështinë  dhe konceptimin e vlerës së lartë të njeriut dhe tregoi krenarinë dhe dinjitetin e vërtetë të njeriut. Ai tha: “Është më e preferuar vdekja, sesa pranimi i ultësisë”[1]. Mësimi që nxjerrim nga ky mesazh është: “O njeri, vështro veten tënde dhe do të kuptosh pozitën tënde të lartësuar në raport me krijesat e tjera të botës. Vetëm kështu, nuk do të pajtohesh me pranimin e pushtetit të një njeriu të lig, si jezidi”. Në një rast tjetër imam Hyseini thotë: “Vdekja me dinjitet është më e mirë se jeta me denigrim[2]”. Imam Hyesini ka thënë gjithashtu: “Unë nuk  shoh vdekjen përveçse si humbje”.[3] Të gjitha këto mesazhe synojnë dinjitetin dhe madhështinë reale të njeriut.

Ringallja e besimit në Ditën e Gjykimit

Besimi në jetën e amshueshme nxit kryerjen e veprave të mira dhe pengon përhapjen e ligësive e veprave të këqija. Përmendja e vdekjes, shpërblimit dhe ndëshkimit hyjnor e parandalon njeriun nga shmangiet dhe degjenerimi.

Ky besim garanton ndjekjen dhe pasimin e udhës së drejtë të Zotit. Në shkollën edukative të islamit i kushtohet vëmendje principit, paralajmërimit dhe stimulimit. Jo më kot Kur’ani Famëlartë përmend shpesh herë ringjalljen dhe begatitë e Zotit në botën tjetër, ashtu sikurse përmend dhe tortura për njerëzit e këqinj.

Kjo çështje lidhet me ndikimin që kanë këto principe praktike në edukimin e njeriut. Ditën kur u nis nga Meka për në Irak (Qerbela), imam Hyseini ndër të tjera tha: “Vdekja e ka zënë njeriun për fyti njësoj si varësja qafën e njeriut”.[4]

Me këto fjalë, imam Hyseini u tregon bashkëshoqëruesve të tij se cilën rrugë janë duke ndjekur dhe i lajmëron që vdekja është së bashku me ta, në mënyrë që të jenë të kujdesshëm kur marrin vendime, që dhe të mos shmangen nga rruga e drejtë. Kur dëgjoi lajmin për vdekjen e Muslimit, ai tha: “Zoti e Mëshiroftë Muslimin se ai pa dyshim vrapoi drejt rehatisë pranë Zotit. Ai e përmbushi detyrimin e vet, kurse ne ende jo”.[5] Kurse në lidhje me vdekjen e Omer Saad, imam Hyseini tha: “Mjerë për ty,a nuk e ke frikë Zotin, tek i cili është rikthimi yt?”.[6]

Ndërsa lidhur me epërsinë e botës së amshueshme ndaj kësaj bote, Imam Hyseini  ka thënë: “Unë jam duke u nisur drejt një bote që është më e mirë sesa kjo botë dhe ajo që ndodhet brenda saj, si dhe drejt një pushteti që nuk ka fund[7].

Mbështetja në parime si qëllimi sublim dhe njohja e të vërtetës

Mbështetja në parimin e qëllimit sublim në shkollën edukative dhe reformuese të Islamit ka për qëllim dhënien e kuptimit të jetës dhe eliminimin e nihilizmit. Për nejriun me qëllim të posaçëm, kryerja e detyrimeve të vshtira dhe të rënda jo vetëm që nuk konsiderohen si pengesë, por shihen madje si një faktor që i jep jetës dinamizëm dhe ndryshim. Mosqëndresa dhe lënia përgjysëm e veprave është rezultat i mospasjes së qëllimit në jetë. Kur njeriu kërkon të arrijë një qëllim madhështor e hyjnor, ndjek një rrugë të posaçme, pavarësisht konditave e kushteve që e rrethojnë. Bota, me gjithë pasuritë e saj të duksme dhe të padukshme, i duket njeriut si e pavler në krahasim me qëllimin sublim. Një individ i tillë nuk mund të zgjedhë në asnjë rrethanë shmangien nga rruga hynore. Ajo që kishte rëndësi për Imam Hyseinin ishte kryerja e detyrimit pranë Zotit. Po ashtu, në këtë udhëtim të tij drejt Qerbelasë, që do të trondiste historinë njerëzore, ai paralajmëroi djalin e vet që ata nuk do të mbeten gjallë. Dhe djali i tij, Ali Akberi, e pyeti: “A jemi në rrugën e së vërtetës?”  Imami u përgjigj: “Betohem në Zot që rikthimi i të gjithëve është tek Zoti i Plotëfuqishëm. Që po! Ne jemi në rrugën e drejtë”. Më  pas djaloshi iu kthye babait me këto fjalë: “Baba, atëherë nuk duhet të kemi frikë nga vdekja”. Imam Hyseini buzëqeshi dhe i tha: “O biri im! Kjo është gjëja më e mirë që një fëmijë pranon nga babai i vet[8].

Njohja e rrugës së drejtë dhe pasja e një qllimi të veçantë është mësimi i lëvizjes së Imam Hoseinit që nga nisja në këtë rrugë, deri tek përfundimi i saj. Në letrën e tij dërguar Muhamd Hanifesë, Imam Hyseini paraqet si qëllim të kryengritjes së vet reformimin e umetit të gjyshit të vet dhe arritjen e suksesit nga ana e Zotit. Ndër të tjera, ai tha: “Suksesi im është në duart e Zotit, tek Zoti mbështetem dhe Atij i përulem dhe i lutem[9].

Duke qenë se Imam Hyseini fuqinë dhe vullnetin e Zotit e shikon si dominues ndaj çdo gjëje, ai pohon që realizimi i qëllimit nuk është në duart e tij, por kryerja e detyrimit është e rëndësishme. E vërteta më e madhe për Imam Hyseinin është fakti që duke u mbëshetur në Zot, njeriu është fitues dhe i suskseshëm gjithnjë dhe nuk u frikësohet nga numri i vogël i përkrahësve të tij. Kur përballet me ushtrinë e Kufas, ai deklaroi pa u trembur: “Komandati i juaj më ka lënë dy zgjidhje: ose vrasjen tonë, ose ultësinë dhe poshtërimin. Larg qoftë poshtërimi prej nesh!”[10]

Edhe ithtarët e tij, që ishin të paktë në numër por nxënës besnikë të këtij njeriu të lartë deri në momentet e fundit të tyre, treguan një qëndrueshmëri të jashtëzakonsme në këtë përballje të pabarabartë, dhe kjo pikërisht për madhështinë e qëllimit dhe të rrugës së tyre të drejtë. Sepse, sa më të vështria bëheshin kushtet, aq më besnikë tregoheshin dhe ata. Si mendoni! A ka ndonjë faktor më të madh se lartësia e qëllimit dhe dashuria ndaj tij, që e bën njeriun të jetë aq i qëndrueshëm dhe i vendosur?!

 

[1] Biharl- envar, vëll, 78, fq, 128.

[2] Po aty, vëll. 44, fq 192.

[3] Sezzid ibn tavus, El- lehouf, fq, 79.

[4] Biharul – Envar, vëll, 44, fq, 366.

[5] Po aty, vëll, 44, fq, 374- 392

[6] Po aty, vëll 44, fq 388- 431.

[7] Po aty, vëll 45, fq 368.

[8] Biharul – Evar, vëll 44, fq 368.

[9] Po aty, fq 329.

[10] Po aty, vëll 45, fq 9.