"Kosova nuk shkon në Bashkimin Evropian, por bëhet BE këtu” – Haradinaj

Publikuar në Shta. 13, 2017, 11:19 a.m.

Kryeministri i ri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për aspiratat e vendit për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Ai ka thënë se Kosova "jo vetëm aspiron por e ka edhe qëllim dhe pa alternativë anëtarësimin" në këto organizma ndërkombëtarë.

"Ajo që më shqetëson mua është një stërzgjatje e rrugës tonë drejt Bashkimit Evropian, një perspektivë shumë e largët drejt BE-së që e humb kuptimin e vet dhe unë kam insistuar dhe insistoj edhe sot që Marrëveshja për Stabilizim Asociim që është kontrata jonë me Bashkimin Evropian të zbatohet dhe të kalojmë deri të statusi i kandidatit", ka theksuar Haradinaj, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

"Nuk mundesh ta lësh Kosovën në gjendjen e tanishme si ka mbetë edhe pa njohjen e pesëshes të Bashkimit Evropian, pa liberalizim të vizave pa një perspektivë më të saktë se çka ndodhë dhe cilat janë hapat me të cilët Kosova anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Pra, ne duhet të kërkojmë një situatë konkrete në këtë drejtim", është shprehur ai.

I pyetur se për sa kohë do të mundet ta marrë Kosova statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, kryeministri i ri është përgjigjur: "Unë nuk e mendoj këtë kohë të gjatë, tani mos të precizoj saktë sepse janë edhe marrëdhëniet e ndërsjella por pjesën tonë do ta kryejmë. Kosova nuk shkon në Bashkimin Evropian, por bëhet BE këtu. Ne do të punojmë në detyrat tona të shtëpisë por presim edhe reflektim nga Brukseli".

A do ndodhë kjo brenda këtij mandati? "Besoj po", ka thënë Haradinaj.