Kosova në Vatikan, Thaçi do të takojë papa Françeskun

Publikuar në Shta. 7, 2017, 12:53 a.m.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se gjatë këtij muaji do të takojë Atin e Shenjtë, papa Françeskun.

Këtë njoftim presidenti Thaçi e ka bërë në faqen e tij në “Facebook”, teksa ka shkruar rreth shugurimit të katedrales Shën Tereza.

“Jam i lumtur që gjatë këtij muaji do të kem mundësi t’i rrëfej Papa Françeskut në takim për shugurimin e Katedrales dhe për të gjitha zotimet dhe të arriturat e popullit të Kosovës”, ka shkruar ai.

Presidenti Thaçi ka lartësuar traditën popullore, e cila sipas tij kurrë nuk ka bërë ndarje në mes të kishës, xhamisë, manastirit apo teqesë.

“Bashkë ishim në gurthemelin, bashkë në inaugurim dhe sot së bashku ishim edhe në shugurimin e katedrales Shën Tereza”, ka shtuar ai.

Lidhur me katedralen e shuguruar sot, presidenti ka thënë se ajo është shtëpi e Zotit, por është edhe shtëpi e qytetarëve të Kosovës.

“Ajo u ngrit me djersën e popullit, diasporës, besimtarëve shqiptarë, dashamirësve nga mbarë bota. Kjo katedrale është, jo vetëm tempull fetar, por edhe një rrëfim i historisë sonë”, ka theksuar ai.

Ndryshe, presidenti Thaçi ishte pritur vitin e kaluar në një audiencë private nga papa Françesku në Vatikan.