Hapat drejt nje familjeje të suksesshme

nga Valbona İsmaili | Publikuar në Shta. 4, 2017, 12:25 a.m.

Familja është baza e çdo shoqërie. Për të pasur një shoqëri të shëndoshë, në të cilën kultivohen vlerat humane dhe përsosmëritë njerëzore, patjetër që në radhë të parë duhet të kemi familje të cilat i reflektojnë këto vlera. Ne këtu do të përmendim disa çështje të rëndësishme që çojnë tek krijimi i një familjeje shembullore, në të cilën anëtarët zhvillojnë aftësitë e tyre për të qenë në shërbim të familjes dhe shoqërisë.

Në radhë të parë familjen e suksesshme  mund ta ngjasojmë me rrahjen  e një zemre të vetme në të gjithë anëtarët e saj, që nënkupton bashkimin e anëtarëve të familjes si të ishin një trup i vetëm. Ky bashkim mundëson  lëvizjen e tyre së bashku drejt përsosmërisë. Pra, për të qenë një familje me të vërtetë e suksesshme duhet që tek ajo të mbizotërojnë vlera të përbashkëta, sjellje dhe veprimtari që burojnë nga dëshira për të zbatuar urdhrat e Zotit, gjë që mundëson që zemrat e të gjithë anëtarëve të saj të rrahin si një zemër e vetme dhe që të gjithë të bashkëpunojnë në harmoni si një trup i vetëm, me qëllim që të gjithë pjesëtarët e saj të lëvizin në një hap së bashku drejt përsosmërisë. Në një familje të tillë vend të rëndësishëm zë uniteti, harmonia dhe solidariteti. Në një familje të tillë nuk vërehet përçarja, armiqësia dhe të gjitha punët kryhen me mirëkuptim, dashuri dhe bashkëpunim.

Për të pasur një vatër të ngrohtë dhe të suksesshme familjare duhet të tregohemi të kujdesshëm qysh në  hapin e parë, e ky hap është zgjedhja e bashkëshortit/es sipas kritereve islame, më të rëndësishmet prej të cilave janë: besimi dhe bindjet e drejta, morali i mirë, devotshmëria, shëndeti trupor dhe mendor. Në rrethana të tilla mund të shpresojmë që të kemi një familje të suksesshme. Zoti i Madhëruar, në suren Er – Rrum, ajeti 21, ka përmendur kriterin për një familje të suksesshme, duke thënë:  “Dhe nga faktet (e madhërisë) e Tij është që për të mirën tuaj, ai krijoi nga vetë lloji i juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë”.

Dijetari i njohur Ibn Sina, duke u bazuar në ajetin e lartpërmendur, themelin e suksesit të familjes e ka mbështetur në 4 shtylla bazë: paqen dhe qetësinë, dashurinë, mëshirën dhe moralin. Prandaj familjet që e vënë gurthemelin e jetës së vet në bazë të shtyllave të lartpërmendura do të konsiderohen si familje të suksesshme. Përkundrazi, në familjet në të cilat dominojnë ndjenjat dhe emocionet e privuara nga logjika dhe udhëzimi hyjnor arritja e këtyre qëllimeve është e pamundur. Mënyra e vetme për të arritur suksesin në familje është pranimi i vlerave humane dhe hyjnore nga ana e anëtarëve të saj, që do të ishte një mundësi për shfaqjen e pastërtisë, drejtësisë dhe besimit për përparimin shpirtëror të anëtarëve të saj.  Pikërisht ky është qëllimi i fesë islame dhe realizimi i këtij qëllimi sigurisht do të kishte ndikim të madh në shoqëri, duke i luftuar që në rrënjë dukuritë negative që, fatkeqësisht sot, po krijojnë probleme nga më të ndryshmet në  shoqëri.

Në familjen e konfiguruar në bazë të udhëzimeve hyjnore të gjitha përpjekjet kanë për qëllim shndërrimin e saj në një inkubator në të cilin “prodhohen” anëtarë të shëndetshëm nga pikëpamja morale, mendore dhe emocionale.

Po ashtu, një prej karakteristikave që hasim në një familje ideale është se të gjitha dëshirat dhe kërkesat e pjesëtarëve të saj shndërrohen në një dëshirë të vetme, madje edhe ëndrrat e tyre shndërrohen në një ëndërr të vetme. Ata i përforcojnë me këmbëngulje marrëdhëniet në mes vete dhe, për t’i mbrojtur dhe ruajtur ato, qëndrojnë larg ndikimit dhe ndërhyrjes së qëndrimeve destruktive dhe të dëmshme. Masat që merren paraprakisht janë në dobi të të gjithë pjesëtarëve të familjes dhe vendimmarrjet merren në mënyrë të atillë që të tregohet kujdes ndaj të gjitha dëshirave të pjesëtarëve të familjes. Në familje të tilla përforcohet dashuria dhe miqësia e ngushtë dhe secili bashkëshort vë në përdorim aftësitë dhe përpjekjet e tij më të mira, në mënyrë që marrëdhëniet e dashurisë në mes tyre të jenë të vazhdueshme dhe, si rrjedhojë, ngrohtësia e vatrës së tyre familjare të mos shuhet kurrë.

Në një familje të suksesshme islame hierarkia zbatohet më së miri. Nga njëra anë, prindërit kanë një pushtet të veçantë, kurse nga ana tjetër fëmijët kanë një respekt të veçantë për prindërit e tyre. Po ashtu, edhe në raportet mes burrit dhe gruas pranohet pushteti dhe respekti i burrit dhe gruaja e pranon që burri është ai që, në disa raste, ka të drejtën e vendimmarrjes përfundimtare. Në sistemin bashkëshortor detyrat dhe përgjegjësit kryhen më së miri. Në mes tyre ekziston miqësia dhe mëshira e ndërsjellë, si dhe tregohet kujdes ndaj nevojave personale të të dy palëve.

Në një familje të suksesshme të gjithë pjesëtarët e familjes pajtohen që t’i përmbahen devotshmërisë dhe që të qëndrojnë larg mëkateve të tilla si: dëgjimit të muzikës dhe këngëve të ndaluara (haram), konsumimit të pijeve alkoolike, përgojimit, akuzave të pabaza, veseve morale,  arrogancës, zilisë etj.

Sigurisht, në një familje të tillë mund të ndodhin edhe shkarje dhe gabime, por themeli i familjes nuk lëkundet, pasi ai qëndron i ngulitur fort në devotshmërinë e pjesëtarëve të saj ndaj obligimeve fetare.

Në një familje të suksesshme respektohet e drejta e secilës palë dhe drejtësia është parimi kryesor. Një kujdes i veçantë tregohet edhe ndaj prindërve të bashkëshortit/es. Një vlerë dhe rëndësi të veçantë ka edhe bashkëveprimi dhe mbështetja shoqërore ndërmjet anëtarëve të farefisit.

Familja e suksesshme, nga pikëpamja islame, nuk është larg çdo problemi dhe mosmarrëveshjeje, por megjithatë integriteti i personave të saj ruhet me kujdes dhe përpikëri.  Pjesëtarët e familjes, pas qetësimit emocional të tyre, i kushtojnë kujdes korrigjimit, ndreqjes së gabimeve dhe përmirësimit të pikave të tyre të dobëta.

Përveç kësaj, nga pikëpamja islame, tre konceptet kryesore të një familjeje të suksesshme janë: bindjet e qëndrueshme fetare, gjykimi në bazë të drejtësisë  dhe toleranca.

Jeta familjare e imamëve është  një shembull i përkryer i një familjeje të suksesshme islame. Në këto familje marrëdhëniet emocionale janë shumë të thella. Imamët kishin një respekt dhe konsideratë  të veçantë për gratë e tyre. Në çështjet ekonomike ata konsultoheshin me to dhe e merrnin parasysh mendimin e tyre. Madje ata kërkonin ndihmën e tyre edhe në çështjet shpirtërore. Në komunikimin me fëmijët e tyre ata kishin si parim: dashurinë,  respektin, pranimin dhe lirinë e tyre, por, në të njëjtën kohë, i mbikëqyrnin ata. Vëmendje të veçantë iu kushtonin principeve të tilla  si: zhvillimin e gjithanshëm të tyre, sjelljen në mënyrë të barabartë pa favorizuar askënd prej tyre, mos ushtrimin e dhunës mbi ata dhe mosndëshkimin e tyre. Në marrëdhëniet mes tyre mbizotëronte dashuria dhe butësia.

Familje e suksesshme quhet ajo familje që dallohet në të gjitha aspektet për një zhvillim harmonik të përkorë dhe sinkronik dhe që qëndron larg ekstremeve.