Haxhi në mendimin eE Imam Khomeinit

nga Vullnet Merja | Publikuar në Gus. 24, 2017, 2:09 a.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit.

 Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “Shtëpia e parë që është ndërtuar për njerëzimin, është ajo e ndërtuar në Bekë (prej emrave të Mekës). Ajo Shtëpi është e begatë dhe burim udhëzimi për mbarë njerëzimin.” (Surja “Al Imran”, ajeti 96.)

Meka është vendi i Shenjtë, e cila pasqyron për kujtesën individuale dhe kolektive të myslimanëve, besnikërinë, vuajtjet dhe fatkeqësitë e mëdha me të cilat është përballur i Dërguari i Allahut, profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij të nderuar!) për disa vite me radhë, për të përhapur monoteizmin dhe pë të udhëzuar njerëzit në rrugën e Allahut. Po të marrim parasysh kushtet dhe rrethanat e vështira në të cilat u dërgua Profeti i nderuar (Paqja dhe begatia e Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij të nderuar!), do të arrijmë të kuptojmë realitetin e përgjegjësive të mëdha që bien mbi supet tona, për të mbrojtur dhe për të përhapur këtë fe madhështore, këtë amanet të madh të Allahut të Madhëruar.

Të gjithë jemi të informuar se si Profeti i nderuar u përball me shijen e hidhur të emigrimit, për hir të përcjelljes së Mesazhit të Allahut. Ishin ata burra të mëdhenj që përballuan luftërat e egra dhe shumë të ashpra, të zhvilluara në kushte tërësisht të pabarabarta me armiqtë e tyre dhe të Islamit. Ishin ata njerëz të jashtëzakonshëm, të cilëve, përveç armiqve të tyre të drejtpërdrejtë, u duhej të përballeshin me mijëra hipokritë, që gjallonin kudo në mesin e myslimanëve. Ishin këta njerëz të pastër dhe të sinqertë, që, me ndihmën e Allahut të Madhëruar dhe me ndihmën e vullneteve të tyre të hekurta, kanë punuar fort për të udhëzuar njerëzit. Gurët, dheu, pemët, shkretëtirat, malet, lagjet dhe tregjet e Mekës dëshmojnë, gjithashtu, përpjekjet e mëdha të Profetit, për të përhapur udhëzimin e Krijuesit të Gjithësisë.

Qabeja e nderuar dhe e shenjtë, është simbolika e vendit të vetëm, ku shkatërrohen dhe thërrmohen të gjitha format e idhujve, të idhujtarisë dhe të politeizmit. Thirrja e njehsimit (e teuhidit) është ngritur në atë vend të shenjtë prej Profetit Ibrahim, në fillim të historisë. Allahu i Madhëruar na tregon në Kur’anin Famëlartë se çfarë i ka thënë të dashurit të tij, Ibrahimit: “Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta.” (Sure “El-Haxh”, ajeti 27.)

Allahu i Madhëruar thotë gjithashtu: “Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrinë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe duke u përulur.” (Sure “El-Bekare”, ajeti 125.) Kjo do të thotë pastrim prej të gjitha formave të idhujtarisë, me në krye politeizmin. Kjo saktësohet qartësisht në krye të ajetit kur’anor, ku Allahu i Madhëruar thotë:  “Ja shpallja e Allahut dhe e të Dërguarit të Tij, drejtuar njerëzve në ditën e Haxhit të madh: “Allahu dhe i Dërguari i Tij shkëpusin çdo detyrim ndaj idhujtarëve.” (Sure “Teubeh”, ajeti 3.)

Qëllimi i ndërtimit të kësaj Shtëpie të Shenjtë është për të ngritur popujt, për t’i mësuar si t’i nënshtrohen vetëm Krijuesit të botëve dhe asnjë fuqie tjetër përveç Atij, si dhe për t’i zhvilluar ata. Pa dyshim që adhurimi i Haxhit është shumëdimensional. Në këto pak rreshta do të hedhim dritë mbi mendimin e imam Khomeinit (Zoti qoftë i kënaqur më të!) rreth Haxhit.

Imam Khomeini ka thënë: “Nuk ka dyshim se dimensionet morale të Haxhit përfaqësojnë kapitalin kryesor të kësaj jete dhe të Jetës së Përtejme dhe të përjetësisë. Janë moralet e larta ato që e afrojnë njeriun te Allahu. E vërteta e madhe qëndron në faktin se do të dalim të falimentuar prej Haxhit, për sa kohë nuk do t’i kryejmë me përpikëri dhe me amanet të gjitha dispozitat e adhurimit të Haxhit. Është detyrë e të gjithë haxhinjve të nderuar, që i vizitojnë vendet e shenjta, që të mësojnë sa të munden kryerjen me përpikëri të ritualeve të Haxhit. Kjo është një detyrë po aq e rëndësishme, që bie mbi supet dhe mbi shpatullat e dijetarëve të nderuar që i shoqërojnë besimtarët gjatë kryerjes së Haxhit. Adhurimi i Haxhit është pastrues i shpirtit dhe i zemrës. Të gjithë myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret që kanë shkuar apo që do të shkojnë në të ardhmen për të kryer Haxhin, duhet ta dinë dhe ta kenë të qartë se është prej normave të moralit dhe të fesë, që gjatë ditëve të qëndrimit në ato vende të shenjta dhe jo vetëm, duhet të jenë të edukuar dhe të sjellshëm me të gjitha krijesat e Allahut. Mirësjellja dhe edukata duhet t’i përfshijë të gjithë njerëzit, nguliteni mirë në mendje, pa dallim race, kombësie, gjuhe të folur, lokaliteti gjeografik apo ngjyre të lëkurës.”

Imam Khomeini ka thënë: “Vërtet, dimensioni shoqëror i Haxhit nuk mund të realizohet kurrsesi në rast se krijojmë boshllëqe dhe mangësi në dimensionin adhurues të tij, sepse realizimi i pasojës pa shkakun është i pamundur. Asgjë nuk mund të realizohet pa u realizuar më parë plotësimi i thirrjes “lebejke llahume”-“t’u përgjigjëm o Allah”, si një thirrje e dalë prej thellësive të shpirtit dhe të zemrës së njeriut. Këto thirrje, drejtuar Allahut të Madhëruar, nga thellësitë e sinqeritetit, kanë për qëllim ta ftojnë qenien te hapësirat e shenjta të afrimitetit. Kjo është mënyra më e mirë, nëpërmjet të cilës besimtari vetëdijesohet se është duke iu drejtuar Krijuesit të Gjithësisë me të gjithë fuqinë dhe sinqeritetin e qenies së tij. Kjo është mënyra më e mirë për të çliruar tërësinë e qenies prej të gjitha formave të idhujtarisë dhe të politeizmit. Kjo thirrje e madhe është mënyra më e sinqertë dhe më e sigurt për ta transferuar qenien dhe për të emigruar bashkë me të për te hapësirat e afrimitetit, pasi kjo qenie është burimi i të gjitha formave të idhujtarisë dhe të politeizmit. Takimi periodik i myslimanëve në Qabenë e Bekuar është tubimi shoqëror më i madh i të gjitha kohërave, të cilin do ta kishin të pamundur ta organizonin me këtë lehtësi dhe natyrshmëri edhe shtetet më të forta të globit.”

Imam Khomeini ka thënë: “Nuk ka dyshim se njëri prej dimensioneve të rëndësishëm të Haxhit, është dimensioni politik i tij. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme, kundër të cilës armiqtë e Islamit kanë punuar shumë dhe janë përpjekur që ta fshijnë, ta shuajnë, ta zbehin sa më shumë dhe ta shkulin nga rrënjët. Fatkeqësisht, propaganda e tyre ka gjetur praninë te një shtresë e gjerë e masave myslimane, pasi shumë prej tyre janë të mendimit se, të udhëtosh për në Haxh, është një vizitë apo një udhëtim adhurimi rutinë, i lidhur me disa rituale të thata, jo gjithmonë të kuptueshme, hera-herës shumë të vështira, që nuk kanë kurrfarë lidhje me interesat e myslimanëve dhe me format e bashkëpunimit dhe të bashkimit midis tyre.”

Imami i nderuar është përpjekur vazhdimisht të sqarojë për besimtarët dhe për myslimanët kuptimet e vërteta të këtij rituali të shenjtë.

Lidhur me këtë aspekt, imam Khomeini është shprehur: “Është detyrë e të gjithë myslimanëve, që mbajnë mbi supet dhe mbi zemrat e tyre interesimin për këtë fe madhështore, Islamin, që të njihen, të studiojnë dhe të kuptojnë dimensionet e vërteta, mësimet dhe urtësitë e mëdha që fshihen te ky adhurimi kaq i madh dhe kaq i rëndësishëm. Është detyrë e të gjithë myslimanëve të ndershëm, që mbartin mbi supet e tyre hallet e Islamit, që të njihen dhe të kuptojnë dimensionin politik dhe shoqëror të Haxhit, sepse kjo i ndihmon ata ta kryejnë adhurimin në formën dhe në mënyrën e vet më të plotë. Është detyrë e të gjithë atyre, që të kuptojnë se një ritual kaq madhështor sa ky, është diçka më shumë dhe padyshim një angazhim adhurimi që i tejkalon ushtrimet fizike dhe dimensionin turistik të ritualit.”

Në fjalët e tij imam Khomeini (Zoti qoftë i kënaqur më të!) ka porositur që zemrat tona të jenë të lidhura vetëm me Allahun. Për këtë ka thënë: “Të dashur dhe të shtrenjtë haxhinj! Është detyra juaj, që të çlironi zemrat tuaja prej lidhjeve me gjithçka tjetër, përpos Allahut të Madhëruar, sikurse jeni të ftuar t’i zbrazni dhe t’i boshatisni zemrat tuaja prej gjithçkaje tjetër, përveç dashurisë për Allahun e Madhëruar. Ndriçojini zemrat tuaja me dritën e bekuar të besimit dhe të adhurimeve. Kjo është e vetmja mënyrë që adhurimet dhe ritualet tuaja gjatë kryerjes se Haxhit të jenë të orientuara saktë drejt Allahut të Madhëruar dhe drejt fitimit të kënaqësisë së Tij. Kjo është e vetmja mënyrë për të përmbushur të plotë të gjitha kuptimet e Haxhit të Ibrahimit, për të mbërritur më pas te ai i Muhamedit. Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare, që jeni nisur për të kryer Haxhin! Jeni të lutur të hiqni dhe të pastroni qëllimet tuaja, duke e zhveshur këtë udhëtim të shenjtë prej çdo lloj përfitimi të kësaj bote të ulët dhe të gënjeshtërt. Ky është rrugëtimi më i shenjtë për te Allahu i Madhëruar, ndaj jeni të lutur të mos e komprometoni atë apo ta bëni pis, me të tjera interesa, të lidhura me përfitimet e kësaj bote.”

Imami i nderuar vinte theksin te sinqeriteti në kryerjen e adhurimit të Haxhit. Imam Khomeini ka thënë: “Është e ditur për të gjithë besimtarët dhe besimtaret fakti se punët e mira dhe të gjitha adhurimet duhet të kryhen për hir të Allahut të Madhëruar. Pra, sinqeriteti në adhurim është prej kushteve themelore të pranimit te Allahu i Madhëruar. Është detyrë e të gjithë haxhinjve të nderuar, që të mos i shoqërojnë Allahut shok në adhurim dhe ta kryejnë këtë ritual të shenjtë vetëm për të fituar kënaqësinë e Allahut.”

Të dashur lexues! Të lexojmë së bashku se çfarë ka thënë imam Khomeini (Zoti qoftë i kënaqur me të!) rreth ritualeve të haxhit.

Imam Khomeini ka thënë: “Sa herë që të thërrisni “Lebejk, lebejk!” përpiquni t’u thoni “Jo!” të gjitha llojeve të putave, që mund të pushtojnë qeniet apo imagjinatat tuaja. Ky është momenti i përshtatshëm për të ulëritur në fytyrën e të gjitha putave, të mëdha dhe të vogla dhe për t’u thënë atyre, “Jo!”. Ky është momenti i përshtatshëm për t’i thënë, me të gjithë fuqinë e qenies, “Jo!”, të gjitha formave të diktaturave, të pushtimit apo të tiranisë.”

Imam Khomeini ka thënë: “Në të vërtetë, tauafi (rrotullimi) rreth Qabesë së nderuar është shprehje e fuqishme dhe e sinqertë e qenies së besimtarit se ai nuk adhuron askënd tjetër përveç Allahut të Madhëruar dhe nuk mund të ndodhë, që të rrotullohet rreth diçkaje apo dikujt tjetër përveç Allahut të Madhëruar.”

Imam Khomeini ka thënë: “Kur të ecni ndërmjet Safasë dhe Mervasë, duhet të mendoni sikur jeni duke rrugëtuar për te Allahu i Madhëruar. Imagjinoni dhe mendoni sikur jeni duke rrugëtuar në drejtim të dashurisë suaj të madhe, të asaj dashurie që, sapo ta gjeni dhe sapo ta prekni, harroni të gjitha vështirësitë dhe hallet e kësaj bote.”

Imam Khomeini ka thënë: “Nisuni, të bekuar, drejt vendeve të shenjta dhe drejt Malit të Arafatit, me besimin e madh te shpërblimi i Allahut të Madhëruar. Përqendroni mendimet tuaja më pozitive dhe ndjenjat tuaja më të bardha dhe vendosini ato në funksion të realizimit me sukses të adhurimit madhështor të Haxhit. Përpiquni të jeni të gatshëm në çdo moment, për të pranuar dhe për të besuar me të gjithë fuqinë e shpirtit dhe të zemrës, se fitorja është në anën tuaj dhe se Allahu i Madhëruar do ta kthejë botën në duart e të shtypurve dhe të mjeruarve të njerëzimit.”

Imam Khomeini ka thënë: “Kur të drejtoheni për në Mina, lutjuni Allahut të Madhëruar, që për hir të sakrificës që simbolizon ai vend, t’ju plotësojë ëndrrat dhe dëshirat tuaja të bardha. Të nderuar besimtarë! Nëse arrini të shkëputeni, bashkë me qeniet tuaja, prej këtyre cytjeve të shejtanit, prej energjive negative dhe prej kërkesave të ulëta të egos, nuk ka dyshim se do të arrini majat dhe do të mund t’i tejkaloni të gjitha problematikat, me të cilat mund të përballeni në jetën tuaj dhe mund të fitoni dashurinë e madhe dhe kënaqësinë e Allahut të Madhëruar. Ky është momenti më i përshtatshëm për të gjuajtur shejtanin e mallkuar dhe për ta gurëzuar atë. Ky është momenti i përshtatshëm për ta nxjerrë atë prej qenieve tuaja dhe për ta përzënë atë njëherë e përgjithmonë prej çdo skute të qenies. Goditeni shejtanin e mallkuar me fuqinë e qenies dhe të shpirtit, sipas urdhrave të Allahut të Madhëruar. Kjo është mënyra e vetme për të zhdukur prej jush të keqen e tyre dhe të shërbëtorëve të tyre. Ditën kur do të hidhni ato gurë, pastroni qëllimet tuaja dhe vendosni të gurëzoni dhe të nxirrni prej vendeve tuaja format e ndryshme të armiqve dhe të pushtimit. Ditën që do të hidhni ato gurë, jepini besën Allahut të Madhëruar, se do të largoni prej vendeve të myslimanëve të gjithë ata që përpiqen të grabisin padrejtësisht pasuritë e tyre.”

Imam Khomeini ishte i mendimit se adhurimi i Haxhit është simboli i unitetit dhe i vëlazërisë mes muslimanëve. Për këtë Imam Khomeini ka thënë: “Një prej dimensioneve më të rëndësishme shoqërore dhe filozofike të këtij grumbullimi të madh njerëzish, është përforcimi i ndjenjës së unitetit midis të gjithë pasuesve dhe ndjekësve të Profetit të Islamit, Muhamedit (paqja dhe bekimi e Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij të nderuar!)”. Është detyrë e të gjithë vëllezërve dhe e motrave tona myslimane, që të përqendrohen, të jenë të vëmendshëm dhe të jenë të vetëdijshëm se, një nga misionet dhe rolet më të rëndësishme të Haxhit, është përforcimi i ndjenjës së vëllazërisë dhe të unitetit midis të gjithë myslimanëve. Është e nevojshme dhe kërkohet prej të gjithë myslimanëve në Haxh, që të jenë të bashkuar, si e vetmja rrugë dhe mënyrë për të triumfuar ndaj armiqve të Islamit dhe të njerëzimit, që planet e tyre të dështojnë.”

Imam Khomeini ka thënë: “Nuk ka dyshim se Haxhi është vendi më i përshtatshëm, ku myslimanët nga e gjithë bota mund të njihen me njëri-tjetrin, mund të njihen më nga afër me vëllezërit dhe me motrat e tyre në Islam, që vijnë nga lokalitete dhe vende të ndryshme të botës. Ky është një takim i mrekullueshëm ndërmjet të gjithë myslimanëve të botës, që zhvillohet në Shtëpinë e Shenjtë dhe në vendin e Shenjtë, ku ka vend për të diskutuar dhe për të trajtuar hallet, problematikat dhe shqetësimet e të gjitha shoqërive myslimane, nga e gjithë bota. Haxhi është vendi më i përshtatshëm, në të cilin mund të takohen pasuesit e fesë së pastër të Ibrahimit (paqja e Zotit qoftë mbi të!) dhe më pas secili të kthehet në vendin e tij.”

Imam Khomeini ka thënë: “O ju myslimanë të botës! Le të kthehemi bashkërisht dhe të shohim gjendjen e myslimanëve në fillimet e Islamit. Edhe pse të pakët në numër, ata kanë arritur të mposhtin dhe të nënshtrojnë fuqitë më të mëdha të kohës. Ata myslimanë, me gjithë dobësitë e tyre, kanë mundur dhe kanë arritur të ofrojnë për njerëzimin modelin e shkëlqyer të shoqërisë islame. O ju myslimanë dhe ju popuj të shtypur të botës! Bashkoni energjitë tuaja, zgjatjani dorën njëri-tjetrit dhe rrugëtoni të sigurt në rrugën e Allahut të Madhëruar. Kthehuni te Islami juaj dhe hidhuni në luftë kundër fuqive të errëta, që kanë për synim të sundojnë dhe të poshtërojnë njerëzimin. Është detyrë e juaja që të bëheni të gjithë bashkë dhe të luftoni kundër atyre që i kanë grabitur pasuritë e popujve, kanë sulmuar dinjitetin, të drejtat dhe nderin e tyre.”

Imam Khomeini ka thënë: “Duhet të jetë e qartë për të gjithë myslimanet e botës, se ky tubim madhështor, që quhet Haxh, është përgjigje e një ftese e adresuar anëtarëve të umetit prej profetëve Ibrahim dhe Muhamed (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi ata të dy dhe mbi familjet e tyre të nderuara!). Kjo është një ftesë e drejtpërdrejtë dhe e sinqertë e të dy profetëve të mëdhenj, adresuar të gjitha zemrave besimtare, në skajet e afërta dhe më të largëta të botës, për t’u mbledhur dhe për t’u organizuar në këtë tubim të shenjtë hyjnor. Kjo është një ftesë, adresuar të gjithë myslimanëve të botës, për t’iu bindur Allahut të Madhërishëm, për të vendosur drejtësi mbi tokë, për të thyer, për të shkërmoqur, për të thërrmuar llojet dhe format më të sofistikuara të putave dhe të zotave të dukshëm dhe të padukshëm, që shfaqen kudo dhe në të gjitha kohërat.”

Ai ka thënë: “Përgjigjja ndaj kësaj ftese të shenjtë është përgjigje ndaj projektit të pandërprerë për të thërrmuar putat ashtu siç i thërrmuan Ibrahimi dhe Muhamedi (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi ata të dy dhe mbi familjet e tyre të nderuara!).”

Dhe: “Përgjigjja ndaj kësaj ftese të shenjtë është përgjigje ndaj projektit të Musait (Paqja e Zotit qoftë mbi të!) për të shembur dhe për të mposhtur format më të sofistikuara të diktaturave të zotave të vetëshpallur dhe të tiranive, ashtu siç bëri me Faraonin.”

Dhe: “Përgjigjja ndaj kësaj ftese të shenjtë është përgjigje ndaj projektit dhe përpjekjeve për të shembur të gjitha format e faraonizmit ndërkombëtar, që shfaqen në formën e shejtanit të madh dhe kanë për synim të përpijnë interesat e popujve të shtypur të botës.”

Dhe: “Përgjigjja ndaj kësaj ftese të shenjtë është përgjigje ndaj projektit hyjnor islam, për të ndaluar të gjitha format e nënshtrimit, të pushtimit dhe të nënshtrimit, që i ushtrojnë fuqitë e djallit ndaj popujve të shtypur dhe të pafuqishëm të botës, të atyre fuqive djallëzore, që i urdhërojnë popujt e shtypur dhe robtë e lirë të Allahut që t’u bëjnë atyre sexhde.”

Imami i nderuar gjithmonë theksonte se e vërteta e madhe e Haxhit, që përfaqësohet më së shumti te kuptimet e shenjta të thirrjes “Lebejk!”, është emigrim dhe rrugëtim për te Allahu i Madhëruar.

Përsa i përket Kurban Bajramit imam Khomeini ka thënë: “Festa e Kurban Bajramit do të thotë të përgatitemi mendërisht dhe shpirtërisht për të sakrifikuar gjithçka të shtrenjtë që kemi, duke i vënë ato në funksion të ndihmesës së çështjes së lartë islame dhe të përhapjes së drejtësisë së Allahut në të gjitha vendet e botës. Profeti Ibrahim (paqja e Zotit qoftë mbi të!) i ka mësuar njerëzimit dhe të gjithë pasardhësve të Ademit se Meka e Bekuar është thertorja, ku ofrohen sakrificat më të mëdha të të dashuruarve pas hyjnores. Ai i ka mësuar njerëzimit se këto vende të shenjta janë vendet ku e ka zanafillën fryma e teuhidit dhe lufta ndaj formave të idhujtarisë, pasi lidhja e fortë e zemrave me të shtrenjtët është shprehje e formave të fshehura të shirkut dhe të idhujtarisë.”

Po i mbyll këto rreshta me këtë thëni të imam Khomeinit (Zoti qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë: “Grumbullimi i madh në Haxh duhet të vihet në funksion të realizimit të qëllimit madhor kryesor për të cilin u gjend edhe Shtëpia e Shenjtë e Allahut të Madhëruar. Kjo është e vetmja mënyrë nëpërmjet të cilës mund të realizohen interesat e mëdha të njerëzve, për të cilat Allahu i Madhëruar i ka lidhur me kryerjen e Haxhit. Kjo është e vetmja mënyrë për të gurëzuar llojet dhe format e ndryshme, nëpërmjet të cilave shfaqen djajtë, qofshin këta të vegjël apo të mëdhenj. Të ndërtosh Shtëpinë e Shenjtë të Allahut, ta zbukurosh atë, ta mirëmbash dhe të shuash etjen e haxhinjve, duke i dhënë ujë për të pirë, nuk ka asnjë lidhje me qëllimin kryesor për të cilin është ndërtuar Shtëpia e Allahut.”

Allahu na e mundësoftë kryerjen e këtij adhurimi madhështor! Allahu ia pranoftë haxhin besimtarëve që kanë shkuar në Shtëpinë e Shenjtë dhe u kthefshin në vendet e tyre ashtu siç i lindën nënat e veta!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI