Nëna, burimi i dashurisë

nga Vullnet Merja | Publikuar në Gus. 21, 2017, 1:22 a.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit.

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!

Asnjë fjalë nuk mund ta përshkruajë nënën ashtu siç e meriton. Fjala nënë është e shkurtër, por ka një përmbajtje shumë të thellë. Nëna ështe drita, ngrohtësia, dashuria, respekti dhe edukimi. Nëna është shkolla më e përkryer për edukimin e brezave. Nën këmbët e saj ndodhet Parajsa. Nëna është kraharori më i ngrohtë mbi të cilin njeriu mbështet kokën e tij dhe qetësohet duke shfryrë vështirësitë dhe problemet e tij. Nëna është shpirti i jetës. Është e tashmja dhe e ardhmja. Pa praninë e saj asgjë nuk ka as shije as ngjyrë e as aromë.

Nëna është ajo që jep dhe asnjëherë nuk pret që të marrë asgjë prej asaj që jep. Sado që të përpiqesh o njeri që t'ia kompensosh nwnws mirësitë e saj ndaj teje, nuk do të arrish ta bësh qoftë edhe një grimcë. Nëna është prej shkaqeve të pranisë tënde në këtë jetë. Ajo është shkaku i suksesit tënd. Ajo të ushqeu me gjakun e saj që të rritesh e të zhvillohesh. Ajo është përkrahësja jote në këtë jetë dhe ajo është që të fut ty në Xhennet.

Ajo është libri më i mirë nga i cili mëson se si të jetosh dhe të përballesh me sfidat e jetës. Ajo është jastëku më i ngorhtë dhe lulja më e bukur në këtë jetë. Ajo është burimi i parimeve më të larta të moralit. Ajo është e ardhjmja e fëmijës. Ajo është vatra e edukimit të familjes. Nëna formon bashkësinë më të përkryer nëpërmjet edukimt të brezave me edukatë të pastër e të lartë. Nëna është fanari që ndriçon zemrën e njeriut të sapoardhur në këtë dunja.

Gjithësia mund të zvogëlohet me kalimin e kohës, por nëna mbetet gjithmonë e madhe. Zemra e nënës është si dega e miskut, e cila sa herë që digjet ajo lëshon aromë të mbushur me aromë dhe freski. Nëna është ngushëllim në kohën e hidhërimit, shpresë në kohë vështirësie dhe fuqi e forcë kur dobësohemi.

Zemra e nënës është shkolla e fëmijës, sepse zemra e saj është prej mrekullive të krijimit të Allahut të Madhëruar. Ajo që mëson fëmija nga zemra e nënës kurrë nuk fshihet dhe kurrë nuk harrohet. Zemra e njeriut, përveç përmendjes së Allahut, nuk qetësohet nga asnjë krijesë në këtë gjithësi veçse në kraharorin e nënës së tij.

Dashuria e nënës asnjëherë nuk vjetërohet dhe kurrë nuk shterron. Meloditë më të ngrohta,  më të qeta dhe shplodhëse dalin nga zemra e nënës. Nga prehëri i nënave dalin heronjtë e çdo vendi e populli. Prehëri i nënës është streha më e sigurtë. Sado që të përpiqet babai, ai nuk arrin ta burrërojë djalin e tij, por është nëna ajo që arrin ta bëjë këtë. Të vërtetën e nënës vajzat e kuptojnë kur bëhen vetë nëna. Çdo gjë që mund të bëjë njeriu për nënën e tij, ajo nuk krahasohet as me një natë të vetme kur nëna rrinte zgjuar mbi kokën e tij kur sëmurej apo kishte shqetësime të ndryshme.

Nëna është ajo që jeton për lumturinë e familjes. Sakrifikon, lodhet dhe mundohet që familja e saj të jetë gjithmonë e bashkuar, e udhëzuar e lumtur dhe e begatë.  Nëna është drita me të cilën udhëzohemi në rrugën e drejtë. Mëmësia është dhurata më e madhe me të cilën Allahu e ka begatuar gruan.

Nëna është shembulli më i mirë në jetë. Ajo na mëson se si të jemi njerëz të mirë e të mrekullueshëm. Sado që të jetë e varfër nëna ajo kurrë nuk i privon fëmijët e saj nga petku i ngrohtësisë dhe dashurisë. Nëna është simboli i dashurisë, i dhënies dhe i dhemshurisë.

Çdo gjë mund të të rikthehet si përshembull: Kur divorcohesh mund të martohesh me një tjetër. Kur humbet pasuri mund ta grumbullosh përsëri, nëse të vdes një fëmijë mund të lindë një tjetër. Mirëpo, gjëja e vetme e cila kurrë nuk mund të kthehet nëse ikën është nëna.

Kështu e ka krijuar Allahu nënën. Askush nuk mund t'ia zhveshë asaj vetitë që i ka dhënë Allahu. Mirëpo, fatkeqësisht është vetë femra ajo që e zhvesh veten e saj nga këto virtyte dhe karakteristika që ia ka dhuruar Krijuesi i saj. Ajo e zgjedh vetë rrugën e devijimit e të humbjes. Dikush mund të thotë se e bën nga halli dhe nga ana e dobët ekonomike. Nuk është e vërtetë. Këto janë thjesht shfajësime të pabaza.

Disa fëmijë mund të mendojnë, dhe ky është mendim shumë i gabura, se nëna është veçse shërbëtore. Puna e saj është të gatuajë, të lajë e të pastrojë. Mirëpo dallimi mes nënës dhe shërbëtores është se shërbëtorja paguhet për punët që bën ndërsa nëna nuk merr asnjë vlerë monetare dhe këtë e bën me plot gëzim dhe pa u lodhur.

Cilido që sillet keq me nënën e tij, ai kurrë nuk do të shohë mirësi në këtë jetë dhe as në Jetën Tjetër. Këtë e dëshmon edhe historia. Jo më kot është edhe shprehja: Si të bësh do të të bëhet.

Nëna më e përkryer është ajo e cila është besimtare dhe e devotshme. Është ajo që i edukon dhe i mëson fëmijëve të saj dashurinë për Krijuesin Allahun e Madhëruar. Dashurinë për profetët e Allahut në përgjithësi dhe dashurinë për vulën e profetëve në veçanti, profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe dashurinë për familjen e tij të pastër dhe të dlirë. Nëna më e përkryer është ajo që ua mëson fëmijëve të tyre Librin e Allahut, Kur'anin e shenjtë.

Drita e besimit e lartëson akoma më shumë pozitën e nënës. Të gjitha nënat duhet ta dinë se Allahu i Madhëruar në Kur'anin e shenjtë e ka vendosur mirësjelljen për nënën dhe për babain, menjëherë pas adhurimit të Tij. Ai thotë: "Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” (Sure "Isra", ajetet 23-24) Në këtë ajet sqarohet pozita e lartë e prindërve te Allahu i Madhëruar.

Në një ajet tjetër Allahu i Madhëruar thotë në Kur'anin e shenjtë: “Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet. Nëna e mbart atë me mund dhe me mund e lind. Ai mbartet dhe ushqehet me gji për tridhjetë muaj dhe, kur arrin në moshën e burrërisë e i mbush dyzet vjet, ai thotë: “O Zoti im! Më frymëzo që të të falënderoj për begatitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur! Më dhuro pasardhës të mirë! Tek Ty kthehem i penduar dhe Ty të dorëzohem!” (Sure "Ahkaf", ajeti 15.)

Dhe: "Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë”. Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë." (Sure "Lukman", ajetet 14-15) Në këtë ajet, Allahu e ka caktuar falenderimin ndaj prindërve pas falenderimit të Tij. Nëse nëna është e kënaqur me ty edhe Allhu është i kënaqur.

Sigurisht që nënat kanë nevojë për një model në jetën e tyre. Modeli më i përkryer është nëna e besimtarëve, Hatixheja (paqja qoftë mbi të!) dhe vajza e saj Fatime Zahra, për të cilën profeti Muhamed ka thënë se është zonja e të gjtha grave të botëve.

Fatkeqësisht, në këto ditë shohim se shumica e nënave besimin e shprehin vetëm me gojë dhe kjo ndodh kur ka ceremoni apo evenimente fetare, kur është Bajram apo Ramazan. Të pakta janë ato që janë praktikante të mësimeve të Allahut dhe të profetit Muhamed.

Shumica e grave dhe e nënave sot për model kanë aktoret e filmave apo të telenovelave të ndryshme. Të pakta janë ato nëna dhe motra që marrin si shembull në jetën e tyre të nderuarën Merjeme, nëna e profetit Isa (paqja qoftë mbi ta!), apo nënën e besimtarëve, Hatixhenë, apo vajzën e profetit Muhamed, Fatime Zahranë (paqja qoftë mbi ta!), e të tjera femra madhështore që i përmendin literaturat fetare.

Të shumta janë tubimet që bëhen për mbrojtjen e të drejtave të grave. Mirëpo ato janë thjesht brohoritje dhe fjalë boshe. Për çfarë të drejtash e kanë fjalën? Sot nëna është e privuar nga dashuria për fëmijët e saj. Ashtu siç janë të privuar edhe fëmijët nga dashuria për nënat e tyre. Për çfarë të drejtash bëhet fjalë, ndërkohë që gruan e kanë punësuar tetë orë në ditë jashtë shtëpisë dhe larg bashkëshortit dhe fëmijëve?! Nuk jemi kundër aktivizimit të femrës në jetën sociale por kjo të bëhet në atë mënyrë që të mos ndikojë nagativisht në edukimin e fëmijëve që janë e ardhmja e çdo vendi. Nëse do të ndiqen parimet e fesë së Allahut, gratë do të gëzonin të drejtat e tyre ashtu siç e meritojnë. 

Në përfundim të këtyre rreshtave po përmend thënien e imam Ali ibn Husejn, Zejnul Abidijn (paqja qoftë mbi të!) rreth të drejtave të nënës.

Imam Ali ibn Husejn, Zejnul Abidijn (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Mbi ty ka të drejtë nëna jote dhe dije mirë se ajo të ka mbajtur aty ku nuk të mban askush, ajo të ka ushqyer me frytin e zemrës së saj, të ka ushqyer me atë me të cilin asnjë nuk mund ta ushqejë një tjetër; ajo të ka mbrojtur me veshin e me syrin e saj, me dorën e me këmbën e saj, me flokët, me lëkurën e me të gjitha gjymtyrët e saj dhe për këtë ajo është ndier e gëzuar, e qeshur; ajo ka vazhduar të të shërbejë, duke përballuar shumë vështirësi, dhimbje, rëndesa e shqetësime, derisa erdhi caktimi dhe ajo të nxori në tokë. Ajo kishte kënaqësinë të të ngopte ty kur kishe uri; ajo të vishte, të zhvishte e të njomte gojën kur kishe etje; ajo të bënte hije, ajo sakrifikohej për ty, ajo të bënte mirë ty me vuajtjen e saj; ajo të kënaqte me gjumë, me butësinë e saj; barku i saj qe për ty vendi ku ndenje dhe prehri i saj të mbështillte ty nga të gjitha anët, gjiri i saj të dha të pish, shpirti i saj ishte për ty mbrojtje; ajo duronte vapën e të ftohtët për të të ruajtur ty; për të gjitha këto falënderoje atë, por nuk do të kesh fuqi ta falënderosh pa ndihmën e Allahut dhe pa mbarësinë e Tij.” (Mesazhi i të drejtave, i imam Ali ibn Husejn).

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI