Serbia për Kosovën- "pajtim historik me shqiptarët"

Publikuar në Gus. 19, 2017, 12:16 a.m.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, bën thirrje për dialog për Kosovën dhe për "pajtim historik me shqiptarët". Për këtë, disa e brohorasin si vizionar. Kritikët dyshojnë për një manovër taktike.

Presidenti serb ka në bazë të Kushtetutës së Serbisë vetëm funksione përfaqësuese - posti i tij është simbolik, pa kompetenca praktike. Por Aleksandar Vuçiq ka prej pesë vitesh të gjithë frerët e pushtetit në duar, si shef i partisë së fuqishme të Përparimit: në fillim si zëvendëskryeministër, pastaj si kryeministër dhe tani si President i shtetit. 

Herë pas here, Vuçiqi vendos të merret me gjëra të mëdha. Prej javësh dominon thirrja e tij për "dialog të brendshëm serb" për temën e Kosovës, në interpretimin e tij "një shans historik" për pajtimin me shqiptarët. E gjitha ka elementë hollivudianë: pikërisht ky President, që në vitet nëntëdhjetë qe një nacionalist i etur për gjak, i cili i shante përditë shqiptarët, dëshiron ta zgjidhë përfundimisht këtë çështje.