Dimensionet e Jetës

Publikuar në Gus. 17, 2017, 1:32 a.m.

Jeta e njeriut është një fenomen i jashtëzakonshëm. Duke qenë kaq masivisht e pranishme, si manifestim, si dhe për faktin se nuk është i natyrës fizike, ky fenomen nuk inkuadrohet dot në përkufizimet që zakonisht u bëhen fenomeneve fizke e materiale. Jeta është një mister i thellë i shpirtit tonë, që ndonjëherë e shpërfillim sepse është një dhuratë që na është dhënë pa asnjë meritë apo mundim nga ana e jonë në momentin që kaluam pragun e ekzistencës duke ardhur që nga sferat e mosqenies. Jeta është dielli që ngroh zemrën dhe ekzistencën tonë, shiu që i jep gjallëri tokës, uji që rrjedh në tokë, shpirti që i jep vitalitet trupit. Jeta është një burim i pashtershëm që e ka zanafillën tek Zoti. Jeta është dinamizëm, valëvitje, ngashënjim. Jeta është mrekullia dhe shenja më e madhe e Zotit.

A keni menduar ndonjëherë çfarë lidhjeje ka jeta me lumturinë, me besimin, me shpirtin? Domethënë, kur flasim për jetën, a do të thotë kjo se po flasim për shpirtin? Apo e kundërta, a është jeta diçka që dominon mbi shpirtin? Është më se e vërtetë që pa shpirt nuk ka jetë. Pas shkëputjes së shpirtit prej trupit, ky i fundit i humb karakteristkat e të qenit i gjallë, por a mjafton kjo që të pohojmë se shpirti dhe jeta janë e njëjta gjë? Unë them jo, për arsye se jeta është indefirente ndaj së mirës dhe së keqes dhe ajo nuk merr nuanca pozitive ose negative, kurse shpirti ndonjëherë bëhet i bukur, i hijshëm, dhe ndonjëherë shndërrohet në diçka të keqe. Pra, jeta është përtej shpirtit.

Le të hedhim një shikim mbi raportin që ka jeta me vdekjen. Jeta dhe vdekja zakonisht përdoren si antonime, si dy gjëra kontradiktore. Vërtet vdekja është ekuivalente me mungesën e jetës, pra atje ku mungon jeta mbizotëron vdekja, por këtu kemi të bëjmë me dy realitete krejt të ndryshme, të cilat nuk mund të krahasohen, sepse nuk janë të së njëjtës natyrë. Po ashtu, në lidhje me jetën dhe besimin apo me jetën dhe lumturinë duhet thënë se besimi dhe jeta kanë të njëjtin burim, i cili është Zoti, Krijuesi i Gjithësisë. Ai është Jetëdhënësi, dhe ne e kemi jetën prej Tij.

Nga ana tjetër, edhe besimi, në kuptimin e fesë, është prej Zotit. Ajo përkufizohet si udhëzimi që i Gjithëdijshmi i ka dërguar njerëzimit për të arritur lumturinë e amshueshme nëpërmjet zbatimit të normave individuale e shoqërore dhe normave në lidhje me raportet e njeriut me vetveten, shoqërinë, natyrën dhe Zotin. Zoti i Madhëruar thotë lidhur me këtë: “O ju që besuat, përgjigjiuni (thirrjes) Allahut dhe dhe të Dërguarit kur ai (i Dërguari) ju fton për atë (fenë e drejtë) që ju jep jetë, dhe ta dini se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij dhe se ju do të tuboheni tek Ai”. (El- Enfal:24)

Ky ajet Kur’anor na e thotë qartë që jeta është një kategori, e cila pranon intensitete të ndryshme. Këtë fakt ne e vërejmë edhe në jetën e përditshme tek gjallesat që na rrethojnë. Në pikëpamje të jetës, bimët dhe pemët kanë një intensitet më të ulët jete sesa kafshët. Po ashtu, kafshët në krahasim me njeriun renditen në shkallën e ekzistimit disa nivele më poshtë. Ndërkaq ajeti i lartpërmendur përcjell edhe një paralajmërim. Në të thuhet se njeriu ka nevojë për “elemente” që i japin jetë dhe se, nëqoftë se ai nuk i merr këto “elemente”, do të renditet në mesin e ekzistencave me intensitet të ulët të jetës. Aty thuhet, gjithashtu, se e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga kjo gjendje është pranimi i udhëzimit nga Zoti dhe i Dërguari i Tij. Thënë ndryshe, besimi (feja) është eliksiri që e shnëdrron qenin e njeriut në një qenie jetësore, vitale, plot shpresë, dinamizëm, lartësim moral, shpirtëror e ekzistencial. Pra, kur pohojmë se jeta ka për burim hyninë, del se duhet pranuar udhëzimi i saj, përcjell përmes të Dërguarit, në mënyrë që të arrijmë intensitetin më të lartë e të plotë të jetës. Pikërisht në këtë nyje mpleksen jeta, njeriu, besimi, lumturia dhe amshueshmëria. Me plotësimin e kërkesës së krijuesit për të zbatuar urdhërat dhe dispozitat e Tij, njeriu fiton dimension për ta prekur thelbin e jetës, për të rilindur dhe për t’u rivitalizuar në një ekzistencë shumë më kuptimplotë, më spirituale dhe më pranë Zotit.

MA: Valbona Ismaili